Sfida dhe skandale në bllokut të vilave të byrosë politike në Pogradec

1875
Bardhyl Berberi 
Dikur ato ishin vila hijerënda të zhytura në një luks të jashtëzakonshëm ku dëgjoheshin të lehurat e qenve të fisëm të racës, dëgjohej trokitja e gotave të kristalta nën dritën vezulluese të shandanëve të artë, muzika magjike e Bitëllsave që ishte privilegj vetëm për” ATA” njerëzit e mbyllur dhe misteriozë. Në këtë luks të vilave shëtiste Zeus i cili pasi bënte shëtitjen buzë liqenit mes plantacioneve të pafund me karafila më pas qëndronte poshtë mështeknës së famshme që më shumë se sa studionte meditonte dhe thurte plane dhe kurthe për shokët e tij që pasi hante një drekë apo shkëmbente një mendim ata më pas i prisnin prangat dhe internimet. Vilat hijerëndë buzë liqenit, pretendonin se kishin shkëlqim dhe ndershmërinë ,të paktën kështu pretendonin dhe betoheshin banorët e tyre se shkriheshin për popullin për hallet e tij më pas mbylleshin brenda kangjellave të vilave dhe populli ngelej tutje si hije… i zhytur në mjerim dhe gjithçka e kishte të racionuar me tollona !
Aty gjithçka ishte ndryshe 
Një batalion i tërë grupesh shoqërimi angazhohej për bllokun e vilave. Shoku… lodhet një qengj pirës për shokun, plantacioni i luleshtrydheve brenda bllokut, verë dhe raki speciale… Shoku është i sëmurë kërkon kos stani për gjithë natën, udhëtonin makinat në drejtim të staneve të Homezhit. Mbesat duan misra të pjekura, nisej furnitori dhe oficeri i sigurimit dhe gjithçka ishte kryer… Një ditë duke udhëtuar së bashku me gjyshin nga vilat për në rezidencën tjetër në Drilon njëra mbesë shikon një gomar duke kullotur buzë rrugës. Kërkoi të ndalojë makina dhe të hipte në gomar. Gjyshi e qetëson mbesën se gomarin do ta sillnin në vilë dhe atje do të shëtiste sa herë të donte. Ia morën fshatarit nga Tushemishti gomarin që e përdorte për dru dhe e futën brenda bllokut të vilave. E lanë gomarin me shampo disa herë dhe e ushqenin me sheqer dhe me vafer. Më pas shëtisnin në parkun prej 20 hektarësh që ndodhej brenda bllokut. Kur erdhi shtatori banorët e vilave shtegtuan në drejtim të Tiranës. Edhe gomari iu kthye të zotit. Por i zoti filloi ta ushqejë si më parë me bar, por gomari donte ushqimin e vilës dhe ngordhi.
Tre sfida
Enveri gjatë gati 30 vjetëve që pushonte në Pogradec është përballur me tre sfida të cilat ia kanë helmuar pushimet në Pogradec. Sfida e parë ka ndodhur më 3 korrik 1975 kur një familje pogradecare Fezollari me 16 persona kalon liqenin me një varkë primitive dhe arratiset në Maqedoni dhe më pas largohet për në Australi. Këtë arratisje diktatori e quajti si fyerjen më të madhe që iu bë atij në kohën që ai ishte me pushime. Ç’është ky atentat kaq i frikshëm dhe injorant që më bëhet mua, u tha Ai drejtuesve kryesorë të rrethit. Kryqëzata sajoi lloj lloj versionesh për arratisjen e familjes Fezollari, sikur kishin ikur me një nëndetëse kjo bëhej për tu shfajësuar, por Zeusi figurat kryesore të rrethit i ndëshkoi duke i kthyer në kukulla kartoni dhe ata lanë karriget. 
Sfida e dytë
Kjo sfidë ndodhi në gushtin e vitit 1978. Në periudhën që vendi ishte i blinduar nga forca speciale të Ministrisë së Brendshme, kur liqeni ruhej me silurues kur përreth vilave ishte vendosur një artileri e rëndë një turist i huaj suedez që pushonte në Ohër me një skaf personal del në breg të liqenit në afërsi të turizmit dhe pasi ankoron skafin në breg futet në lokal dhe kërkon një kafe. Edhe në këtë rast Ai ndërpreu pushimet urgjent tepër i zemëruar duke bërë kokë turku Zv. Ministrin e Brendshëm të asaj kohe Raqi Ifticën, i cili merrej me sigurimin e udhëheqjes së lartë. Në ikje e sipër u thotë titullarëve të rrethit si nuk e kuptoni se pse po i ndërpres pushimet unë? Nëse ai turisti i huaj do të kishte dalë disa qindra metra nga ana e djathtë ai do ta kishte pirë kafen me mua në vilë ky është një turp për ju.
