Shpenzime marramendëse dhe ‘qoka’ me paratë e shtetit

224

Kryetari i Qarkut, dje doganier, sot kryetar i PS-së, edhe biznesmen i suksesshëm

Ajo çka po ndodh me paratë e shtetit në Qarkun e Durrësit, pa frikë mund të quhet “abuzim i pastër me paratë e shtetit”. Shpërdorime marramendëse, shpenzime të pajustifikuara, qoka me paratë e shtetit dhe lidhje kontratash dhe marrëveshjesh për bizneset e veta. Kryetari Qarkut të Durrësi, është edhe kryetar i PS-së i qytetit, por edhe biznesmen i suksesshëm. Kjo është arritur falë të kaluarës së tij si doganier, por edhe sot falë postit që i dha partia, duke e bërë titullar. Alfred Mullarai që sot është kryetar Qarku në Durrës, vjen pas një karriere të “pasur” si doganier, veprimtar socialist, por edhe duke ngritur ngadalë edhe bizneset e veta, të cilat ai po i lulëzon duke përdorur autoritetin e tij, tarafin dhe duke shpërdoruar detyrën. Burime shumë të sigurta nga PS e Durrësit dhe Qarku bëjnë me dije se, “zoti Mullarai bashkë me shefin e kabinetit të tij njëherësh dhe juristi i qarkut Thanas Liti, janë çifti që kanë sjellë në atë institucion nepotizmin, por edhe rrjetin klanor të korrupsionit, emërimet skandaloze dhe të paligjshme si dhe frymën e keqe të ndërtimit të marrëdhënieve konfliktuale me biznesmenët dhe krerët e institucioneve të tjera vendore. Duke kujtuar se është akoma në Doganë, Kryetari i Qarkut të Durrësit, e harxhon kohën duke u kujdesur për bizneset e tij dhe udhëtimet jashtë shtetit me para qyl, se sa për të reformuar institucionin, për të konfiguruar problematikat që janë të shumta apo për të nxitur dhe thithur nga qeveria mbi bazën e projekteve reale, investime dhe fonde. Qarku sot është institucioni më inekzistent në Durrës, ku mungon jo vetëm roli i kryetarit, por edhe sektorëve dhe strukturave të tjera vartëse. Qarku është institucioni më apatik dhe më informal me një strukturë administrative skandaloze, e cila vetëm produktive nuk është. Qarkut të Durrësit sot i mungojnë specialistët, janë flakur profesionistët dhe vendin e tyre e kanë zënë të paaftët dhe mediokrit. Qarku sot nuk ka asnjë projekt serioz dhe ambicioz, por edhe afatgjatë lidhur me investimet në turizëm, për ta parë atë si sektorin më fitimprurës për nxitjen e biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Qarku sot është kthyer në vendstrehim, ku mblidhet celula e Mullarait dhe mendohet për interesat e tij, udhëtimet e tij jashtë shtetit, apo edhe bizneset e tij. Zyra e kryetarit gjithmonë do të jetë e mbyllur për qytetarin, për biznesmenin, për drejtuesit e tjerë të bashkive dhe komunave të qarkut, pasi Mullarai ose është jashtë shtetit ose nuk i pret ata duke u nxjerrë tek dera e institucionit shefin e kabinetit Thanas Litin për “sqarime”. Institucioni Qarkut të Durrësit duhet me urgjencë të çbunkerizohet, të marrë formën dhe konfiguracionin e duhur ligjor, të çlirohet nga klanet nepotike dhe celula e korrupsionit që e ka mbërthyer prej një viti. Qytetari durrsak, biznesmeni durrsak dhe çdo zyrtar tjetër, komunar apo bashkiak, duhet të gjejë tek institucioni Qarkut derën e hapur, titullarin bashkëpunues dhe jo derën e mbyllur dhe drejtuesin harbut dhe abuzant. Situata në të cilën ndodhet ky institucion duhet të shkundë dikasteret qeveritare për të menduar seriozisht reformimin e Qarkut të Durrësit, për t’i kthyer atij dinjitetin dhe imazhin e mirë, pasi ai është fytyra e shtetit dhe zbatimit të ligjit kushtetues.

Në numrat e ardhshëm ne do ju bëjmë publike pasurinë,të ardhurat, tatimet e paguara nga të ardhurat e bizneset dhe a rakordo në përqindja e paguar në tatime me shumën reale të cilat janë shpenzuar për biznese dhe udhëtime, blerje, shpenzime etj..