Qëndrimi burrëror i Themistokli Gërmenjit

145
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ka ndodhur 100 vite më parë

Forcat patriotike ngritën popullin në këmbë
Shqipëria në Luftën e Parë Botërore u bë shesh beteje, midis forcave ndërluftuese. Ushtritë italiane dhe franceze, kishin zënë Shqipërinë e Jugut, kurse ushtritë austro-hungareze dhe bullgare, Shqipërinë e Mesme. Në Korçë, ishin vendosur forcat pushtuese greke. Rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të Shqipërisë së Jugut, nga shovinistët grekë, ishte tepër i madh. Pikërisht në këtë periudhë kaq të vështirë, forcat patriotike ngritën popullin në këmbë, për t’i dalë zot vendit. Në krahinën e Korçës, vepronin çetat e Themistokli Gërmenjit dhe të Sali Butkës. Patrioti Themistokli Gërmenji, duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korçë dhe në qarkun e saj, ngriti një komision dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze, largimin e grekëve nga Korça dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Autoritetet franceze të pushtimit, u ndodhën përballë një lëvizjeje të fuqishme patriotike shqiptare, që kërkonte me çdo kusht largimin e pushtuesve grekë, nga Korça. Francezët ishin të interesuar të shuanin “vatrat e zjarrit” dhe të kishin siguri e qetësi, në prapavijat e tyre. Për këtë arsye, komandanti francez i zonës së Korçës, koloneli Dekoen, sipas udhëzimeve të komandës së “Armatës së Lindjes”, vendosi të largonte nga Korça, venizelistët grekë dhe hyri në bisedime. Korça paraqiste interes të veçantë për të dy blloqet ndërluftuese, si në aspektin politik ashtu dhe ushtarak. Ajo ndodhej në ndërprerjen e udhëve midis Shqipërisë, Greqisë e Serbisë dhe ishte kanali më i përshtatshëm i komunikimit midis Fuqive Qendrore dhe Pallatit Mbretëror të Athinës. Midis frontit të “Armatës së Lindjes” dhe forcave italiane ishte krijuar një boshllëk i cili pa pushtimin e Korçës dhe të zonave të saj nuk mund të mbushej. Trupat franceze kishin marrë detyrën për mbulimin e një pjese të rrugës Sarandë-Korçë, rrugë strategjike për Antantën. Më 22 qershor 1916 filluan veprimet e para pushtuese nga ana e francezëve. Në nëntor të vitit 1916, trupat franceze kishin hyrë në Korçë. Gjenerali Saraj i detyruar nga presioni i çetave shqiptare shkarkoi funksionarët grek. Kolonelin Dekoen komandonte një detashment të përbërë nga dy kompani të fonterisë franceze, një batalion indokinez, dy skuadrone kavalerie dhe një seksion topash 65 m/m ai hyri pa rezistencë në Korçë. Gazeta “Adriatiku” në Korçë, shkruante se njerëzit u mblodhën në shkollën e Shën Gjergjit, që në mëngjes. Aty erdhi Themistokliu me drejtuesit e Korçës. Ndërsa përpara prefekturës, ushtarët francezë, të veshur me uniformë festive, qëndronin për nder armë. Themistokliu u rrëfeu njerëzve shkakun e mbledhjes, ku deklarohet për vetëqeverise të Shqipërisë, duke theksuar se duhet të kemi vëllazëri e dashuri në mes njert-tjetrit. Komisioni i ngritur prej katërmbëdhjetë veta, shtatë të krishterë dhe shtatë myslimanë, u nisën për në prefekturë. Komisioni që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin u paraqit përpara kolonelit. Në komision bënin pjesë: Rafail Adhami, Kostandin Noçka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Koloneli Dekoen dhe oficerë të tjerë francezë i pritën veshur me uniforma ushtarake dhe me grada. Dr. Haki Mborja i drejtohet komandantit francez e i tregon qëllimin e ardhjes së tyre. Komandanti i priti me buzëqeshje, duke thënë, se duhej bërë protokoll. U bë protokolli.
Protokolli shqiptaro-francez
Më 10 dhjetor 1916 koloneli Dekoen firmosi me përfaqësuesit e Korçës protokollin shqiptaro-francez. Nënshkrimi i Protokollit të 10 dhjetorit ishte një arritje për lëvizjen patriotike dhe pati një rëndësi të madhe politike. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me largimin e pushtuesve grekë dhe me ngritjen më pas të “Krahinës autonome”. Për ushtarakët francezë nuk kishte rëndësi vetëm qyteti, por dhe zona përreth. Protokolli i 10 dhjetorit për krijimin e Krahinës autonome përfshinte të gjitha zonat ku ishin vendosur forcat franceze, Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar, të cilat do të administroheshin nga shqiptarë, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte dhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipe dhe flamuri i Krahinës autonome, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Themistokli Gërmenji doli në ballkon dhe ngriti flamurin. Ushtria franceze i rrinte për nder flamurit, kurse populli thërriste me gëzim “Rroftë Shqipëria!” Entuziazëm, një ditë e vërtetë festive! Nën tingujt e muzikës, ushtarët parakaluan me armët ngjeshur. Themistokliu me shokët, hynë brenda, uruan njëri-tjetrin dhe u nisën për në katundari. Koloneli Dekoeni i përcolli buzagaz, deri tek porta. Në katundari (këshilli i qytetit), komisioni i kërkoi Themistokliut, të marrë drejtimin e policisë. Ai pranoi dhe pjesëmarrësit e uruan. Sekretar i përgjithshëm u zgjodh, Petro Harizi. Krijimi i Krahinës autonome të Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut. Duke shfletuar gazetën “Adriatiku”, njihemi me veprimtarinë e Krahinës autonome” të Korçës dhe arritjet e saj. Këshilli administrativ i krahinës, në të cilin, rolin kryesor e luante Themistokli Gërmenji, ndonëse mbante detyrën e prefektit të policisë, hartoi mjaft rregullore për administratën publike, për financat, arsimin, policinë, gjyqet, buxhetin etj. Kujdes iu kushtua zhvillimit ekonomik të krahinës. Masa të rëndësishme u morën edhe për arsimin. Shkollat greke u mbyllën, për t’u hapur gjashtëdhjetë shkolla fillore shqipe, dhe një shkollë e mesme gjithashtu. Bashkë me francezët, u arrit të ngrihet një sistem i rregullt postar, të shtypen pulla të reja, si dhe monedha të Krahinës autonome. Marrëdhëniet e Themistokliut dhe të funksionarëve të tjerë, të këshillit administrativ, me forcat franceze dhe sidomos, me kolonelin Dekoen, kanë qenë të mira dhe pozitive. Nëpërmjet gazetës, mësojmë se ushtarët francezë kanë dhënë një koncert, ku u mblodhën pesëqind franga. Këto franga, u ndanë për të varfrit e qytetit. Kurse, me rastin e Vitit të Ri, Themistokli Gërmenji i dhuroi kolonelit, Dekoen, një dyfek me çark dhe një kobure, të larë me ar. Edhe më simbolike, ishte dhurata e grave të shoqërisë “Ylli i mëngjesit”. Ato kishin përgatitur për kolonelin, një tapet të qëndisur me dy patkonj të bashkuar, në mes, flamuri shqiptar dhe ai francez, me fytyrën e Skënderbeut. Republika autonome e Korçës që kur u krijua, u prit në mënyrë armiqësore dhe të ashpër nga shovinistët grekë dhe qeveria italiane. Veprimi i gjeneral Sarrait, komandant i Armatës së Lindjes, kishte rënë si bombë në kancelaritë e Fuqive të Mëdha, ndaj ato bënin presion për shfuqizimin e protokollit të datës, 10 dhjetor. Si rezultat i këtyre presioneve, qëndrimi i forcave franceze ndaj lëvizjes patriotike shqiptare, në Korçë dhe krahinës autonome, filloi të ndryshojë. Ata po ndiqnin, tashmë dhe arrestonin, patriotët shqiptarë. Në këto kushte, gjenerali Sarrai, u detyrua të largonte nga Korça, kolonelin Dekoen, në maj, të vitit 1917, megjithëse e ngrinte lart veprimtarinë e tij. Pas largimit të tij nga Korça, ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi. Në muajin nëntor të këtij viti, elementë grekomanë dhe bejlerë të Korçës, montuan fshehurazi, një proces kundër Themistokli Gërmenjit, duke e akuzuar atë, për tradhti dhe agjent të austriakëve. Me shpejtësi të madhe, një gjyq ushtarak i “Armatës së Lindjes”, në Selanik, e dënoi atë me vdekje më 7 nëntor dhe e ekzekutoi, më 9 nëntor 1917.