Sfida e tretë
Kjo sfidë ka ndodhur më 13 gusht 1978 Zeusi ishte duke ndjekur një koncert folklorik në stadiumin e qyteti në një prani të jashtëzakonshme njerëzish. Koncerti ishte madhështor. Pjesa dërrmuese e këngëve ishin për Zeusin. Njëra prej tyre e emocionoi shumë dhe u ngrit në këmbë duke tundur dorën sipas ritmit. Në disa vargje thuhej: Pogradeci ynë në buzë të kufirit, mban në gji Enverin si nëna të birin… Ekzaltimi i Zeusit ishte i madh… Mirëpo thotë populli çfarë sjell minuta nuk sjell shekulli. Pas pak ditësh në atë stadium ku u dha koncerti një dorë kishte shkruar “Poshtë diktatori Enver Hoxha”. Policia në mesnatë merrte nga shtrati qindra njerëz për ti “pyetur” të dyshuarit. Ulërinte lagjja në afërsi të degës nga klithmat e të dyshuarve pasi I rrihnin në oborr me bishta lopatash. 
Si e kuptonin njerëzit kur vinte dhe kur ikte Enveri ?
Pogradecarët e kuptonin menjëherë kur vinte Zeusi në Pogradec. Vetëm një javë para se të vinte Enveri në Pogradec në malin e qytetit montohej një antenë e cila vinte enkas nga Tirana në Pogradec për të kapur stacionet italiane, kuptohet për bllokun e udhëheqjes. Por këtë privilegj e kishin edhe qytetarët pogradecarë të cilëve u hynte sinjali stacioneve italiane nëpër TV dhe atë ditë që largohej Zeusi televizori nuk kishte stacion italian, Zeusi ishte larguar nga Pogradeci së bashku me stacionet televizive. Tashmë atyre u mbetej të shikonin vetëm Tiranën. 
Shkrimtari turk gjatë vizitës në Pogradec: “Pse gënjeni ju paskeni baza të huaja në Shqipëri”
Shkrimtari i madh turk Hazis Nesin gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, bëri edhe një vizitë në Pogradec. Makina ecte përgjatë liqenit duke e çuar për në Drilon kur papritur devijon në një rrugë tjetër. Shkrimtarit turk i pëlqeu bregu dhe pyet përnjëherësh çfarë ndodhi pse ndryshuam rrugën. Nuk lejohet këtej thonë shoqëruesit, ndërkohë në mes të bulevardit është shfaqur një ushtar garde me armë. “A… e kuptova”, thotë shkrimtari turk, kjo qenka bazë e huaj. “Jo”, e kundërshtuan shoqëruesit. “Ne nuk kemi baza të huaja kjo është rezidencë e udhëheqjes së lartë”. Dhe vërtet kjo ishte një bazë e huaj ku nuk shkelte këmbë njeriu pjesa më e bukur e qytetit dhe e plazhit në një gjatësi prej 3 km dhe një park prej 20 ha ishte vetëm pronë e tyre. Ajo ka qenë nga viti 1961 deri në vitin 1993 kur u hap rruga dhe njerëzit kalojnë lirshëm…
Skandali
Pas çmendurisë së vitit 1997 vilat u shkatërruan tërësisht dhe u grabit gjithçka që kishte brenda tyre ato ngelën si skelete. Menjëherë në vitin 1998 filloj riparimi u tyre.
Madje pas u riparuan nga firma ndërtimi me tenderë të majmë. Drejtoria e Shërbimeve qeveritare filloi të sjellë orendi nga blloku i vilave në Tiranë. Kështu të gjitha pajisjet e vilës së Mehmet Shehut erdhën në vilën ku kishte qëndruar Enveri për gati 30 vjet. Dhoma e gjumit e Mehmet Shehut erdhi komplet në vilën e Hoshës në Pogradec, thotë ish drejtoresha e vilave Ibrahimi për gazetën ”Telegraf”, madje edhe dysheku ishte po ai me njollat e gjakut. E kthyem dyshekun mbrapsht dhe aty në atë dhomë gjumi “Makbethiane” ka fjetur Presidenti Berisha dhe më pas si kryeministër, Jozefina Topalli si Kryetare Parlamenti, Presidenti Moisiu, Mejdani apo deri tek Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës Jahjaga. 

Presidentët e Shqipërisë kanë fjetur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Madje në të njëjtin dyshek të gjakosur (të kthyer mbrapsht). Kjo është më se e vërtetë tregojnë burime zyrtare. Këtë fakt e mësuam gjatë zhvendosjes së dhomës së gjumit nga ish vila e Hoxhës që njihet si treshi tek vila no. 4 ku për gazetën “Telegraf” vetë drejtoresha aktuale e vilave në Pogradec, A. Velo e pranon këtë fakt se dhoma e gjumit e Mehmet Shehut që ka qenë tek vila e Hoxhës në Pogradec dhe është zëvendësuar me një të re e më pas ajo u transferua tek vila no. 4.
Vilat sot 
Atyre u ka humbur shkëlqimi i dikurshëm. Në vitin 1997 u shkatërruan krejt. Vetëm vila e Enverit u riparua nga një firmë ndërtimi duke harxhuar 300 milion lekë dhe më pas hëngrën e qindra milion të tjera që u ndërtuan të gjitha. Por projekti i ashtuquajtur shëtitorja më e bukur e Ballkanit nga Lini në Tushemisht përgjatë gjithë bregut të liqenit thuhet nga burime zyrtare se edhe blloku I vilave nuk do të shpëtojë dot nga prishja e të gjitha ndërtesave në breg të liqenit. Kështu duket se shtëpive të shpirtrave të vdekur siç njihen në Pogradec po ju vjen fundi ….
Sigal