Sali Niazi Dede, kleriku që u vra më 28 nëntor 1941, sepse kundërshtoi pushtimin fashist të Shqipërisë

1191
Sigal

Kujtim BORIÇI

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Kleriku Sali Dede, “Dëshmori i Atdheut”, mbetet shembull i shkëlqyer i devizës bektashiane: “Pa atdhe nuk ka fe!”

Sot mbushen plot 77 vjet nga vrasja makabër e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede, “Dëshmor i Atdheut”, i cili, si klerik bektashian dhe si atdhetar e luftëtar i çështjes kombëtare shqiptare, nuk firmosi dokumentin e pushtimit fashist të Shqipërisë. Sa më shumë kalojnë vitet e dekadat, aq më tepër merr dritë kjo figurë e njohur bektashiane dhe më shumë spikat misioni bektashian si besimtar dhe atdhetar. Në listën e pafund të klerikëve atdhetarë bektashinj që luftuan deri dhe me jetën e tyre për devizën bektashiane “Pa atdhe nuk ka fe”, një vend të rëndësishëm zë edhe Sali Niazi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian që u vra në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit. Historia dëshmon se Sali Niazi Dedeit, më 28 nëntor të vitit 1941, i vendosën para dokumentin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe, në cilësitë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, i kërkuan të firmosë këtë akt, ku pushtimi, duhej të quhej: “ftesë nga vetë shqiptarët”. Por qëndrimi atdhetar dhe kundërshtimi i vendosur i tij, u sintetizua në fjalët: “Ky është pushtim dhe asgjë tjetër! Nuk mund të firmos për robërinë e shqiptarëve, për pushtimin e vendit tim!”. Kjo qëndresë nuk mund të ‘përtypej’ nga pushtuesit e kuislingët, ndaj e ekzekutuan. Krimi makabër ndodhi, më 28 nëntor të vitit 1941, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. “Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede, mbetet krenaria e bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare. Sot, miliona bektashinj në botë, krenohen me aktin e këtij kleriku patriot. Ai ishte shembull i shkëlqyer i devocionit të klerikëve bektashinj që besimin në Zot dhe çështjen kombëtare, i kanë parë kurdoherë të lidhura ngushtë dhe të pa ndara nga njëra-tjetra. Ndaj për miliona bektashinj në gjithë botën, sot është një ditë krenaria kombëtare, një ditë përkujtimore që na bën të reflektojmë dhe të ecim e predikojmë besimin tonë të paqtë, dashurinë për njeri-tjetrin, për miqësinë e dashurinë, për dashurinë për atdheun”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kush ishte Sali Njazi Dede

