Shqipëria po mbushet me të shkolluar të paditur

759
Dr. Jorgo Mandili 

A rilindi arsimi me Rilindjen? 
Arsimi shqiptar/ Reformat formale dhe përshtattja me programet politike të qeverive për interesa të caktuara. Testimi i mësuesve, formulari i Aplikimit të maturantëve, mbyllja selektive e universiteteve private, numrin e lartë të i atyre publike, cilësinë dhe ardhmja evropiane e shkollës
“Reformat” në tranzicion. 
Pa mohuar disa arritje në arsim pas viteve ’90, duhet kuptuar se gjithçka që artikulohet dhe deklarohet si sukses nuk i përgjigjet realitetit, nuk janë rezultat i një projekti inteligjent dhe strategjie vizionare me synime të qarta dhe të një metodologjie të saktë zbatimi. Të ashtuquajturat reforma kanë qenë shpesh formale dhe asnjëherë nuk kanë prekur substancën , por më shumë kanë synuar që të përshtatin programet politike të qeverive për interesa të caktuara. Edhe liberalizimi i arsimit nuk solli as alternativat dhe as konkurrencën, atë pritshmëri të pretenduar, e cila ishte kryefjala e shumë reformave arsimore, por solli vetëm anarki , kaos dhe kolaps deri në atë shkallë sa të “vritej” dija, të lexuarit, të punuarit e mbi të gjitha, morali, ku veset u konvertuan në virtyte dhe virtytet në vese . Shqipëria u mbush me të shkolluar të paditur, sharlatanë me diplomë dhe servilë të regjimit, individë pa identitet mendor e individual; lindi tregu akademik i mbushur me universitete me programe skandaloze, studentë të pa interesuar dhe të motivuar për punë hulumtuese e kërkimore, profesorat pa historik, doktoratura “leshi”, e lidership akademik me rektorë tenderësh e bordesh. Mediokriteti dhe mesatarizimi si metastazë u përhap në të gjitha qelizat e shoqërisë, politikës, drejtësisë, shtetit, pushtetit, administratës e kudo, madje edhe në ato fusha të cilat do të ishin të pamundura në një shtet ligjor të tilla si akademizmi, shkenca, artet, kultura, ku kërkohen individë tepër të kualifikuar dhe me pretendime të larta kulturore, morale, kërkuese e hulumtuese. U shua kjo elitë, humbi roli edukativ i familjes, u denigrua figura e mësuesit. U vu kësisoj në rrezik vetë ekzistenca e civilizimit shqiptar 
01 “Reformat” e Rilindjes
Me ardhjen në pushtet të Rilindjes dhe përcaktimit të gjendjes së mjeruar të arsimit prej kryeministrit “si emergjencë kombëtare” u shpresua për ndryshime radikale, revolucionare në arsim për ta shkallmuar këtë model të përçudnuar arsimi dhe të gjitha institucionet që e mbështesnin atë. Pritshmëritë ishin të mëdha. Por çfarë ndodhi? Njëlloj si paraardhësit, me nxitim u bënë disa arnime pa prekur substancën. U trumbetuan si reforma të reja arnime të tilla si: 
• zgjedhja e drejtorëve të arsimit me konkurse show, 
• testimi i mësuesve, 
• formulari i Aplikimit, 
• reforma e teksteve, 
• mbyllja selektive e disa universiteteve private, etj… 
Pa mohuar përpjekjen për ligjin e arsimit të lartë shumë i debatueshëm dhe ende i pa implementueshëm. Gjithashtu edhe reformën në arsimin profesional, e cila ende nuk ka arritur shumëllojshmërinë, shtrirjen dhe cilësinë që kishte ky arsim në monizëm.
