Raporti për drogën në botë: Shqipëria, kanabis dhe heroinë

639
Një raport i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve për vitin 2017 flet me hollësi për gjendjen e kultivimit dhe trafikimit të drogave në botë.
Raporti përfshin të dhëna për të gjitha rajonet e botës veç e veç. Mes të tjerash, ai identifikon Shqipërinë si burim kryesor të kanabisit që përdoret në Bashkimin Evropian.
Në raport përmendet ndër të tjera e ashtuquajtura rrugë ballkanike e trafikimit të drogës, që siç thuhet aty, dominon korridorin e trafikimit në Evropën Lindore.
Grupet kriminale shqiptare, thuhet në raport, bashkëpunojnë ngushtë me grupet kriminale në Greqi, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni dhe Turqi.
Në rrugën e Ballkanit, thuhet aty, opioidet trafikohen nga Afganistani, Pakistani dhe Irani, duke kaluar nëpër Turqi dhe Ballkan për në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.
Sipas raportit, rruga e Ballkanit ka disa degë që ndryshojnë vazhdimisht, por rrjedha kryesore kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një degë më e vogël përmes Maqedonisë dhe Kosovës përdoret për magazinimin dhe ripaketimin.
Në Shqipëri, thuhet në raport, gjatë vitit 2016 pati një shtim të kultivimit të kanabisit, e lidhur kjo me një zgjerim të trafikut detar si dhe me përpjekje për trafikim përmes rrugëve ajrore.
Konfiskimet e kanabisit në Shqipëri u rritën me 164 për qind nga viti 2015 në 2016, duke arritur në një total prej 30 ton në vitin 2016, krahasuar me 11.3 ton të konfiskuar në 2015.
Gjithnjë e më shumë, thotë raporti, një pjesë e heroinës së trafikuar po qëndron në Shqipëri për konsumatorët vendës. Sipas statistikave të qeverisë, konfiskimet e heroinës në vitin 2016 tregojnë një rritje të sasisë së sekuestruar.
Sigal