Prof. dr. Hazbi M. Shehu: Dritëhijet e vendburimit të naftës në Marinëz

875
Ndërgjegja dhe pasioni për gjeologjinë për një periudhë prej 48 vjetësh nga zyrat qendrore e deri në të gjitha viset e vështira të Shqipërisë më detyron të mos qëndroj indiferent, por të shkruaj me forcë se duhet ruajtur pasuria e naftës e vendit tonë.
Dje: Vendburimi i naftës në fshatin Marinëz, qarku i Fierit, u zbulua nga specialistët e talentuar gjeologë shqiptarë, që fituan si shpërblim vetëm varfërinë.
Sot: Ky vendburim i famshëm i naftës së Marinzës, po pasuron kompanitë e huaja dhe mbush xhepat e qeveritarëve të djeshën dhe të sotëm.
Kush e shpjegon këtë tragjedi për specialistet shqiptarë dhe komedi për kompanitë e huaja? Cilët janë fajtorët? Këto pyetje duhet t’i shpjegojnë politikanët tanë, që kanë drejtuar Shqipërinë duke e çuar vendin nga varfëria në varfëri!
Po shkruaj, jo që t’i kundërvihem punës së kompanive të naftës, që po shfrytëzojne vendburimet e Marinzës, as për të mbrojtur interesat e banorevë të këtij fshati. Këto probleme të rendësishme dhe urgjente duhet të trajtohen nga specialistët dhe inspektorët e ministrive përkatëse, specialistët e bashkisë së Fierit dhe organi kryesor i akuzës si Prokuroria e Përgjithshme.
Unë kam qenë një nga specialistët kryesore të kabinetit të projektimeve për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të reja të naftës; fillimisht me qendër në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Kuçovë dhe më vonë në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike, me qendër në Fier.
Ne specialistët gjeologë për kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të naftës kemi zbatuar ligjet gjeologjike, bazuar dhe në përvojën gjeologjike botërore.
Sipas këtyre ligjeve gjatë zbulimit dhe shfrytëzimit të një vendburimi duhen sudiuar dhe llogaritur me saktësi në rradhë të parë:
– Ruajtja e energjisë të shtresave naftëmbajtëse, që projektohen për shfrytëzim;
– Ruajtja nga dëmtimet e qendrave të banimit mbi vendburimin dhe rreth tij.
Si rrjedhojë puset e shrytëzimit duhet të projektohen dhe të vendosen rreth qendrës ku ndodhet nafta dhe larg kufirit ujë-naftë dhe kufirit naftë-gaz.
Vendosja e puseve të shfrytëzimit pranë kufirit naftë-ujë ose në zonën e ujit do të shkaktonte lëvizjen e ujit të pastër ose të pëzier me naftë drejt sipërfaqes së tokës.
Vendosja e puseve të shfrytëzimit pranë kufirit naftë-gaz ose në zonën e gazit do të shkaktonte shpërthimin e gazit të pastër ose të përzier me naftë. 
Në këto raste do të ndodh dobësimi ose humbja e energjisë së shtresës, që është forca kryesore për shtytje dhe nxjerrjen e naftës në kushte normale dhe njëkohësisht do të sillte katastofa në qendrat e banuara në sipërfaqe mbi ose pranë vendburimit.
Shkaku i shpërthimit të gazit apo të ujit në vendburimin e Marinzës të çon në përfundimin se nuk janë zbatuar në mënyrë korrekte ligjësitë gjeologjike në shfrytëzimin e vendburimit dhe si rrjedhojë ndodhën çrregullime në nxjerrjen e naftës dhe dëmtime në banimet në sipërfaqe mbi vendburim dhe rreth tij. Si pasojë, jo vetëm janë dëmtuar qendrat e banuara, por është dobësuar energjia për nxjerrjen e naftës në sipërfaqe.
E gjitha kjo mund të shpjegohet me dy arsye:
– Nga nxitimi për të nxjerrë naftë sa më shumë dhe në një kohë sa më të shkurtër;
– Nga paaftësia e specialistëve gjeologë e projektues të puseve të shfrytëzimit duke mos i vendosur puset në vendin e duhur!
Për të arritur në përfundime sa më të sakta duhen analizuar dhe gjykuar nga ana gjeologjike të gjitha projektet dhe metodikat e përdorura nga kompania përkatëse që po shfrytëzon vendburimin nga fillimi i punës e deri tani.
Këtë punë duhet ta kryejnë specialistët gjeologë dhe inspektorët e ministrive përkatëse.
Ne, specialistët e ish – institutit gjeologjik edhe tani, edhe më herët, kemi shkruar për këto probleme shqetësuese në gazetat kryesore ditore. Pa i përmendur të gjithë do të veçoja inxhinier Ahmet Çollakun, H. Shehun, K. Ramën, V. Kicin, etj. Por siç duket këto materiale nuk janë lexuar ose janë parë pa vëmendje nga specialistët e ministrive përkatëse.
Kompanite e huaja i kanë marrë të gjitha materialet gjeologjike të institutit tonë, por kanë kopjuar dhe vënë në përdorim vetëm çështjet që ju interesonin!
Me këtë rast dua të theksoj se në muajin mars të këtij vit u mbushën 40 vjet që nga data kur kolegët, shokët dhe miqtë e mi u pushkatuan si K. Plaku, M. Gjikopulli apo u dënuan me 25 vjet burg si Th. Nasto, P. Murataj, etj. Unë jo vetëm i kujtoj si kolegë, miq dhe shokë, po edhe shtoj se ata u dënuan padrejtësisht nga diktatura komuniste, duke qenë jo vetëm të pafajshëm, por dhe në ballë të punës. 
Tronditem shpirtërisht dhe si specialist gjeolog, jo vetëm për shkatërrimin dhe pasojat në vendburimin e Marinzës, por sidomos për të ardhmen e të gjithë vendburimeve të vendit tonë, ndaj të cilave ka një sjellje të papërgjegjshme dhe cinike, në dëm të interesave kombëtare shqiptare
Populli thotë “Mishi të piqet, por tigani mos digjet”. Në këtë rast mish është nafta dhe tigani është toka dhe shtresat naftëgazmbajtëse. I huaji nuk mendon për të ruajtur pasurinë e nëntokës sonë, por për të mbushur xhepat e tij.
Ndërgjegja dhe pasioni për gjeologjinë për një periudhë prej 48 vjetësh nga zyrat qendrore e deri në të gjitha viset e vështira të Shqipërisë më detyron të mos qëndroj indiferent, por të shkruaj me forcëe se duhet ruajtur pasuria e naftës e vendit tonë.
Sigal