02 Shumëkush, pavarësisht nga niveli i arsimimit, mund të pyesë për testimin e mësuesve:
Çfarë ndryshoi testimi i mësuesve, kur nuk është e vështirë të konstatosh se ka shumë fëmijë që përfundojnë shkollën fillore dhe nuk njohin germat e alfabetit, se ata që mbarojnë 9-vjeçaren nuk zotërojnë si duhet tabelën e shumëzimt, se ka maturantë që në testimet e tyre sillen si analfabetë funksionalë? Është mëkat dhe humbje kohe të merresh me testime e rankime mësuesish, në vend që të organizosh një kualifikim serioz e emergjent, për të gjitha ato të meta e boshllëqe që kanë në formimin fillestar të tyre. Dhe jo për faj të tyre, por për faj të qeverive që dërgonin për mësuesi kontigjentet më të dobëta dhe të universiteteve, nga ana tjetër, që nuk i kushtonin rëndësi përgatitjes së tyre. Dhe më vonë përsëri për faj të qeverive që e kanë lënë kualifikimin e tyre në dorë të 475 agjencive private të pakualifikuara, ku i vetmi shërbim që bënin e bëjnë këto agjenci, është shitja e krediteve, duke u kthyer në “rrjepëse të lëkurës” së mësuesve. Mësuesit janë asete kombëtare dhe si të tillë ata nuk mund të trajtohen si subjekte biznesi. Ai duhet përgatitur, subvencionuar dhe kualifikuar nga shteti. Dhe jo si deri tani. Por me një filozofi liberale. Mësuesit duhet t’i jepet liri për zgjedhjen e materialit mësimor dhe metodave mësimore, që mund ta bëjnë punën e tyre dhe të nxënësve, të vetëdijshme dhe të gëzueshme. Me asnjë lloj rregulloreje nuk mund të arrihet kjo, sepse njeriu nuk është makinë. Kur nuk lihet i lirë të mendojë dhe punojë, ai vdes. Ja pra, krijimi i një shkolle të tillë liberale dhe përgatitja e kualifikimi i mësuesve me një filozofi të tillë, duhet të ishte një nga sfidat e reformës arsimore të Rilindjes. 

03 Shumëkush, pavarësisht arsimimit, mund të pyesë për formularin e Aplikimit të maturantëve:
– A është i drejtë në kuadrin e të drejtave të njeriut formulari i Aplikimit dhe nota mesatare, kur çdo individ që mbaron maturën pajiset me certifikatën e pjekurisë dhe është i lirë të zgjedhë rrugën e jetës së tij, si gjithë bashkëmoshatarët 18 vjeçarë në vendet e Evropës? Përse vlen gjithë ky “kalvar mundimesh” dhe sistem “kurthesh” procedurale burokratike që e orientojnë individin aty ku do qeveria? T’i japësh mundësinë fëmijës që disa gjëra t’i vendosë vetë, t’i japësh mundësinë të jetë i lirë të zgjedhë vetë universitetin, të jetë i lirë të zgjedhë vetë programin e studimit është një vlerë e jashtëzakonshme dhe edukimi më i efektshëm i individit të lirë, krijues e të pavarur, përkundrejt individit standard, pa origjinalitet e identitet individual e mendor. Ashtu si në “universitetet euroatlantike, ku studenti vendimin për degën e merr vetë, ku çdo 18-vjeçari i jepet mundësia të gjejë vetveten, të zgjedhë programin e studimit, të menaxhojë kohën dhe aftësitë e veta. Diçka që është e vështirë ta përfytyrojnë studentët tanë, të cilët janë mësuar që edhe bangën ia cakton mësuesja, edhe degën qeveria. Krijimi i një universiteti të lirë me një logjikë dhe filozofi të re menaxhimi në strukturë dhe në përmbajtje për t’i krijuar mjedisin e përshtatshëm studentëve që të bëhen aktorë të formimit të tyre profesional dhe menaxherë të aftësive të tyre intelektuale, do të ishte sfida tjetër madhore e reformës arsimore të rilindjes. 