Sali Njazi Dede lindi në fshatin Starje të Kolonjës, më 1876 nga ku u largua me familjen në emigrim në Turqi. Atje ku përfundoi dhe gjimnazin. Pa mbushur ende 20 vjeç, ai pati fatin të filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut… Më pas, iu përkushtuar fesë, gjithmonë duke ndjekur e ndihmuar nga afër çështjen kombëtare shqiptare. Në vitin 1913, në Haxhi Bektash, ai u zgjodh në postin e lartë të Kryegjyshit. Falë nivelit intelektual e fetar, përkushtimit maksimal në udhën e Hakut, shumë shpejt u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Sirisë, Iranit, Irakut, Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Greqisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Ai mbahet mend gjithashtu si një organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Në vitin 1925, Ataturku me ligj, ndaloi dhe mbylli teqetë bektashiane në Turqi. Për këtë shkak, në vitin 1929, Kongresi i tretë bektashian në Korçë vendosi që qendra e Kryegjyshatës Bektashiane të vendosej në Shqipëri… Në këtë periudhë, u vendos që Kryegjysh të ishte sërish Sali Niazi Dede. Ai ka vlera të veçanta, privilegjin dhe respektin e madh për atë që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke vendosur Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë. Sali Niazi Dede bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi fenë, i dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri si dhe forcoi marrëdhëniet e bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ai ishte njëkohësisht dhe një krijues i talentuar. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dede për shkak të mos nënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e vranë mizorisht bashkë me dervishin e tij, Azizin, duke mbetur një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Portretin e tij e plotëson dhe fakti se ai, para se të vinte në Shqipëri si Kryegjysh Botëror, kishte një aktivitet të madh si klerik e atdhetar në Turqi, Greqi, Egjipt e vende të tjera… Si mik i Mustafa Qemal Ataturkut, ka kontribuar dukshëm dhe në pavarësinë e kombit turk. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, “..më 17 dhjetor të vitit 1919, Mustafa Qemal Ataturku viziton teqen e Haxhibektashit ku ishte Sali N. Dedej, ku merr mbështetjen morale dhe materiale të tij dhe Xhemaladin Çelebiut për luftën çlirimtare. Sali Dede u bë aq ndikues në përpjekjet e tij në pavarësinë e kombit turk, sa ishte dhe për prosperitetin e popullit të tij’. Në Shqipëri, veçanërisht pas vitit 1990, ai ka marrë vlerësime të shumta zyrtare. Ndër vlerësimet shtetërore dhe nga organizma jo qeveritarë, renditen dhe shpallja “Dëshmor i Atdheut” si dhe emërtimin e Sali Niazi Dede në emisionin e pullave nga ‘Albpost’ në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001.

Nata e 28 nëntorit 1941

Nata e 28 nëntorit e vitit 1941, kur u vra Sali Niazi Dede, sipas dokumenteve arkivore, është parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve si liri, nëpërmjet një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “…Sali Niazi Dede ftohet nga përfaqësuesi i mbretit italian, i cili i tha: ‘…Edhe drejtuesit e tjerë shpirtërorë kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike’. Pas debatesh të ashpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë italian i tha:’…Lëreni, mos flisni, do e shohësh këtë…!’”. Po çfarë ndodhi pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede që banonte në Selinë e Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë dhe i vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17 persona, e zyrtarisht u tha se “vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Nazi Dede”. Por në fakt, kjo ishte alibi, pasi ora, më vonë u gjet. Atë e vranë pushtuesit dhe kuislingët vendas, pasi nuk pranoi të firmosë pushtimin italian si ‘liri’ për vendin…

Ky emër i bektashizmit, sot përkujtohet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Baktashiane, objektet bektashiane në Shqipëri e jashtë saj, nga miliona besimtarë.

Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Sali Dede, Atdhetar e klerik i përkushtuar

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, e vlerëson lart personalitetin e ish-Kryegjyshit Botëror, Sali Niazi Dede, si njeriun që gjithë jetën punoi e luftoi për bektashizmin dhe atdheun, për lirinë e demokracinë. “Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede, mbetet krenaria e bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare. Sot, miliona bektashinj në botë, krenohen me aktin e këtij kleriku patriot. Ai ishte shembull i shkëlqyer i devocionit të klerikëve bektashinj që besimin në Zot dhe çështjen kombëtare, i kanë parë kurdoherë të lidhura ngushtë dhe të pa ndara nga njëra-tjetra. Ai u vra pabesisht në Selinë e Shenjtë më 28 nëntor të vitit 1941 nga pushtuesit e kolaboracionistët vendas vetëm se nuk pranoi të firmoste dokumentin e pushtimit të vendit nga fashizmi italian…. Sali Niazi Dede erdhi në Shqipëri me vizion të qartë për Kryeqendrën Botërore të Bektashizmit, jo vetëm të jetonte në paqe e bashkëjetesë me besimet e tjerë fetarë, por dhe të kontribuonte në harmoninë midis feve. Si klerik e atdhetar, ai është shpallur dhe ‘Dëshmor i Atdheut’, duke mbetur një shembull i klerikut tolerant e atdhetar në kohëra”- pohon për gazetën “Telegraf , Haxhi Dede Edmond Ibrahimaj”.