Sizmologët: Grataçelat e ndërtuara në bregdet paralajmërojnë tragjedi

1029
Sigal

Situata më kritike në Golem, Shkëmbin e Kavajës ka qindra pallate janë mbi 8 kate. Situatë rreziku dhe në Vlorë e Lezhë

Specialistët e Urbanistikës në Durrës, japin alarmin lidhur me ngritjen e pallateve mbi 8 -katësh në zonat bregdetare, pasi sipas tyre, një ditë mund të ngjasë katastrofa. Përgjatë plazhit dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës shihen pallate mbi 10 kate të ngritura prej vitesh, me leje të rregullt ndërtimi nga KRRT-ja. Kjo mbetet e rrezikshme nga pikëpamja ndërtimore dhe urbanistike, por edhe për ambientin. Ka një numër i madh ndërtesash të ndërtuara përgjatë bregdetit dhe kodrave të Durrësit, të cilat rrezikojnë për shkak të formacionit të rrëshqitshëm e terrenit të ndërtimit të tyre, pa projekte inxhinierike. Sipas sizmologëve, zona më sizmike është Durrësi ose më saktë zona pranë bregdetit, duke filluar nga Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Vlora…

 SKUALIFIKIMET E ALUIZNI-t

Por edhe ALUIZNI, pas një studimi të kryer skualifikoi një numër të madh prej këtyre banesave nga procesi i legalizimit. Kodrat e Durrësit, të cilat shtrihen në një vijë prej 7.5 kilometrash, përbëhen nga formacione toke të krijuar nga shtresa dheu të butë dhe të pastabilizuara, të cilat krijojnë vështirësi për ndërtime e megjithatë, përgjatë tyre, pas viteve ‘90 e në vazhdim janë ndërtuar afro 5 mijë banesa pa leje. Durrësi ka të evidentuara mbi 140 pallate dhe qindra shtëpi banimi, të cilat kanë pësuar dëmtime të strukturës së tyre, të cilat manifestohen me çarje muresh dhe me deformime të konstruksionit të tyre. Ato ndërtesa ndodhen përgjatë kodrave të qytetit dhe lagje të ndryshe të tij pa përjashtuar plazhin. Sistemi kodrinor zgjatet nga qendra e qytetit dhe përfundon në Porto Romano. Shtëpitë janë pjesë e numrit gjigand të ndërtimeve pa leje të ndërtuara pas viteve ‘90 në Durrës.

SHOQATA E ARKITEKTËVE

Sipas një vëzhgimi të realizuar nga Shoqata e Arkitektëve Durrës, më të rrezikuarat janë ndërtesat e ngritura përgjatë faqeve të kodrave pasi bazamentet e tyre janë të pastabilizuara, si dhe zonat në bregdet. Të gjithë pronarët e këtyre ndërtimeve kanë aplikuar për t’i legalizuar ato, por ligjërisht ato duhen parë dhe kontrolluar. Edhe pse banesat e ish-Kodrës tek Vila e Zogut, nuk janë miratuar ende si një zonë informale, specialistët e ALUIZNI-t, kanë studiuar pjesën më të madhe të banesave dhe kanë evidentuar banesat më problematike. Në bazë të këtij studimi rezultojnë dhjetëra shtëpi që rrezikojnë ekzistencën e tyre. Ato kanë pësuar plasaritje të mureve dhe deformime të kolonave që mbajnë banesat për shkak të shkarjes së dherave. Nga ky proces janë përjashtuar për legalizimi edhe dhjetëra banesa të ngritura pasi kanë bllokuar kolektorin e ujërave të larta.