04 Shumëkush, pavarësisht arsimimit, mund të pyesë për mbylljen e selektive të universiteteve private: 
– Përse u bë mbyllja selektive e disa universiteteve private? Vërtetë ishin e keqja më e madhe këto universitete, kur dihet se “e mira publike” që prodhojnë këto universitete është fitimi? Vallë ato që mbetën ishin më të ligjshme? Përse ky selektivitet dhe kujt i shërbeu përpos pronarëve të tyre? Mos vallë beson kush, se pronarët e këtyre universiteteve janë kaq filantropë, saqë për hir “të ndjenjave fisnike për dituri”, fitimin e investojnë për të “mirën publike”? Faktet dhe e vërteta tregojnë të kundërtën. ” Aradhat” e universiteteve dhe shkollave private janë biznese të pastra dhe për rrjedhojë edhe “rrjepës” të prindërve të nxënësve dhe studentëve që i frekuentojnë ato. Ata janë” cilësorë” vetëm në…. reklama. Sepse, në qoftë se do të ishin kaq”cilësorë” realisht dhe ligjërisht, atëherë përse fëmijët e vetë pronarëve, politikanëve, deputetëve e zyrtarëve të tjerë të lartë, nuk i preferojnë këto universitete me “standarde evropiane”,me “profesorë të huaj”, me diploma që “njihen në Evropë”, që e kanë të “garantuar vendin e punës”? Por i “degdisin” fëmijët e tyre nëpër universitete të tjera? Kudo qoftë, veç të jetë jashtë Shqipërisë! Mos vallë nuk e kuptojnë të “mirën që e kanë tek dera e shtëpisë, kur janë të” aftë “të kuptojnë se si të pasurohen me” teserën e partisë “?! Mos më keqkuptoni. Nuk se jam kundër universiteteve dhe shkollave private. Por “gjella me kripë dhe kripa me karar”. Do t’u përuleshim me respekt atyre privatëve që do të prodhonin një produkt e shërbim më cilësor se publiku dhe do të ishin në avangardë të mendimit pedagogjik bashkëkohor dhe do të shërbenin si modele të arsimit të lartë. 
05 Shumëkush, pavarësisht arsimit që ka, mund të pyesë për numrin e lartë të universiteteve publike: 
– A janë të nevojshme kaq shumë universitete publike në vendin tonë, ekzistenca e të cilave do t’i përgjigjej një popullsie 20-30 milionëshe? A duhen dërguar kaq shumë individë si deri tani në Universitet? A e kanë prirjen të gjithë këta individë për studime të larta? A e zgjidh mesatarja apo formulari i aplikim – regjistrimit këtë problem? A ka profesione që për hir të theksimit praktik nuk meritojnë studime universitare apo profesione “ekselente” që nuk mund të ushtrohen në vendin tonë? 

Të gjitha qeveritë gjatë këtij tranzicioni janë tallur dhe janë sjellë të papërgjegjshëm me hapjen e universiteteve publike. Dihet, se për interesa klienteliste, elektorale, politike, krahinore etj. Dhe sot janë bërë fiks 12 “universitete” publikë, që për një shtet kaq të vogël si i yni, me një buxhet modest, a mund të pretendohet se në këto universitete investohet intelekt dhe qytetari? Kurrsesi! Atëherë përse vazhdohet e njëjta tallje, por me kozmetikë rilindëse? Kjo është, në mos tallje dhe mashtrim, më e pakta – utopi. Kësisoj ristrukturimi i universiteteve publikë drejt reduktimit të tyre sipas kritereve evropiane dhe transformimi i universitetit nga konsumator në prodhues të dijeve duke iu ofruar studentit mjedisin kërkimor – shkencor sa më cilësor e fleksibël që ai të veprojë lirisht si dhe akomodimin e tij brenda një kampusi universitar ku ai të edukohet edhe si qytetar me vlerat kulturore dhe demokratike, do të ishte sfida më madhore e Rilindjes. Përpjekja e bërë me ligjin e arsimit të lartë, shumë të debatueshëm dhe i lënë pas dore e ç’orientoi më tepër arsimin e lartë dhe u shtoi agoninë këtyre universiteteve. 
