Sigal

Tre administratore qendrash masazhi janë arrestuar për veprat penale të “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, si dhe një u shpall në kërkim. Një prej qendrave ishte afër gjimnazit Petrot Nini, te një rrugicë, dhe ku kryhej prostitucion me vajza të reja, të cilat futeshin nga një hyrje dytësore.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 7-mujore, finalizuan operacionin policor të koduar “Extra Service” në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

– H. D., 33 vjeç, banues në Tiranë

– A. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë

– L. Q., 34 vjeçe, banuese në Tiranë

si dhe është shpallur në kërkim shtetasi M.M., 43 vjeç, banues në Tiranë

“Ambientet e qendrave të masazhit qe administronin, ata i vendosnin në dispozicion për të ushtruar prostitucion, vajzat e punësuara në to. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 7 punonjëse në këto qendra, për ushtrim prostitucioni.”

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR, kamera vëzhguese, aparate celulare dhe 4 ambjente ku ushtrohej ky aktivitet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të metejshme. Oficerët kanë sekuestruar pamjet e tre muajve të fundit dhe do të thirren për të dëshmuar. Ndërkohë të arrestuarit kanë folur për disa emra që vinin për gjoja masazh, por që kryenin marrëdhënie seksuale me pagesë.