“Suedia bëri gabim të madh me Marion, autoritetet atje besuan tek garancia e shtetit shqiptar”

119
Jeta e Mario Majollarit mund të kishte shpëtuar nëse autoritet suedeze do të kishin vlerësuar siç duhet rastin e tij.
Avokati i tij, Maravgi Staifo, zbulon për televizionin Klan se autoritetet druanin se rreziku që i kanosej atij nuk ishte mjaftueshëm serioz.
“Mendova që prej fillimit Bordi i Migracionit e më pas Gjykata e Migracionit bënë një vlerësim të pasaktë të arsyeve të tij të azilit. Duke e besuar dhe me pasojën tragjike, më është forcuar natyrisht bindja se autoritetet arritën në konkluzione të rreme”, tha Staifo.
Frika se mund të ishte viktimë e gjakmarrje u vërtetua 5 ditë pas kthimit në Shqipëri. Kastrtiot Gjuzi i kishte zënë pritë pak metra larg shtëpisë ku e qëlloi disa herë për të marrë hak për vrasjen e të vëllait nga babai i Majollarit.
“Mendova që ai dha një përshtypje të besueshme për historinë e tij. Unë nuk dyshova kurrë se frika e tij për jetën e tij nuk ishte ngritur mbi baza të forta. Ai la një histori të faktuar dhe të detajuar. Tani, duket që historia e tij ishte e vetë-parashikuar.”
Ajo që bindi më shumë autoritetet suedeze për t’i refuzuar azilin ishte garancia e dhënë nga autoritete shqiptare se pavarësisht mangësive, kishin vullnetin dhe aftësinë t’i ofronin mbrojtje qytetarit të tyre kundrejt kërcënimit nga njerëz të ndryshëm.
“Gjëja kryesore në historinë e Majollarit ishte se ai nuk mund të jepte prova se ai kishte aplikuar për mbrojtje nga policia në Shqipëri përpara se autoritetet suedeze t’i jepnin azil. Për më tepër, kishte kaluar pak kohë që kur nisi gjakmarrja dhe ai u arratis.”
Avokati thotë se nuk ka asnjë mundësi për të ndërmarrë veprime ligjore kundër autoriteteve suedeze, pasi gabimi në rastin e Majollarit nuk do të thotë se ata janë përgjegjës për dëmet.