06 Prandaj shumëkush, pavarësisht arsimit që ka, mund të pyeste, se kush përgjigjet për cilësinë e universiteteve:
– Si ka mundësi që AAAL, përgjegjëse për të lejuar në tregun akademik, ngrehina të tilla, të quajtura universitete që shërbejnë për… asgjë? Si mund të quhet e tillë kur në tregun akademik vegjetojnë 12 universitete të klonuara publikë me programe skandaloze, në shumicën e rasteve copy-paste dhe që nuk i përgjigjen tipologjisë së tregut të punës? A ka kapacitetet shkencore, akademike e profesionale, eksperiencë të qenësishme e serioze në çështjen e akreditimit, aq sa të justifikojnë mbajtjen mbi supet e tyre barrën e rëndë dhe me përgjegjësi për arsimin e lartë të akreditimit? Mos vallë kjo Agjenci është e dështuar? Nuk ka dyshim se i gjithë faji për këtë kakofoni universitare në tregun privat dhe universitetet e klonuara në sektorin publik, jashtë kritereve dhe standardeve evropiane, është i AAAL-së, që vetë është kthyer edhe ajo në një karakatinë, e populluar, jo me profesionistë, por me klientë, jo me njerëz të ditur dhe me eksperiencë mësimdhënëse, drejtuese, kërkimore e hulumtuese , por me djem e vajza të miqve apo familjarëve partiakë e pushtetarë. Mjafton të verifikoni CV-të dhe eksperiencën e tyre jetësore, profesionale dhe akademike. Kësisoj, Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë, çdo gjë mund të konsiderohet, por vetëm një instrument efikas për akreditimin dhe cilësinë e universiteteve, nuk mund të quhet. Kësisoj riorganizimi e ristrukturimi i kësaj agjencie me personalitet shkencore më të afta, më të moralshëm e më të përgjegjshëm, për ta kthyer atë në një agjenci serioze e të besueshme në nivelin e simotrave të saj në Evropë, do të ishte sfida tjetër madhore e Rilindjes. 
Vallë ky ishte vizioni, strategjia dhe metodologjia e përballimit të sfidave për një arsim cilësor, përkundrejt atij përçudnimi që i është bërë atij gjatë 25 vjetëve deri në atë derexhe, sa u cilësua si “emergjencë kombëtare ” nga vetë kryeministri “timonier dhe reformator”? Pritshmëritë janë larg premtimeve. Rilindja në premtimet e saj për reformimin e arsimit të lartë, “bastin” nuk e ka vënë me të shkuarën, me atë çfarë ka bërë Berisha, por me të nesërmen evropiane që troket shumë shpejt. 
Pritshmëritë janë larg premtimeve. Rilindja në premtimet e saj për reformimin e arsimit të lartë, “bastin” nuk e ka vënë me të shkuarën, me atë çfarë ka bërë Berisha, por me të nesërmen evropiane që troket shumë shpejt. 
Arsimi privat
Në qoftë se do të ishin kaq “cilësorë” realisht dhe ligjërisht, atëherë përse fëmijët e vetë pronarëve, politikanëve, deputetëve e zyrtarëve të tjerë të lartë, nuk i preferojnë këto universitete me “standarde evropiane”, me “profesorë të huaj”, me diploma që njihen në Evropë”, që e kanë të garantuar “vendin e punës”? Por i “degdisin” fëmijët e tyre nëpër universitete të tjera? Kudo qoftë,veç të jetë jashtë Shqipërisë! Mos vallë nuk e kuptojnë të “mirën” që e kanë tek dera e shtëpisë, kur janë të”aftë” të kuptojnë se si të pasurohen me “teserën e partisë”?
Arsimi publik
A janë të nevojshme kaq shumë universitete publike në vendin tonë, ekzistenca e të cilave do t’i përgjigjej një popullsie 20-30 milionëshe? A duhen dërguar kaq shumë individë si deri tani në Universitet? A e kanë prirjen të gjithë këta individë për studime të larta? Dihet, se për interesa klienteliste, elektorale, politike, krahinore etj. Dhe sot janë bërë fiks 12 “universitete” publikë, që për një shtet kaq të vogël si i yni, me një buxhet modest, a mund të pretendohet se në këto universitete investohet intelekt dhe qytetari?
Sigal