Sistemi Bankar 2018

924
Sigal

Nga Fatos Çoçoli

Viti bankar 2018

Në vitin që sapo lamë pas, shumica e 14 bankave të nivelit të dytë, ato tregtare patën tregues të mirë në hua të dhëna dhe nivel depozitash nga qytetarët dhe bizneset, duke dalë në tërësi me fitim. Kjo shpresohet t’u japë zemër bankave të rrezikojnë më shumë për këtë vit dhe të rrisin kreditimin. Performanca e bankave tregtare ndoqi atë të ekonomisë sonë, e cila vijon të përfitojë nga ecuria pozitive e partnerëve tanë kryesorë; Italisë, Greqisë, Gjermanisë dhe Austrisë. Megjithatë, bankat dhanë hua ende nën kapacitetet e tyre. Tensioni politik, pasiguritë në disa sektorë dhe tregje të brendshme të vendit i kanë bërë bankat hezituese ndaj huadhënies. Kjo, megjithë përpjekjet e vazhdueshme te Bankës së Shqipërisë për të nxitur kreditimin, sidomos atë në monedhën tonë, lekun. Ndërkohë, banka jonë qendrore e nxiti rritjen ekonomike të vendit dhe performancën e bankave tregtare, nëpërmjet një politike monetare të kujdesshme, duke mbajtur mjetin kryesor të saj, normën e interesit të parasë në nivele shumë të ulta, për të stimuluar kredidhënien. Dhe në fakt, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018, huatë janë rritur me mbi 4.5 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Banka qendrore është kujdesur të fusë vazhdueshëm para në tregun e brendshëm financiar. Beteja me e madhe e saj per vitin 2018, e kurorëzuar me ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve, eshte ajo kundër forcimit të skajshëm të lekut, në krahasim me euron. Janë 116.5 milionë euro të blera nga Banka e Shqipërisë vetëm për tremujorin e tretë korrik-shtator 2018, për të mos lejuar rënien me vërtik të euros në krahasim me lekun. Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit. E pastruar nga efekti i kursit dhe nxjerrja e kredive jashtë bilancit, huadhenia për sektorin privat u rrit me 4.9% dhe 4.5%, përkatësisht gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt tetor-nentor 2018. Normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar po ashtu ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar qendrueshmerine e sistemit financiar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 12.7% në muajin nëntor, duke ilustruar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të sektorit bankar. Së fundi, ndërhyrja e përkohshme në tregjet valutore ka pakesuar levizjet e forta te ofertës dhe kërkesës për valutë, duke qetësuar funksionimin e tregut valutor. Rritja e kreditimit, lehtësimi i barrës financiare të kredimarrësve dhe reduktimi i luhatjeve të kursit të këmbimit, kanë inkurajuar konsumin, investimet, rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit, duke krijuar premisa për nje vit bankar 2019, akoma më kreditues për qytetarët dhe ekonominë, duke rritur qëndrueshmerinë dhe kapitalizmin (shtimin e kapitalit) të bankave tregtare. Kjo ecuri pritet të mbështetet nga ecuria pozitive e Eurozonës dhe partnerëve tanë të tjerë tregtarë e financiarë, nga mjedisi nxites monetar dhe financiar në vend, si dhe nga qetësimi i presioneve mbi kursin e këmbimit lekë-euro. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë me kujdes ecurinë e kursit të këmbimit dhe mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet që ka në dispozicion për të shmangur forcimin e kursit të këmbimit në nivele që rrezikojnë qëndrueshmërinë e çmimeve, levën e Arkimedit ku mbështetet rritja jonë e qëndrueshme ekonomike.