Pikat turistike që i shtohen Vlorës

1444
Kodra e Kuzumbabait
Kur i ngjitej kodrës së Kuzumbabait, në verën e vitit 1957, kryeministrit komunist të kohës, Mehmet Shehu, as që i shkonte në mendje se do t’i bëhej propozimi që do t’i ndryshonte destinacionin kodrës. Shkonte në kodër, në një vizitë rutinë, për të parë nga afër gadishmërinë e repartit të artilerisë, që ishte vendosur aty që pas Luftës II Botërore. Kodra ishte një pikë strategjike në mes të qytetit të Vlorës, nga ku shihej me sy të lirë i gjithë qyteti dhe përtej, në rrethinat e tij. Kryeministrin Shehu, së bashku me një grup ushtarakësh të lartë, shoqërohej nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës, Kristo Papajani. Teksa ishte duke parë Vlorën nga maja e kodrës, e duke treguar me gisht disa nga ndërtimet karakteristike në ndërtim dhe detin atje tej, kryeministri dëgjoi propozimin nga kryetari Papajani, për ta kthyer kodrën në një pikë turistike. Dëshmitarët në atë takim, tregojnë se për një moment kryeministri kishte heshtur, i hidhte herë pas here vështrime serioze Papajanit, komunikoi për disa çaste me një ushtarak të lartë nga Tirana dhe aty për aty nuk i ktheu asnjë përgjigje propozimit të kryer. Pak ditë më vonë, një urdhëresë e e tij drejtuar Papajanit, do t’i jepte përgjigje pozitive atij propozimi të guximshëm për kohën që një pikë ushtarake strategjike të kthehej në një pikë turistike. Dhe kështu u bë. Që prej asaj vere 1957, fillimisht me një barakë, kodra e Kuzumbabait u kthye nga një repart artilerie në një pikë turistike. Në mesin e viteve 60, nisi ndërtimi i shkallëve që të shpinin lart në majë të kodrës, për ta bërë të lehtë rrugën e vizitorëve për ta soditur qytetin nga maja e kodrës që natyra e ka të vendosur në mes të qytetit.
Ishulli i Sazanit
Pas më shumë se gjysëm shekulli, një tjetër pikë strategjike ushtarake e Vlorës, do të kthehej në një pikë turistike. Në verën e 2015, ishulli më i madh i Shqipërisë, që ndodhet në juridiksionin e bashkisë së Vlorë, do të hapej për vizitorët. Deri në fundin e shekullit të 19, ishulli do të ishte pronë e disa familjeve të mëdha. Deri në atë kohë, në ishull ka ekzistuar dhe një fshat i vogël, me rreth 80 shtëpi, me emrin Sebep, por banorët e fshatit thuhet se u shpërngulën prej andej pas një sulmi që Ali Pashë Tepelena i bëri ishullit, pronë e një prej pinjollëve të familjes Vlora. Në 25.12. 1914, në 25 nga ishulli i Sazanit do të hynin në Vlorë ushtarët e parë italianë, duke shënuar pushtimin e parë të Vlorës, por njëkohësisht dhe të ishullit. Deri në 22 tetor 1944, kur ishulli do të çlirohej nga një kompani e vogël partizane e Brigadës së 12, ai do të ishte nën pushtimin italian e që prej kësaj dite e deri në vitin 1990, ishulli do të ishte nën administrimin e Shqipërisë. Në vitin 1997, ishulli do të vendosej përsëri nën administrimin e ushtrisë italiane, ndërkohë që patrullimi i ishullit prej tyre, kishte filluar para këtij viti, por jo me përmasa të mëdha. Në këto vite, ishulli do të ishte një tokë e ndaluar për shqiptarët, të cilët numëroheshin me gishta, ata që lejoheshin për të hyrë në ishull. Në marsin 2002, një grup gazetarësh lokalë nga Vlora, teksa shkonin në ishull me një leje policore dhe me një skaf të policisë lokale, do të ndaloheshin për më shumë se tre orë në ishull nga ushtarët italianë, madje duke u mbyllur në një kazermë ushtarake. “Lirimi” i gazetarëve do të kryhej vetëm pas kontakteve të shumta midis ushtrisë shqiptare dhe asaj italiane, duke shënuar kështu kulmin e kontrollit të ishullit nga ushtrria italiane. Në verën e vitit 2015, ishulli ka nisur të kthehet në një pikë turistike, ku për tu shërbyer sa më mirë turistëve. Agjensia Kombëtare e Bregdetit po trajnon dhe një numër të caktuar personash që do të kryejnë detyrën e guidatorit turistik në ishull. Në ishull kanë mbetur ndërtimet e sistemit komunist, duke filluar nga pallatete banimit, shkolla me emrin “22 tetori” e deri pallati i kulturës, të cilat i shërbenin një popullsie e cila arriti deri në 3 mijë vetë. Ka zëra se në ishull fshihet një thesar i Ali Pashë Tepelenës, ndodhen rrënojat e një kishe nga më të vjetrat në rajon, por edhe vlera të tjera arkeologjike që pritet të zbulohen.
Në pritje, Oriku
Ndërsa kodra e Kuzumbabait dhe ishulli i Sazanit, në kohë e periudha të ndryshme, e kanë ndryshuar destinacionin e tyre nga pika ushtarake në pika turistike, është në pritje për të ndodhur ky ndryshim dhe për Orikun. Zona arkeologjike e Orikut, në Orikum të Vlorës, është brenda bazës ushtarake të Pashalimanit. Vite më parë ka qenë e pamundur të hyje në zonën arkeologjike, por edhe kur hyje duhet të merrje leje në bazë. Sot, hyrja është bërë pak më e lehtë, por përsëri ushtarët janë në zonën arkeologjike dhe zona nuk është e liruar krejtësisht nga kontrolli i bazës ushtarake. Ndërkohë nga territori i bazës, kalon edhe hyrja nëpërmjet tokës për në gadishullin e Karaburunit, edhe ky një territor deri vite më parë, i ndaluar për t’u vizituar për shkak të bazës ushtarake, por edhe pikave të tjera strategjike. Për të shkuar në Karaburun me tokë, duhet ta “rregullosh” me ushtarin tek postblloku, ndërkohë që rruga lë shumë për të dëshiruar pasi është bërë nga ushtria dhe vetëm me një kalim. 
Në pritje edhe…ishulli i Manastirit
Nuk është bazë ushtarake, por është gati e ndaluar hyrja në të si të ishte bazë ushtarake. Debati për pronësinë e ishullit të Manastirit, vazhdon prej kohësh, është i kishës apo është i shtetit. Manastiri është objekt fetar që tërheq vizitorët për në ishullin ku ndodhet Manastiri. Ura që të shpie në ishull, në manastir është dëmtuar përsëri edhe pse u riparua njëherë fal ndërhyrjes së Qarkut në Vlorë, për shkak të vjetërsisë së saj dhe kalbjes së drurit, me të cilën është ndërtuar. Vizitorët janë të shumtë, gjatë gjithë vitit, por më shumë në verë, ndërkohë që të ardhurat që grumbullohen prej tyre, janë në zotërimin e kishës, ndërkohë që kjo e fundit nuk tregon asnjë interesim për të investuar në riparimin e urës. Është një debat, një “konflikt’që duhet të zgjidhet në shërbim të turizmit, për vet vlerat që mbart Manastiri, legjenda për ishullin e vogël, bukuria e tij, pylli i vogël dhe deti që e errethon. Në ishull ka qenë varrosur dhe qëndistarja e flamurit të Pavarësisë, Marigo Posio.
Sigal