Skënder Hasmeta: Ja si e ngrita policinë ushtarake nga rrënojat e vitit 1997?

1007
Sot kolanat e gazetave dhe titrat e ekraneve mbushen me killerë, keqbërës, përdhunues, njerëz të aferave e bëmave nga më ogurzezat, por pak, fare pak gjejnë vend njerëzit e shpresës, ata që me punën dhe përkushtimin e tyre ngjallin dëshirën për jetën dhe vlerat njerëzore në këtë vend të lodhur nga egërsia dhe primitiviteti. Skënder Hasmeta, ish-ushtarak, komandant i policisë ushtarake në vitet më të vështira të tranzicionit shqiptar, gjatë 1997-2000, ka një jetë intensive jo vetëm prej ushtaraku, por dhe prej njeriu human, që ka qenë dhe mbetet gjithmonë në shërbim të njerëzve në nevojë, në vënien në efikasitet të emergjencave civile e humane, për të krijuar një klimë të shëndetshme shoqërore, sociale e kombëtare. Kulmimet e tij si ushtarak dhe si vizionar arrijnë në vitin e mbrapshtë 1997, kur shteti ra thuajse plotësisht nën presionin e bandave të rrugës dhe ushtria, policia dhe shërbimet e sigurisë qytetare shqiptare pushuan së ekzistuari ose kishin një ekzistencë të dobët e mjerane. Hasmeta e nisi karrierën ushtarake si instruktor në shkollën e Oficereve rezervistë në Burrel, nga viti 1983 deri në vitin 1990, për të vijuar si shef i Garnizonit Ushtarak Burrel 1991, zëvendës shef dhe shef i Rajonit te Policisë Ushtarake Burrel me zonë mbulimi rrethet Dibër, Bulqizë, Librazhd, 1992-1997 Mat, shef i Rajonit të Policisë Ushtarake Tiranë, 1997-1998 Komandant i Batalionit te Policisë Ushtarake Tiranë. 1998-2000 Shef shtabi i Batalionit të Zbulimit i Forcave Tokësore Tiranë, 200-2002. Shef i Policisë Ushtarake i Forcave Tokësore Tirane. 2003-2006. Veprimtaria e tij ushtarake në fushën e përgjegjësive për paqen dhe stabilitetin ka njohur kulme në detyra të tilla, si shef i Policisë Ushtarake i Komandës së Forcave të Bashkuara Durrës 2006-2008, Shef i Sektorit të Kundra Zbulimit i Komandës së Forcave të Bashkuara Durrës, 2008-2011, Shef shtabi në Repartin Ushtarak 1020 Zall Herr Tiranë, 2012, për t’u liruar para kohe nga FA me gradën N/Kolonel, në shtator 2012 e në vijim aktualisht në asistencë. Gjithashtu ka ushtruar detyrën e oficerit të Policisë gjyqësore për llogari të Prokurorisë Ushtarake Tiranë, gjatë viteve 1995-2000. Karriera e tij ushtarako-civile lidhet me një sërë përgjegjësish dhe angazhimesh si në menaxhimin e stabilitetit qytetar në vitet 1997-1998, ku shteti pushoi së kryeri funksionet e tij themelore dhe vetëm disa idealistë, midis të cilëve dhe Skënder Hasmeta, në rolin e shefit të policisë ushtarake të kryeqytetit i vuri gjoksin detyrave të vështira të kohës dhe ia doli të mbronte me përkushtim rendin qytetar në kryeqytet.
Si ishte gjendja e repartit ku shkove pas ngjarjeve të tmerrshme të vitit 1997?
Kur e nisa detyrën si shef i policisë ushtarake të Tiranës, në Sauk ku ndodhej godina e këtij institucioni, gjithçka mbante erë shkrumbi; ndërtesa nuk kishte as dyer e as dritare, nuk kishte një karrige për t’u ulur, lerë më pastaj të flasësh për bazën logjistike e kushtet teknike, si kompjutera e të tjera, as që mund të bëhej fjalë. Sikur të mos mjaftonin këto mungesa, një pjesë e oficerëve nën presionin e krimit kishin braktisur detyrën ushtarake, mjaft policë qenë larguar jashtë vendit ose nuk vinin në punë për shkak të psikozës së frikës, që aso kohe po kthehej në një makth qytetar. Gjithçka duhej nisur nga kuota zero. Duhej përgatitje e lartë profesionale dhe shpirt krijues. Duhej ngritur në këmbë një institucion që faktikisht kishte falimentuar, ashtu si të gjitha strukturat e tjera të ushtrisë dhe të shtetit shqiptar. Falë edhe punës së palodhur të vartësve të mijë dhe të kolegëve në kryeqytet nuk u dëmtua deri në shkatërrim reparti, u ruajt në një farë mënyre rendi dhe siguria qytetare, u ruajtën ato objekte që ende nuk patën rënë në dorë të krimit dhe mafies së rrugës, që shpesh gjente frymëzim nga segmente të oborreve politike.
