RRITET TAKSA VJETORE PËR AUTOMJETET

669
Taksa e automjeteve, ja koeficientet sipas vjetërsisë
Ministria e Financave miraton tabelën për llogaritjen e taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Sa paguhet për çdo makinë dhe si do të veprohet me autoveturat e luksit
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka firmosur udhëzimin për caktimin e koeficienteve sipas vjetërsisë për llogaritjen e taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Sipas tabelës, në tre vitet e para koeficienti i viteve të përdorimit do të jetë zero për motomjete, autovetura dhe automjete për transport të përzier. Për vitin e katërt të jetës së automjeteve, që do të jetë edhe viti i parë i pagesës së taksës, koeficienti do të jetë 0,18. Më pas, vit pas viti ai do të rritet për të mbërritur në vitin e 24-t të jetës së mjetit në nivelin 0,74. “Pas vitit të 24-t të përdorimit, për autobusët koeficienti rritet me 0,03 dhe për të gjitha mjetet e tjera rritet me 0,00. Për motomjete, autoveturat, automjetet për transport të përzier rritet me 0,04”, thuhet në udhëzim. Një kategori e veçantë në udhëzim është dedikuar për mjetet e luksit, ku përfshihen makinat me cilindratë mbi 3 mijë cm kub ose me vlerë mbi 5 milionë lekë. 

Taksë regjistrimi fillestar dhe taksë e përvitshme për automjetet luksoze
Në kuptim të ligjit për taksat kombëtare, “automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme:
a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3;

ose
b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5.000.000 lekë. Pavarësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura, mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi fillestar në masën 70.000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, si agjente e përcaktuar nga ligji për mbledhjen e këtyre taksave, deklaron dhe paguan taksën e mjeteve të përdorura të transportit, në administratën tatimore. Vlera e mjetit do të plotësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në sistemin informatikë në fushën “vlera e mjetit”, për të gjitha rastet e regjistrimeve të reja, ndryshimit të pronësisë, si dhe kur nga kontrolli është konstatuar se vlera e mjetit nuk është ajo e duhura. 

Lidhur me përcaktimin e vlerës së mjetit, do të veprohet si më poshtë:
i. Për mjetet e importit të paregjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor:

a) Për mjetet e importit të paregjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, vlera e mjetit do të merret nga deklarata me referencë doganore DAV, e cila llogaritet si totali i vlerës së tatueshme (baza e tatueshme) mbi të cilën llogaritet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe duke i shtuar TVSH e llogaritur në doganë (Totali = Baza e tatueshme + TVSH).

b) Kur mjeti blihet nga subjekte të licencuara, vlera e mjetit do të merret nga fatura tatimore e shitjes, e cila është vlera totale e barabartë me vlerën e tatueshme duke i shtuar dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. 

Në rast se për të njëjtin mjet disponohen dy ose më shumë dokumente, si për shembull, deklaratë me referencë doganore DAV dhe Faturë Tatimore Shitje, gjithmonë do merret për t’u regjistruar në fushën “vlera e mjetit” vlera totale e mjetit që është më e madhe në këto dokumente.

ii. Për mjetet që janë të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor:

a) Kur mjeti blihet nga subjekte të licencuara vlera e mjetit do të merret nga fatura tatimore e shitjes, e cila është vlera totale e barabartë me vlerën e tatueshme duke i shtuar dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. 

b) Vlera e mjetit në kontratën noteriale të shit-blerjes.

iii. Për rastet me kontratë të qirasë financiare (leasing), do të merret vlera totale në kontratën e qirasë financiare dhe jo vlera në kontratën e furnizimit (kontratë shitjeje) e cila i shërben qiramarrësit për njohjen faktike të pronësisë së automjetit nga qiradhënësi te qiramarrësi dhe që lidhet midis palëve vetëm pas shlyerjes prej qiramarrësit të këstit të fundit të qirasë financiare.

iv. Për rastet kur nga dokumentacioni shoqërues nuk përcaktohet vlera e mjetit (akt-dhurimi, dëshmi trashëgimie etj.), shërbimi do të refuzohet deri në plotësimin e kësaj vlere nga subjekti që ka nënshkruar dokumentin ose me dakordësinë e përfituesit do të merret vlera që ndodhet në dosjen e mjetit duke ju referuar rasteve të sqaruara më sipër. Vlera e mjetit do të plotësohet në monedhën lekë dhe në rast se vlera e mjetit nga dokumentacioni shoqërues është në monedhë tjetër, do të llogaritet vlera korresponduese në lekë, referuar kursit ditor të Bankës së Shqipërisë sipas datës së dokumentit në monedhë të huaj, printimi i së cilës pasi vuloset nga specialisti përkatës i bashkëlidhet dokumenteve.
Sigal