Funksioni, pozicioni kontrollues, aktiviteti dhe kontributi i ISUV për sigurinë ushqimore veterinare

801
Gazeta Telegraf
Krahasim punësh, zgjidhjesh e arritjesh, objektiv i realizuar në forcimin e kapaciteteve njerëzore, ka qenë bashkëpunimi me institucionet akademike dhe ato të praktikës shkencore

Departamenti i ISUV, ka statusin e institutit të Sigurisë Ushqimore Veterinare. tashmë ka një bilanc në lidhje me kapacitetet e tij teknike, njerëzore dhe financiare. Për sa i përket strukturës dhe funksioneve të tij operative, mungon funksioni i shëndetit publik veterinar, që mbulohej në strukturë nga Departamenti i Epidemiologjisë dhe Identifikim Regjistrimit. Ky departament me vendim të MBZHRAU-së ka kaluar pranë Drejtorisë së Veterinarisë, në kuadër të ndryshimeve strukturore që ajo planifikon të bëjë (referuar shkresës me Nr. Prot. 7261). Si rrjedhojë, fushat e operimit që analizon raporti janë: aktiviteti analitik, prodhimi i biopreparateve, kontrolli i produkteve të mbrojtjes së bimëve, akuakultura dhe monitorimi i zonave të prodhimit. Informacioni që jepet i referohet: analizimit të punës së tij rutinë, shprehur te detyrat e institucionit; si dhe punës së tij tekniko-shkencore që buron nga të qenit Institucioni i Referencës Kombëtare për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve. Këto dy drejtime të punës së institutit shprehen te detyrat e çdo punonjësi, si dhe tek objektivat e departamenteve, specialistëve dhe programeve të tyre të punës. Për sa më sipër, brenda qëllimit të forcimit të kapaciteteve të ISUV-it, në përmbushje të detyrave të tij, objektivat kryesorë të tij gjatë vitit, kanë qenë:

1. Mirëmbajtja e akreditimit dhe shtrirja e menaxhimit të cilësisë në të gjithë laboratorët e Institutit;
2. Zgjerimi i shërbimeve/strukturës analitike të ISUV-it,
3. Nëpërmjet zhvillimit të metodikave të reja, vlerësimit dhe akreditimit të metodave të reja;

zgjerimit të punës tekniko-shkencore nëpërmjet: bashkëpunimit me institucionet akademike (Fakultetet), realizimit të studimeve të ndryshme në linjë me funksionet operative të Institutit, si dhe përfshirjes në punëtori, konferenca dhe aktivitete trajnuese brenda dhe jashtë vendit.

Dokumenti synon gjithashtu të jetë një kujtesë historike e ISUV-it, për sa i përket: burimeve njerëzore, strukturës së tij organizative dhe analitike, buxheteve, objektivave, bashkëpunimit teknik dhe shkencor, problematikave të hasura, impaktit të tyre në realizimin e detyrave dhe objektivave të zhvillimit. Gjithë ky informacion që ndjek strukturën organizative dhe dy fushat e veprimit të tij shërben si një burim planifikimi dhe rishikimi të mekanizmave menaxherialë, strukturës, kapaciteteve, burimeve, duke i shërbyer në këtë mënyrë jo vetëm “historikut”, por edhe zhvillimit të tij afatshkurtër dhe afatmesëm.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe i Veterinarisë (ISUV) është Instituti i Referencës Kombëtare për Shqipërinë në lidhje me sigurinë ushqimore. Dy departamentet, të cilat janë të përfshirë në sigurinë ushqimore, funksionojnë bazuar në ligjin “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë” Nr. 10465, datë 29.09.2011, ligjin e “Për Ushqimin” Nr. 9863, datë 28.01.2008, dekrete të qeverisë, norma kombëtare dhe/ose ndërkombëtare, me të cilat shteti urdhëron zbatimin me akte dhe normativa (direktiva dhe vendime të komunitetit europian).

ISUV, qendra analitike e kontrollit të ushqimeve dhe barnave veterinare
Për sa i përket sigurisë ushqimore, ISUV-i ka të implementuar sistemin e menaxhimit të cilësisë sipas ISO 17025 në shumicën e sektorëve të këtyre departamenteve. Risi ka qenë shtrirja e menaxhimit të cilësisë edhe në dy sektorë të tjerë të DTMMC-së, përkatësisht në Sektorin e Kontrollit të Barnave Veterinare dhe Sektorin e Cilësisë dhe Vlerësimit të Ushqimit. Në shtator të 2015-ës është kërkuar riakreditimi nga trupa kombëtare (DPA) për 8 prova, nga të cilat 4 prova kimike (3 single residues dhe 1 metodë është multi-residues) dhe 4 prova biologjike. 6 nga këto teste aplikohen për riakreditim dhe 2 për akreditim për herë të parë. Këto prova lidhen drejtpërdrejtë me Planin Kombëtar të Monitorimit të Molusqeve (PKM-Molusqe), Planin Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve (PKM-Mbetje), si dhe Planin Kombëtar të Monitorimit të Peshkut (PKM-Peshku).