Po gjatë krizës Kosovare 1999, cila ishte puna juaj e repartit dhe e tërë repartit? 
Gjatë krizës kosovare në 1999, situata ishte shumë e vështirë. Duhej menaxhim perfekt i kosovarëve të ardhur në Tiranë nën presionin e dhunës dhe genocidit serb, gjatë ikjes së tyre biblike, për të gjetur një truall mikpritës. Ne organizuam me efikasitet marrjen e kosovarëve që nga Kukësi, duke shoqëruar sigurinë e kolonave të drobitura nga mungesa e gjumit, lodhja dhe sfilitja, uria dhe mungesa e shpresës. Guximi dhe optimizmi i trupave tanë përhapej si një injeksion gjallërues tek i gjithë efektivi që kishte nën komandë, sipas parimit të ushtarakut shembullor: “Bëj siç bëj unë, eja ta kryejmë së bashku”. Kështu falë dhe punës përkushtuese të të gjithë reparteve kriza e të shpërngulurve nga Kosova, nën presionin e grantave, tankeve, plumbave e bajonetave serbe, do të hynte në faqet e ndritura të historisë më të re të Shqipërisë administrative, duke mundësuar që vëllezërit e farës dhe gjakut të përbashkët të gjenin strehë, ushqim, veshmbathje, ndihma mjekësore, përkujdesje humane, duke bërë që shqiptarët ta shlyenin njollën e zezë të vitit 1997 me aktin më human të treguar ndaj vëllezërve të gjakut.
Puna dhe vlerësimi
N/kolonel Hasmeta është një nga ushtarakët më të përgatitur e më të kualifikuar në fushën e stërvitjes së trupave, ku stërvitjet e drejtuara prej tij kanë marrë përgëzimet e të huajve dhe të strukturave të NATO-s, që kanë parë dhe shikojnë tek ky ushtarak një model të përgatitjes dhe kompletimit fiziko-moral e shpirtëror. Mësimet treguese që ai ka bërë në shkallë kombëtare për stërvitje mjaft komplekse, të cilat janë bërë shkolla që lypsen ndjekur nga të gjithë kuadrot oficerë do të mbahen mend gjatë nga ata që kanë punuar ose kanë dëgjuar për rezultatet e nënkolonel Hasmetës. N/kolonel Hasmeta është i certifikuar sistematikisht, çdo 3 vjet nga Drejtoria e Përgjithshme pranë Kryeministrisë e Informacionit të klasifikuar Sekret shtetëror dhe të NATO-s, niveli me i lartë “C” plus “N” për të pasur të vërtetuar si ushtarak pastërtinë e figurës së tij deri ne vitin 2012. Ka qenë në oponencë me vartësit dhe drejtuesit për mangësitë e tyre, ka vlerësuar individët për kurajën civile dhe vlerat intelektuale. Gjithashtu, nënkoloneli ka kërkuar të rejat shkencore të profesionit dhe i ka praktikuar në punën e përditshme. Veprimtaria e nënkolonel Hasemtës është efikase, plot pasion dhe rezultate dhe në fushën e sportit, ku ka qenë trajner Qitjes i kategorisë së parë sportive, pranë ish Klubit sportiv “31 Korriku” Burrel, 1983-1993, rezultativ si sportist deri në nënkampion Evropë në Marsejë të Francës. Jashtë kohës efektive të punës, lirohet më 1993 padrejtësisht nga Forcat e Armatosura për incidentin e ndodhur me ish Ministrin e Mbrojtjes gjatë grevave me minatorët e Bulqizës. 
Shoqëria shqiptare, politika dhe shteti, intelektualët dhe elita kombëtare, që ditë e natë “qajnë” për mungesë të idealistëve, që thonë se në këtë vend po vritet shpresa etj, nuk i kanë dhe aq të shumtë njerëzit, ushtarakët dhe intelektualët si Skënder Hasmeta. Ndaj ata duhen vlerësuar, nderuar, dekoruar; në mungesë të shpërblimeve materiale, të paktën t’iu jepet shpërblim moral dhe të mos na dhimbset fjala e mirë dhe gjesti i drejtë shtetëror për njerëz të tillë, që vështrojnë përtej hundës së tyre. N/kolonel Hasmeta dhe efektivi i tij që u përballën me paranojat kriminale të një kohe tepër të vështirë, duke sakrifikuar shumëçka, të rrezikuar deri me jetën e tyre, duhen vlerësuar; Presidenti ynë i nderuar që nuk lë rast pa shpërndarë tituj e dekorata dhe mirë bën, mund të kujtohet për këtë ushtarak elitar dhe efektivin e tij, që mbajtën gjallë shpresën në një situatë të vështirë. Këtë mund ta bëj dhe ministrja Kodheli dhe të gjithë ata që e kanë për detyrë të ngjallin shpresën tek fuqia dhe morali i shtetit, duke përkrahur dhe inkurajuar kuadro dhe intelektualë të drejtë e të moralshëm, si nënkolonel Hasmeta. 
Nga Gëzim LOKA

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 20.01.2016
Sigal