Si u detyrua Foto Çami të duartrokiste Kadarenë, në nëntor 1990

668
-Faqe nga ditari- 

Nga data 1-3 nëntor 1990 u mbajt “Konferenca e Talenteve të Reja” në qytetin e Korçës. Nga Saranda ishim 15 delegatë, ku nuk mungonin edhe talente nga dy shkollat e mesme të qytetit, gjimnazit dhe ndërtimit, si dhe nga shkolla të rrethit. Na kryesonte ish-kryetari i degës së lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Sarandës, poeti Niko Kacalidha. Era e liberalizmit në atmosferën politike kishte filluar të frynte dhe ngjarje të rëndësishme e tronditëse për sistemin diktatorial kishin ndodhur atë vit si hapja e ambasadave dhe arratisja për kërkesë të azilit politik nga shkrimtari Ismail Kadare. Sistemi dukej se qe në përpëlitjet e fundit, por ende përpiqej të mbijetonte apo të fitonte kohën për të instaluar instrumentet e tij në ardhmërinë e ndryshimit të sistemit politiko-ekonomik të Shqipërisë. Dhe ja doli më së miri. Po le të kthehemi tek konferenca e Korçës. U nisëm herët me autobus të posaçëm. Ndaluam qytet më qytet. Juglindja shqiptare natyrës së sajë po i largonte vjeshtën verdhë e të kuqërreme dhe i afronte dimrin e bardhë. Para nesh u shfaq fushëgropa e Korçës dhe Korça, qyteti më i madh i Rajonit Juglindor dhe nga qytetet më të rëndësishme e më kryesore të Shqipërisë. Një trevë shqiptare e populluar qysh në lashtësi ku lindi dhe lulëzoi qytetërimi i lashtë ilir, gjurmë që i tregojnë edhe përshkimet e korridorit 8, apo “rruga Egnatia”. Para nesh një natyrë e larmishme u shfaq si ekran filmik, një muze i madh natyror deri në magjepsje, me sistem malor, kodrinor dhe fusha, lugina të cilat ndërthuren e ndërpriten me njëra –tjetrën, qafa dhe gryka nëpër të cilat gjarpërojnë rrugët automobilistike. Një klimë e qëndrueshme karakteristike stinore me një botë të pasur bimore dhe shtazore. Shkurret kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Relievi dhe soditja e këndshme që i bënim, na bëri të mos ndjenim rrugën. Një reliev me shumëllojshmëri formash. Në prag-mbrëmje mbërritëm në Korçën e bukur e romantike. Kudo gjeje një lirizëm dhe një sjellje qytetare të admirueshme, me plotë kulturë. Këtë e tregonin në fytyrat dhe përshëndetjet e tyre të ngrohta e dashamirëse. Një mikpritje që edhe në heshtje tregonte se Korça dhe korçarët në shekuj janë përkundur në djepin e kulturës. Rrugicat me kangjella dhe vila dy-katëshe tregonin hershmëri të traditës perëndimore e sjellë nga emigrantët ekonomikë korçarë dhe shumë intelektualë të shkolluar në shkollat e perëndimit. Gjurmët e tyre, të ruajtura me fanatizëm nga pasardhësit, tregonin më së miri shijet dhe orientimin e këtij komuniteti të serenatave nga kultura Perëndimore. Një trashëgimi me vlerë e përcjellë brez pas brezi. Pasi bëmë vizita në pikat kryesore turistike dhe historike të Korçës, ku më ka mbetur në mendje edhe sot thënia revoltuese e një krijuesi të ri nga Lezha, kur u futëm të vizitonim akademinë e Voskopojës. Një arkitekturë mahnitëse. Një potencial turistik dhe kulturor. Një ndërtesë e veçantë e shpallur “Monument Kulture” dhe ndodhet nën mbrojtjen e shtetit. Po si ka qenë në të kaluarën dhe sot?! Nuk kuptonim, nga ato që pamë se çfarë mbronte shteti kur pasurinë më të madhe e kishte shkatërruar. Pra, kur pamë afresket dhe ikonat e shkatërruara, vepra arti mesjetare që vlerat e tyre janë të papërsëritshme dhe rrallë i vijnë njerëzimit, krijuesi letrar lezhjan shpërtheu dufin e tij: “Tmerr! Ç’është ky krim që kanë bërë? Jam i bindur që këtu edhe rinoqerontët në kulmin e tyre të egërsisë të kishin hyrë e të shikonin këto mrekulli, do ishin stepur, do qenë sprapsur nga marrëzia. Por njeriu qenka më egërsirë se edhe vetë kafshët më të egra të natyrës”. Ditën e dytë Konferenca do të niste nga punimet. U ndamë në tre seksione; artet pamore, muzika dhe letërsia. Kishin ardhur personalitete dhe figura kryesore të letërsisë dhe arteve shqiptare. Tek seksioni i letërsisë qe i deleguar edhe anëtari i byrosë politike Foto Çami. Pasi foli për vlerat që ka letërsia dhe artet në frymëzimin e masave për ndërtimin e shoqërisë socialiste nën dritën e filozofisë m-l, dënoi dhe aktin e dezertimit të shkrimtarit Ismail Kadare. Pas Foto Çamit e merr fjalën Preç Zogaj, në atë kohë redaktor tek gazeta: “Zëri i Rinisë” dhe shkrimtar e poet nga më të lexuarit e kohës. Analiza e Preçit dhe sidomos politikat e mbështetjes së talenteve të reja i erdhi radha që të përmendte edhe shkrimtarin e nderuar Ismail Kadare. E papritura dhe habia pushtoi sallën kur Preçi deklaroi se qe plotësisht dakord me veprimin e Kadaresë dhe se Kadare mbetet një vlerë dhe krenari shqiptare. Në fund Preçi ftoi të pranishmit për duartrokitje në mbështetje të shkrimtarit Ismail Kadare. E gjithë salla u ngrit në këmbë me duartrokitje dhe thirrje entuziaste në mbështetje të shkrimtarit. Kjo atmosferë e elektrizuar nga ovacionet e detyroi edhe Foto Çamin të ngrihej në këmbë e të duartrokiste, duke harruar çka tha pak minuta më parë. Diktatura qe përulur. Në këtë kohë edhe seksionet e tjera qenë bashkuar me ne dhe duartrokisnin për shkrimtarin e madh. Foto Çami dhe të deleguarit e tjerë u larguan drejt Tiranës. Ditën e pasoi një mbrëmje muzikore mbresëlënëse jashtë censurës. Tamam një mbrëmje rinore me zërin e ëmbël të këngëtares Parashqevi Simaku dhe këngëtareve të tjera korçare që jepnin koncert për nderin tonë si delegatë të Konferencës së Talenteve të Reja-Korçë, 13 nëntor 1990. Salla u hap dhe shumë të rinj e të reja korçare u bën pjesë e asaj mbrëmjeje të paharrueshme. Flladi i liberalizmit tanimë qe kthyer në furtunë duke shkulur portat e kalbura të censurës në jetën e rinisë. Por jo vetëm të rinisë. Shumë shpejt do të vinte pluralizmi, madje pas një muaji Komiteti Qendror do ta shpallte pluralizmin dhe do të niste Shqipëria rrugën e saj shtigjeve të reja për në autostradat e Perëndimit. Konferenca ishte lajmëtare e protestave të ardhshme të rinisë studentore që detyroi diktaturën të shpallte dështimin e sistemit. 
Agron MEMA
Sigal