Qëndrim burrëror dhe dinjitoz
Qëndrimi i Themistokliut, përpara gjyqit dhe përpara ekzekutimit, ishte burrëror dhe dinjitoz. Në letrën që i shkruante së shoqes, ai theksonte se “Jam viktimë e mashtrimeve”, “Vdes i pafajshëm” dhe “Rroftë Shqipëria!”. Ndërsa një oficer francez, i cili e pa me sy vrasjen, e përshkruan kështu ngjarjen. “E kam njohur Themistolkli Gërmenjin dhe u ndodha i pranishëm kur u pushkatua. Ai nuk tregoi asnjë shenjë frike, përpara vdekjes. Të gjithë sa ishim aty, mbetëm të mahnitur. Ai ishte i veshur me rroba kombëtare dhe ecte me hapin e qetë dhe plot dinjitet. Fjalët e tij të fundit, që iu drejtuan përfaqësuesit ushtarak francez, ishin. “Ju, nuk e njihni mentalitetin shqiptar. Nuk e njihni shpirtin e popullit tim! Ju, po bëni një gabim shumë të madh. Rroftë Shqipëria!”. Vrasja e Themistokli Gërmenjit, ishte një humbje e madhe për krahinën autonom” të Korçës dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Pas pushkatimit te Themistokliut, organet e sigurimit francez i vazhduan persekutimet e tyre. Ato arrestuan një pjesë te bashkëpunëtoreve të Themistokliut, si Qamil Panaritin drejtorin e Policisë, Mehmet Pupen, komisarin e policisë, si edhe Mehmet, Sejfullah e Maliq bej Pojanin, të cilët u dënuan me vdekje. U dërguan në Guaiane, një koloni franceze në Ameriken e Jugut mbasi dënimi i tyre u zbrit në 20 vjet të burgosurit. Bashkë me këta u dërguan dhe 30 veta të tjerë. Me dënimin e tyre, Republika e Korçës mori fund… Autoritetet ushtarake franceze, nuk guxuan të zhduknin të gjitha fitoret e arritura nga përpjekjet dhe lufta e patriotëve shqiptarë. Në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar, krahas atij francez dhe shkollat që u hapën, e vazhduan mësimdhënien. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe Krahina autonome e Korçës. Populli i kujton ata, si aleatë në ato çaste të vështira dhe Krahinën autonome, si një sukses të asaj periudhe, që ndikoi drejtpërdrejt, në ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Ata u larguan, duke lënë pas kujtimin e mirë dhe varret e ushtarëve francezë, sikurse edhe liceun francez, që edukoi për dekada të tëra, brezat e rinj.