Qyteti i Patosit ka kurorëzuar fëmijët më të mirë për vitin 2018

1003
Sigal

Gara e bukurisë dhe e talentit për fëmijë Miss&Mister Children tashmë ndalesën e radhës e ka pasur në qytetin e Patosit. Bashkia e këtij qyteti ka mirëpritur produksionin e agjencisë së spektakleve Albania Event Production duke iu dhënë mundësi vogëlushëve të ngjiten në skenë dhe të përjetojnë momente mbresëlënëse. Pas një muaji pune me fëmijët, nga mosha 6 deri në 13 vjeç është finalizuar gjithçka me spektaklin e zhvilluar në fundjavë në skenën e Pallatit të Kulturës në Patos. Mes pranisë së spektatorëve fëmijët demonstruan dhe talente si në këngë, kërcim, interpretim etj., duke shfaqur vlerat dhe çiltërsinë e tyre në skenë dhe duke i dhënë një dimension tjetër aktivitetit. Albana Çakshiri organizatore e këtij eventi tashmë është bërë shumë e dashur për fëmijët anekënd Shqipërisë dhe, jo vetëm por dhe në gjithë trevat ku ka shqiptarë.

Sukseset vijojnë ashtu si dhe një punë plot përkushtim dhe lodhje natyrisht. Nga gara e Miss&Mister Children në Patos kanë dalë 30 fëmijë fitues që kanë marrë çmime të rëndësishme megjithëse produksioni kishte menduar që të vlerësonte me nga një çmim të gjithë konkurrentët. “Është një garë dhe natyrisht si në çdo lloj sfide të kësaj natyre ka vetëm një fitues. Por ne kishim menduar që gjithsecili prej fëmijëve të ketë nga një çmim si një kujtim i bukur i fëmijërisë së tyre. Ne synojmë që nëpërmjet këtij kompeticioni fëmijët të ngjiten në skenë dhe të zbulojmë talentet e tyre, por dhe të përpiqemi sado pak të kultivojmë shije estetike dhe artistike gjithashtu. Spektakli pati shumë sukses dhe këtë e ka deklaruar publiku nëpërmjet duartrokitjeve të shumta që na ka dhuruar, gjatë finales së madhe”, ka pohuar për gazetën “Telegraf” producentja e këtij spektakli Albana Çakshiri. Në fakt gara ka rezultuar e suksesshme dhe fëmijët janë ndierë të vlerësuar për çmimet. Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkia Patos si një event që vjen në muajin e fëmijëve në qershor.

Kryebashkiakja e Patosit znj. Rajmonda Balilaj ka përshëndetur spektaklin duke kurorëzuar së bashku me deputeten e kësaj zone, znj. Antoneta Dhima fituesit e kësaj gare. Pjesë e jurisë kanë qenë Sulo Gozhina, Redi Myftari, Seva Cereni etj. Ndërkaq publiku prezent në sallë ka votuar për të preferuarën e tij një vajzë 12 vjeçare. Fëmijët fitues do përfaqësojnë qytetin e tyre në garën mbarëshqiptare që zhvillohet në qytetin bregdetar të Durrësit në të cilën pjesëmarrës janë fëmijët më të mirë të kombit.

Natyrisht që gjithçka ka një autorësi dhe kjo vjen nga puna e jashtëzakonshme dhe e palodhur e Albana Çakshirit e cila nuk di të ndalet. Pas suksesit të madh të garës botërore Miss Summer World 2018 e finalizuar vetëm pak kohë më parë ka mbërritur në kohë dhe ky eveniment shumë simpatik dhe i dashur për të gjithë fëmijët.