“Shqipëria e Madhe”, Daçiç: BE toleron shqiptarët, Lavrov: Thirrjet për gjakderdhje

517
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka zhvilluar një takim me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, ku temë diskutimesh janë bërë edhe deklaratat për “Shqipërinë e Madhe”. Gjatë fjalës së tij, Daçiç ka shtruar pyetjen se “çfarë do të ndodhte nëse të gjithë serbët bashkohen në Evropë nën flamurin evropian. Më tej Daçiç është shprehur se Brukseli është duke dhënë angazhim të dobët në lidhje me sjelljet e shqiptarëve. 

“Brukseli nuk mendon se sjellja e shqiptarëve është problem, përkundrazi ata e tolerojnë sjelljen e tyre. Terrorizmi në regjion duhet të luftohet, dhe deri tash mbi këtë çështje kemi parë reagime të dobëta nga BE-ja dhe institucionet e saj. Serbia nuk është e interesuar të ndërhyjë në çështjet e brendshme politike të Maqedonisë, por vendet e rajonit, BE-ja dhe Rusia duhet të jenë të interesuara për stabilitet”, ka thënë Daçiç. 

Nga ana e tij ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se incidentet e fundit në Maqedoni dhe situata në Kosovë nuk japin kurrfarë optimizmi. Shqetësuese, sipas tij, janë edhe dëshirat e udhëheqjes shqiptare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.  

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, që përmes pranisë së tij në Ballkan, t’iu kushtojë vëmendje të veçantë këtyre tendencave shqetësuese, e veçanërisht shprehjes së qartë të terrorizmit. Thirrjet për “Shqipërinë e Madhe” janë thirrje për gjakderdhje të re në Ballkan. Asnjë politikan i arsyeshëm nuk mund të qëndrojë gjakftohtë ndaj këtyre thirrjeve”, deklaroi Lavrov.
Sigal