Aktiviteti kryesor analitik i departamenteve në kuadër të sigurisë ushqimore lidhet me zbatimin e planeve kombëtare të monitorimit. Janë zbatuar 4 plane kombëtare:
1. Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve në Produkte me Origjinë Shtazore dhe Ushqimet për Kafshë;
2. Plani Kombëtar i Monitorimit të Molusqeve;
3. Plani Kombëtar i Monitorimit të Miellit dhe Drithërave.
4. Plani Kombëtar i Monitorimit Produkteve të Peshkut.

Gjithashtu, departamentet e ISUV kryejnë dhe aktivitete të tjera analitike për kampionë që vijnë nga AKU (zyrtare) dhe nga biznese private (autokontroll).

Numri total i kampionëve të analizuara në kuadër të ISUV është 5 057, ndërsa analiza të kryera janë 15 557. Në kuadër të planeve kombëtare janë analizuar 2 840 kampionë (56,2% e totalit) dhe janë kryer 2 938 analiza (18,9% e totalit).

Aktiviteti analitik i departamenteve të ISUV
Në aktivitetin analitik, ISUV-i kryen 2 kategori analizash që përcaktohen nga aktorët ndaj të cilëve ofrohet shërbimi:

1. Analiza zyrtare, të cilat kërkohen dhe kryhen ndaj institucioneve publike (MBZHRAU, AKU, Agjencia e Peshkimit);

2. analiza vetëkontrolli, të cilat kërkohen dhe janë në shërbim të operatorëve të biznesit, të sigurisë ushqimore dhe fermerëve. Në nivel instituti, gjatë vitit, janë analizuar 20 234 kampionë, nga të cilët: për sigurinë ushqimore janë analizuar 5 057 (25%) dhe për shëndetin e kafshëve 15 177 kampionë (75%).Në krahasim me vitin e kaluar, ky numër është 30% më i vogël. Janë analizuar gjithsej 46 807 kampionë. Kjo diferencë e shprehur lidhet me monitorimin e epidemisë së “gjuhës blu dhe mungesës së kitereve dhe reagjentëve. Ky faktor i fundit ka përcaktuar gjatë vitit, numrin e ulët të analizave në nivel të ISUV-it, shkallën e realizimit të planeve të monitorimit, si edhe shkallën e realizimit të objektivave të planifikuar në nivel departamenti dhe specialisti. Numri i kampionëve të analizuar gjatë vitit, i parë si raport të përbërësve të tij, 25% e kampionëve janë të lidhur me sigurinë ushqimore dhe 75% me shëndetin e kafshëve.

Rastet Alert (kampionët jokonformë dhe pozitivë)
Janë 2% te siguria ushqimore dhe 11% te shëndeti i kafshëve. Për sigurinë ushqimore ata janë ulur nga 5%, në 2% dhe për shëndetin e kafshëve nga 15%, në 11%. Trendi në ulje te të dyja fushat e operimit lidhet kryesisht me strukturën e planeve të monitorimit. Te siguria ushqimore pozitiviteti i lartë, si faktori kryesor është shkaktuar nga zbatimi i planit të monitorimit të qumështit të papërpunuar, ku pozitiviteti ishte shumë i lartë: 44,1% . Nëse analizojmë rastet pozitive sipas planeve të zbatuara, kemi një ulje të ndjeshme të rasteve jokonform të PKM-së së mbetjeve (nga 3,5% në 0,45%). Kjo ulje e ndjeshme është e lidhur me mungesën e kitereve dhe reagjentëve në vitin në vijim, që ngushton shumë spektrin analitik, duke bërë të pamundur analizimin e një numri të madh substancash të planifikuara. Ulja e rasteve pozitive te PKM-Molusqe për këtë vit është i lidhur me uljen e rasteve pozitive ndaj prezencës së E. Choli-it, që është një indikator higjienik dhe që tregon një ulje të ndotjes në zonat e prodhimit (gjetja e faktorëve të kësaj uljeje kërkon një studim të veçantë). Faktor tjetër është edhe mosanalizimi i biotoksinës së DSP-së, e cila nga provë biologjike ka kaluar në aparaturë (LC/MS/MS) dhe nuk është zhvilluar ende si metodë. Rastet pozitive nga kampionët e ardhur nga AKU-ja janë rritur gjatë vitit, nga 2,6% në 4%. Rastet pozitive nga kampionët e autokontrollit kanë pësuar një ulje të lehtë, nga 2,6 në 2,1. Për sa i përket aktivitetit analitik të ISUV sipas kategorive të analizave të kryera, 53% (17 429) e analizave janë zyrtare. Analizat e autokontrollit kanë përbërë 47% të analizave të kryera. Sipas fushave të operimit, për shëndetin e kafshëve ky raport është 60% zyrtare me 40% autokontroll, ndërkohë që te siguria ushqimore, raporti është më i ulët. Analizat zyrtare përbëjnë vetëm 55% të analizave të kryera.

