Rekord Gines, hekurudha, 3 udhëtarë në ditë

569
Sigal

DURRËS/ Amortizimi i trenave dhe linjave hekurudhore nxjerr jashtë funksionit të gjithë rrjetin

Dy vitet e fundit hekurudha është braktisur në masë nga qytetarët, por më shqetësues është fakti se gjatë 9 muajve të parë të këtij viti janë transportuar dy herë më pak mallra se në vitin 2011. Mungesa e investimeve dhe amortizimi i theksuar i mjeteve e ka çuar hekurudhën shqiptare drejt kolapsit dhe mosfunksionimit. Hendeku i madh i krijuar mes statistikave të vitit 2010 me këto të dy viteve të fundit është tregues i pakundërshtueshëm se hekurudha shqiptare është drejt kolapsit duke shënuar një rënie deri në masën 90 për qind të transportimit të udhëtarëve. Sinjali tjetër negativ vjen nga transporti i mallrave. Në periudhën janar-shtator të këtij viti janë transportuar rreth 144 mijë ton mallra, ose rreth gjysma e sasisë së transportuar një vit më parë. Ndërsa gjatë vitit 2011 vagonët e mallrave transportuan rreth 317 mijë ton, sasia e përgjysmuar e këtij viti tregon se hekurudha nuk preferohet më as nga bizneset si një mjet i sigurt transporti, pasi për shpejtësi as që nuk mund të pretendohet. Nëse do t’i referohemi  shpejtësisë mesatare me të cilën qarkullojnë trenat në vendet europiane, Shqipëria zë vendin e fundit në këtë drejtim. Në shoqërinë moderne, kur elementi kohë është një nga prioritetet kryesore për të qenë të suksesshëm në një sipërmarrje të caktuar hekurudha shqiptare e ka humbur qëkur këtë garë me shpejtësinë.

Degradimi i rrjetit hekurudhor

Gjatë gjithë këtyre viteve hekurudha shqiptare ka shkuar drejt degradimit, pasi mungesa e investimeve dhe amortizimi i trenave e linjave hekurudhore e ka nxjerrë thuajse jashtë funksionit të gjithë rrjetin. Për gjatë gjithë gjatësisë së rrjetit hekurudhor janë hapur mbikalime të shumta të paligjshme, të cilat jo radhë herë janë bërë burim aksidentesh. Nga ana tjetër një pjesë e mirë e lëvizjeve që bëhen nëpër shina bëhen në mënyrë manuale duke e vonuar edhe më tepër këtë proces. Është fakt i ditur tashmë që udhëtarët shfrytëzojnë linjat interurbane për të lëvizur në qytete të ndryshme të vendit dhe i kanë braktisur trenat, megjithëse udhëtimi me to ka një kosto më të lirë, por gjithsesi kjo kosto nuk justifikon gjendjen mjerane të vagonëve dhe udhëtimin e ngadaltë. Viti 2010 ka regjistruar treguesit më të mirë në periudhën kohore 2009-2012 si në transportin e mallrave ashtu edhe në atë të pasagjerëve. Gjatë këtij viti përmes rrjetit hekurudhor janë transportuar 402.726 ton mallra dhe 430 mijë udhëtarë. Drejtues të hekurudhës thonë se, në këtë performancë kaq të dobët, në vitin 2011 dhe 9- mujorin e këtij viti kanë ndikuar një sërë faktorësh. Tregtarët nuk preferojnë t’i transportojnë  mallrat me linjë hekurudhore, pasi ajo nuk ofron siguri dhe udhëtimi është shumë i ngadaltë. Në jo pak raste trenat janë sulmuar nga banda hajdutësh që arrinin të shkarkonin sasi të konsiderueshme të mallit që transportohej, ndërsa treni ishte në lëvizje. Nga ana tjetër mungesa e investimeve e ka lënë këtë sektor “në mëshirë të fatit”.