Skrapari në gjurmët e Nëntorëve…

1490
Nëntorët janë disi të veçantë nga muajt e tjerë. Kanë dy ngjarje të shënuara për popullin shqiptar. 28 Nëntorin e 1912, Dita e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe 29 Nëntorin 1944, Dita e çlirimit të atdheut. Dy data të shënuara një ideal, një qëllim, i njëjti heroizëm. Vitet ikin por 28 Nëntori i 1912 nuk harrohet. Është Dita e flamurit e ajo ditë nuk harrohet, është amaneti i atyre që derdhën gjakun 105 vite më parë. Skraparllinjtë e deshën flamurin dhe u vranë për të. Shqiponjën me dy krerë e gdhendën në djepin e fëmijëve, nëpër qemerët e gurtë të portave. Por së pari e gdhendën në zemër. Udha drejt Vlorës ishte udhë trimërie. Shfleton dokumentet muzeale dhe konstaton se ajo nis nga germat shqipe. Më 29 Mars 1912 Hasan Bej Koprencka shkruan “Më 25 të Marsit 1909 me anën e 25000 vetash…u mbajt një miting prej 3000 vetash…të cilët thanë që jemi një për një për të mbrojtur shkronjat shqipe”. Po në Shkurtin e këtij viti Mahmud Zaloshnja i shkruan Jani Vruhos me një shqipe të kulluar. Siç shkruan gazeta “Lajmëtari” në Qershor 1914 Skrapari është në këmbë për çështjen kombëtare. Ndërsa po këtë vit ishte krijuar komiteti i shpëtimit ku pushkët e çetave i komandonin kapedanët Skraparas Lace Backa, Ali Farmaqi, Servet Zaloshnja, e të tjerë. Ishin jehona që përgatitën Pavarësinë. Në Qershor 1912 krerët u takuan në Teqenë e Backës martire, mbi një gur zogu krahështrirë qëndronte krenar. Dhe baba Fetau i Backës iu tha osmanllinjëve: “E shikoni atë zog atje, një ditë do të bëhet flamur i Shqipërisë e do t’u gërryejë sytë”. Dhe më pas paria skraparase mblodhi 400 pushkë në qafën e Kulmakut. Në Kuvendin e Sinjës ishte edhe firma e skrapallinjëve Muço Kapinova, Riza Shahini etj. Burrat e maleve e firmosin memorandumin e famshëm me grykën e pushkës. Po atë Gusht çetat e Sulejman Spatharës, Lace e Zote Backës, Avni Koprenckës e Sokol Radëshit sulmuan garnizonin turk në Çorovodë. Me 18 Nëntor 1912 Ismail Qemali njofton me telegram se deri me 25 Nëntor të ishin zgjedhur përfaqësuesit e gjithë krahinave për në kuvendin kombëtar. Drejt Vlorës shkuan qindra burra skraparas. Në atë shesh me 40 luftëtar atë ditë ishte Lace Backa, dhe me 300 veta ishte Servet Zaloshnja. Atje ishin shume të tjerë. Firmën e madhe në emër të popullit të Skraparit e hodhi Xhelal Bej Koprencka dhe besën që ata i japin burrit të mençur. Jo më kot tomorricarët me një telegram mandatojnë Ismail Qemalin të përfaqësojë popullin e asaj krahine. Ata e kishin kuptuar rëndësinë e asaj vepre që po bënte Ismail Vlora. Dhe burri i urtë i vlerësonte gjërat. Në një telegram gjatë qeverisjes së tij ai shkruan “Populli i asaj krahine ashtu si dhe më parë dhe tani do të jetë gati për çështjen kombëtare”.Dhe besa e skrapallinjëve do të konfirmohej në situate më të vështira për qeverinë. Në një telegram i Janarit 1913 nënprefektura e Skraparit shkruan “Të gjithë trimat e Skraparit dhe të Tomorricës prej tre ditësh janë duke vrapuar për të mbrojtur pozitat strategjike në front”. Dhe Ismail Qemali nuk ngurroj të ofronte djem skrparllinj në qeverisjen e tij. Maliq Sanxhaku u emërua drejtor i departamentit të pyjeve dhe kullotave, Mustafa Spathara anëtar i Mbrojtjes Kombëtare e deri këshilltar ushtarak i Ismail Beut…Tefik Ragu e kishte njohur Ismail Qemalin si anëtarin e parlamentit në Stamboll. Kishin qenë shokë e bashkëpunëtorë, ndaj qeveria e tij e ngarkon Tefik Ragun të organizoje mbrojtjen skraparase në kufijtë strategjikë jugorë. Meleq Staravecka rilindësi dhe luftëtar i gjuhës ndodhej në atë 28 Nëntor të 1912 në Vlorë. Dhe ngazëllehej e shkruan 

“Të mos qaj se jam munduar! 
Arriti dita e shënuar. 
Me pushkët krahut e flamurë.

Një flamur që ka ndalur palët e një shqiponje që ende fluturon. Fluturon nëpër Nëntorit dhe mbeti flamuri i ëndrrave, i shpresës dhe i bashkimit të shqiptarëve. Flamuri i betejave. Tek bisedon me veteranët e Luftës nuk ngopesh së dëgjuari ata. Biseda e tyre merr kodrave e qafave legjendare të Skraparit, aty ku është luftuar e projektuar liria që solli 29 Nëntorin, Ditën e madhe të çlirimit. Me pushkë krahut dhe me flamur skraparllinjtë luftonin nga beteja në betejë. Pëllëmbë e ngjarje, pëllëmbë e histori. Dhe të shfaqet vigan Kareman Ylli, komisar dhe anëtar i luftës partizane. Të del parasysh Zylyftar Veleshnja e epopeja me emrin “Tenda e Qypit”, Neshat Hysin me betejën e Qafës së Shkozës. Këta burra që vijnë në festat e Nëntorit dinë të flasin për shokët e tyre. Ata të tregojnë për Tefik Lapanin e Estref Caken, Ismail Alushanin dhe Sadush Myftarin, për ata 400 e ca dëshmorë që dhanë jetën në këmbim të lirisë. Sot edhe këta janë më pak. Ligjet e serta të natyrës e bëjnë të vetën. Ata po na ikin për ditë bashkë me ëndrrat e realizuara. Ju faleminderit atyre që na lanë flamurin, na lanë Shqipërinë!

Sefedin METHOXHA
Sigal