Krahasim punësh, zgjidhjesh e arritjesh
Analizat zyrtare të shëndetit të kafshëve janë ulur me rreth 20%, ndërkohë që te siguria ushqimore janë rritur me 5% (nga 40% në 45%). Trendi i madh i uljes te shëndeti i kafshëve në 20% është i lidhur me numrin e ulët të planeve monitoruese të miratuara nga shërbimi veterinar për 2015-ën, si dhe ndjekjen e ulët të shpërthimeve epidemike. Ndikim shumë të madh ka edhe mungesa në reagjent, kite, që shprehet me uljen e numrit të analizave zyrtare në nivel të planeve monitoruese të miratuara. Numri i analizave të kryera ka pasur ulje-ngritje të lidhura kryesisht me praninë ose jo të reagjentëve, kiteve, standardeve dhe qelqurinave. Gjatë vitit, ISUV ka zbatuar gjithsej 8 plane kombëtare, ku 4 i përkasin sigurisë ushqimore dhe 4 shëndetit të kafshëve. Përqindja e realizimit të planeve të sigurisë ushqimore është shumë e ulët, me përjashtim të planit të miellit, që nuk zë peshë të rëndësishme. Për sa u përket planeve kombëtare të shëndetit të kafshëve, realizimi i tyre është i lartë. Këtu përjashtohet shkalla e realizimit të Anisakis sp. që është vetëm 28,3%. Kjo shkallë e ulët e mosrealizimit lidhet me mosardhjen e mostrave nga AKU-ja. I vetmi rreth që ka dërguar rregullisht mostrat e planifikuara është qarku i Vlorës. Pavarësisht se po punohet intensivisht, mbeten detyrë emergjente, problemet që lidhen me “monitorimin” e ulët të situatës, për një grup sëmundjesh të rëndësishme (BSE, tuberkulozi, murtaja klasike e derrave, influenca avjare, Pseudopesti, Virusi i Nilit perëndimor), ul ndjeshëm eficiencën e shfrytëzimit të laboratorëve të shëndetit të kafshëve dhe vështirëson vlerësimin dhe akreditimin e testeve të lidhura me to. Për sa i përket inspektimeve të AKU-së, numri i kampionëve të ardhur është disi më i lartë. Gjatë vitit, janë analizuar 691 kampionë. Pavarësisht kësaj rritje, ky numër është shumë i kufizuar. Ai lidhet me mosplanifikimin në kohë të planit të inspektimit nga ana e AKU-së , si dhe buxhetimit të ulët të tyre nga ana e MBZHRAU-së. Siç shikohet pjesërisht edhe nga komentet e mësipërme, nga problematikat kryesore që ka pasur ISUV janë: buxhetimi i ulët, mungesa e reagjent kiteve nga mosrealizimi i tenderit, mungesa e buxheteve emergjente për dëmtimin e aparaturave apo kërkesave të tjera të paparashikuara, mungesa e burimeve njerëzore. Nga objektivat e planifikuar dhe të realizuar të ISUV-it ka qenë thelbësor realizimi i shtrirjes së menaxhimit të cilësisë te të gjitha departamentet dhe laboratorët e Institutit. Ai shtrihej plotësisht vetëm në DMUMU dhe pjesërisht në DTMMC. Ngelet me një rëndësi të veçantë ngritja e LIMS-it në DSHK. Ai do të mundësojë jo vetëm menaxhimin e informacionit laboratorik dhe lehtësimin e praktikave të punës, por do të ndryshojë tërësisht marrëdhëniet me institucionet dhe aktorët e ndryshëm, për sa i përket kërkesës për shërbim dhe marrjes në kohë të tij. Një objektiv tjetër i realizuar, që ka një rëndësi të veçantë në forcimin e kapaciteteve njerëzore, ka qenë bashkëpunimi me institucionet akademike. U nënshkruan bashkëpunimet me Fakultetin e Shkencave, të Veterinarisë dhe atë të Agronomisë. Nga ky bashkëpunim ka tashmë 11 specialistë të saj, që janë pedagogë të jashtëm pranë këtyre 3 fakulteteve. Instituti ka pasur vetëm 3 pedagogë të jashtëm. Gjatë këtij viti u akredituan 2 teste të reja: përcaktimi i nikarbazinës në vezë dhe i pesticideve në vezë dhe qumësht.
Sigal