Shqipëria përfshihet nga kriza ekonomike, ulen import – eksportet në masën 50%

139

Përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit ka shënuar rënie dhe faktor kryesor për këtë situatë është kriza globale

Rënie të theksuar në masë të madhe deri në 50% kanë pësuar të gjithë mallrat e importit duke përfshirë drithërat, materialet e ndërtimit, karburantet mallrat e akcizës etj.. Të dhënat zyrtare për 6 -mujorin e parë të vitit 2012 në Portin e Durrësit flasin për ulje të theksuar jo vetëm të importit, por edhe të eksporteve drejt botës nën markën “Made in Albania”. Importi i drithërave ka pësuar një rënie të theksuar për këtë vit  nga Porti i Durrësit. Rreth 70 mijë ton grurë ose rreth 48% më pak është shënuar për 6- mujorin e parë të këtij viti. Rënie në masën të madhe ka pësuar edhe mielli e po në të njëjtën masë llogaritet edhe rënia e misrit, i cili përdoret për blegtorinë. Konfirmimi vjen nga të dhënat zyrtare të Autoritetit Portual të Durrësit, ku konfirmohet se mbi 90 mijë ton është diferenca e importit me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Rreth 50% llogaritet edhe rënia e eksporteve të produkteve “Made in Albania”. Përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit ka shënuar rënie dhe faktor kryesor për këtë situatë është kriza ekonomike globale, e cila ka prekur vendet e rajonit, në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Pavarësisht se ka  rritje të mallrave me kontenierë, ky sektor këtë vit ka shënuar ulje drastike në raport me vitet e shkua, ku rritja ishte mbi 40% në vit.

Shkaqet

Shkak i kësaj rënie të importit, i cili ka dhe peshën kryesore në ekonominë kombëtare, duket se është rritja e prodhimit të brendshëm, por nuk përfshihet edhe faktori i krizës ekonomike botërore, i cili ka prekur në masë të madhe të gjitha vendet e rajonit, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Për Autoritetin Portual të Durrësit arsyet e kësaj rënieje të shpejtë janë të ndryshme, ku një pjesë i faturohet krizës ekonomike botërore. Shkaqet janë nga më të ndryshmet për çdo artikull. Nëse do të ndalemi tek drithërat, tregu vendas i drithit ka përballuar me sukses kërkesën nga fermerët vendas. Prodhimi ka qenë në rritje, por një pjesë është transportuar edhe në linjë hekurudhore nga pika kufitare me Malin e Zi. Përsa i përket materialeve të ndërtimit çimentoja ka pësuar rënie për shkak të fabrikës së Fushë-Krujës, e cila plotëson në masë të madhe kërkesën e tregut vendas, por rënie ka edhe skrapi apo mallra të tjera. Gruri, i cili është edhe baza ushqimore për Shqipërinë në 90 % të tij vjen nga Ukraina, e cila është edhe një prej eksportueseve më të mëdha të këtij produkti.

Shënon rënie edhe transporti ujor

Këtë vit transporti ujor me tragete pavarësisht se, ka ulur në masën 30% tarifat dhe çmimet e biletave ka pësuar një stopim dhe ulje që vjen nga muaji në muaj sipas të dhënave zyrtare, por në të njëjtën linjë është edhe transporti i mallrave me anije. 134 anije më pak se viti 2008 janë përpunuar në Portin e Durrësit duke ndikuar dukshëm në rënien e ekonomisë.

Ulet kërkesa për minerale

Në të gjithë botën kriza ekonomike ka bërë që të bjerë kërkesa për minerale. Me mijëra ton gjenden në kalatat e porti për shkak se në bursa çmimi ka rënë dhe kjo ka sjellë bllokimin e këtij produkti nga vendi ynë, i cili është edhe eksportuesi i tretë në nivel botëror i mineralit të kromit. Kriza që ka përfshirë të gjithë botën ka në vendin tonë një ndikim të dukshëm sidomos tek eksporti i mineraleve.