ALARMI I SPECIALISTËVE

Sipas specialistëve të ndërtimit, “shkaqet më kryesore prej të cilave banesat kanë pësuar dëmtime të rrezikshme, është ndërtimi pa kryer studimin gjeologjik të trojet mbi të cilat janë ngritur dhe ndërtimi pa projekte”. Pjesa më e madhe e objekteve, të tilla janë ngritur nga ndërtues amatorë të pa licencuar për këtë aktivitet. Sipas urbanistëve në Durrës, të cilët e njohin mirë strukturën e kodrave dhe bregdetit, ndërtimi i këtyre objekteve duhej të ishte realizuar me pilota të thella deri në 14 metra, për të evituar deformimet e kolonave. Specialistët afrojnë si zgjidhje emergjente, së pasi, verifikimin e godinave shumëkatëshe e përcaktimin e atyre që janë me rrezik. Mbi këtë bazë, të bëhen investime shtesë ku janë mundësitë, ndërsa të tjerët të prishen(katet me rrezik) në mënyrë që të mos kërcënohet jeta e  njerëzve nga katastrofat natyrore.

NDËRTIMET NË BREGDET

Jo vetëm në Durrës, por dhe në bregdetin tjetër të Shqipërisë, përkatësisht nga Vlora në Shkodër, pallatet shumëkatëshe të ndërtuara mbi rërë (me e pa leje) vazhdojnë të paraqesin rrezik nga ndonjë goditje e mundshme sizmike. Sipas specialistëve, shumë nga këta pallate shumë kate se sa kanë marrë leje apo pranohen në kondicionet teknike. Po ashtu, ndërtimi shkel e shko, lënda e parë e cilësisë së dobët, moszbatimi i largësisë nga njeri-tjetri, rrezikojnë të bëhen gërmadhë nga tërmetet e mundshme.

 Durrësi dhe rrethinat, ‘kryeqyteti’ i tërmeteve

 Sipas sizmologëve, zona bregdetare e Shqipërisë në përgjithësi, veçanërisht ajo e Durrësit, njihet si zonë me rrezikshmëri sizmike. Nisur nga tërmetet e regjistruar, Durrësi quhet dhe “kryeqyteti i tërmeteve”. “Zona më sizmike është Durrësi ose më saktë zona pranë bregdetit, duke filluar nga Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Vlora”,-  konfirmojnë specialistët. Po sipas specialistëve, ndonëse tërmetet janë të shumta në kohë, ato përgjithësisht nuk i kalojnë 3 apo katër ballë. Por nisur nga ndërtimet e shumta deri në më shumë se 10 kate mbi bazamentin e rërës, shpesh pa lejë e jashtë kondicioneve teknike, rreziku për katastrofë është real. Veçanërisht, ky rrezik është shumë më i madh në rast të një tërmeti me amplitudë të lartë. Njëkohësisht, sizmologë të njohur kanë dhënë dhe fakte të pasojave të tërmeteve të fuqishme që kanë rënë në Durrës e në zonat e tjera bregdetare të vendi. Sipas tyre, Durrësi është prekur rëndë në historinë e tij të gjatë nga tërmetet, sidomos në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Sipas sizmologëve, tërmeti i fundit ka shënuar 25 mijë viktima në atë kohë dhe ka shkatërruar plotësisht qytetin. Duke marrë parasysh vendosjen sizmotektonike të Durrësit, në bregdetin e Adriatikut, mund të thuhet se paraqesin interes dy tërmete të mëdha: tërmeti i Durrësit i 17 dhjetorit 1926 (M = 6,0-6,3, Io = IX) dhe tërmeti i 15 prillit 1979 Shqipëri -Mali i Zi (Ms = 6.8, Io = IX +). Ndër tërmetet më të fuqishme në Durrës, sipas dokumenteve, është ai i korrikut të vitit 1273. Thuhet se anë natë tërmeti të fuqishëm, ndodhi gjëma. Pothuajse një ditë të tërë, zhurma shurdhuese vazhdoi pa ndërprerje. Asnjë prej ndërtesave nuk mbeti pa u prekur. Ato u shembën mbi njëra-tjetrën dhe ndonjë ndërtesë që ndodhi t’i kishte shpëtuar fatit të shkatërrimit, u shtyp nga rënia e të tjerave… Viktimat nuk kishin të numëruar..