“Shëndetësia falas” BB: Familjet shqiptare paguajnë 380 mln dollarë për kurim

546
Sigal

Familjet shqiptare paguan mbi 380 milionë dollarë për t’u
kuruar nëpër spitalet e vendit gjatë vitit 2014. Shifra bëhet publike nga Banka
Botërore, e cila sqaron se shpenzimet nga xhepi të familjeve shqiptare kanë
vazhduar me të njëjtin ritëm edhe dy vitet pasuese duke nxjerrë zbuluar
premtimin e gënjeshtërt të qeverisë për shëndetësi falas.

Madje, të dhënat, të cilat janë
publike në faqen zyrtare të Bankës Botërore, tregojnë se qeveria jo vetëm që
nuk i ka lehtësuar familjet nga kostot e kurimit, por i ka detyruar ato të
shpenzojnë më shumë nga xhepi nëpër spitalet e vendit, private apo publike
qofshin këto.

Shifrat

Shpenzimet totale për shëndetësinë
në Shqipëri arrijnë në rreth 80 miliardë lekë në vit, duke përfshirë fondet që
jep buxheti, por edhe pagesat që kryejnë familjeve nga xhepi.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria
është një nga vendet me nivelin më të lartë në botë të shpenzimeve nga xhepi
për shëndetësinë. Më konkretisht, gati gjysma e shumës prej 80 miliardë lekësh
që shpenzohet në total për shëndetësinë në shqipëri, vijnë nga pagesat direkte
të familjeve dhe vetëm gjysma mbulohet nga buxheti i shtetit.

Në vitin 2013, kur qeveria erdhi në pushtet me premtimin
për të ofruar shëndetësi falas për qytetarët, pesha e shpenzimeve nga xhepi që
kryenin familjet ishte 49.7 për qind e shpenzimeve totale. Por një vit më vonë
shifra u rrit në 49.9 për qind, ndërsa kontributi i buxhetit u ul nga
51.3  për qind në 51.1 për qind.

Falas, vetëm konçesionet

Ofrimi i shërbimit shëndetësor
falas ishte një nga premtimet më të forta të partisë socialiste në zgjedhjet e
vitit 2013. Sipas Edi Ramës, qeveria e tij do të garantonte që të sëmurët të
kuroheshin pa paguar para nëpër spitale duke bërë që shërbimi shëndetësor të
ishte i vlefshëm për të gjithë, përfshirë të varfrit.

Por siç tregojnë shifrat e Bankës
Botërore, familjet shqiptare paguajnë shifra marramendëse nga xhepi për t’u
kuruar në spitalet e vendit, publike apo private qofshin këto. 

Të vetmet shërbime që qeveria ofron
falas, janë ato të konçesioneve që qeveria ka transferuar tek kompanitë
private, si check up-i, sterilizimi dhe shërbimi hemodializës.

Industria e konçesioneve vazhdon të
zgjerohet duke siguruar fitime marramendëse për kompanitë private të
përzgjedhura nga qeveria. Por kjo nuk i ka lehtësuar shpenzimet për kurim të
familjeve shqiptare, përfshirë atyre në nevojë, të cilat në shumë raste nuk
kanë akses në shërbimin shëndetësor.