Prodhuesit dhe tregu i produkteve “vrasëse” të qumështit, ka vënë shtetin në gjumë me “biberonin” e korruptimit

925
Sigal

Sektori ushqimor e bënë ballafaqimin si çmim në treg dhe si cilësi e siguri në organizmin e njeriut. Dihet tashmë, që tregu ushqimor shqiptar vazhdon të jetë rekord për të dy tregues problematik: Së pari, ofron produkte ushqimore me çmimet më të larta në rajon e në vendet e BE. Së dyti, ofron ushqime me marka false, me cilësi e siguri më të ulët edhe se në tregun e Somalisë. Është fakt i provuar, që shqiptarët blejnë e konsumojmë produkte ushqimore, por nuk dinë se të çfarë lloji, marke, cilësie, teknologjie, fabrike, zone, shteti e sigurie janë! Në treg, shqiptarët u referohen etiketave e markave që kanë ambalazhet, apo copërat e letrave që vendosin mbi djathë, gjalpë, mish e fruta shitësit. Por u besojnë edhe deklaratave të AKU, të kontrollit të higjienës, të shëndetësisë, të cilët pas çdo skandal krimi që bëhet prezent me ushqimet, dalin e na thonë: Mos kini frikë nga shpifjet, por blini e hani çdo produkt, mbasi janë të sigurta, janë të freskëta, janë me cilësi e lartë, janë kontrolluar nga shteti”! Po çfarë lloji ushqimesh blejmë e konsumojmë? A kontrollon vërtetë AKU që ka detyrë të përcaktoj llojin, përbërjen, natyralitetin, origjinën, teknologjinë përpunuese, vlerat ushqyese, kohën e prodhimit, afatin e skadencës dhe parametrat e cilësisë e të sigurisë? A zbatohet ligji për sigurinë ushqimore në Shqipëri, që nga fusha, importi, përpunimi, prodhimi, lënda e parë, magazinimi, konservimi, certifikimi, marka e deri në treg? Sot po ndalemi tek problemi i certifikimit të produkteve të prodhuara prej qumështit, pra tek markat dhe leja e produkteve ushqimore për të hyrë në treg! Çfarë ndodh?

Tregu shqiptar me produkte qumështi me markë Ushqime

Sipas ligjit dhe praktikës ndërkombëtare dhe detyrimit që ka edhe Shqipëria, certifikimi i produktit ushqimor, pra vendosja e Markës “CE” është një procedurë që ka për synim të vërtetojë se procesi i prodhimit të një produkti është kaluar në shqyrtim dhe deklaron e siguron konsumatorin, se produkti është vlerësuar përpara futjes në treg dhe është në përputhje me gjithë kushtet ligjore evropiane dhe/ose vendase. Përveç certifikimit të sistemit të menaxhimit, përputhshmëria e Markës “CE” nuk është një proces vullnetar, përkundrazi, vendosja e Markës mbi një produkt të importuar, apo të eksportuar përbën detyrim ligjor për çdo prodhues e për çdo treg që duhet ta pranoj ose jo për ta futur në rrjetin e tregut. Mirëpo, në Shqipëri, disa qendra përpunimi e prodhimi produktesh ushqimore më bazë qumështin, janë qendra që prodhojnë e shpërndajnë produkte të pa sigurta, pa standardet e detyrueshme të vlerave ushqimore, pa origjinën e lëndës së parë, me tregues fallco, se gjoja janë produkte të prodhuar me qumësht natyral! Janë 13 fabrika të mëdha e 242 linja përpunimi qumështi në gjithë Shqipërinë, të cilat mbushin tregun shqiptar me qumësht, djathë, gjizë, kos, dhallë e produkte të tjera, të përziera me përbërës të lloj-lloj me bazë qumështin e kosin. Të gjithë këto qendra prodhimi, sidomos ato më të njohurat që publikojnë edhe logo “Marke” sa 1 fasadë pallati, deklarojnë se janë të licencuara! Licenca nuk është certifikim e as markë prodhimi, por leje për biznes prodhimi! Certifikimi është marka, lloji dhe emri i produktit, me të gjithë karakteristikat e veçanta të produktit. Mirëpo fabrikat e qumështi, sidomos ato që e quajnë veten “stabilimente moderne me standarde evropiane e botërore”, kanë emër firme, por jo certifikim e markë produkti. Nën logon e një emri firme, ato prodhojnë e tregtojnë produkte të çdo lloji që u shpik mendja, apo që kopjojnë nga fabrikat e shteteve të tjera. Një nga qendrat e prodhimit me “emër të madh” në Shqipëri edhe për abuzime në prodhimin e produkteve me lëndë të parë bazë qumësht industrial pluhur dhe etiketimin si produkte natyrale, prodhon psh., disa lloje djathi, qumështi, kosi, gjize, salce kosi, dhalle e deri… hir dietike! Por nuk i ka të certifikuara si prodhime të veçanta, përkundrazi i ka përfshirë në logon e emrit që ka firma! A lejohet kjo? Kush e lejon? Përse nuk u bëjnë certifikimin sipas Ligjit Nr. 9199, datë 26. 02. 2004 që është ende në fuqi, ligj që detyron “komunikimin e produktit me publikun, duke publikuar etiketën e veçantë, karakteristikat konkrete organoletike e ushqyese, origjinës e lëndës së parë të produktit, vlerat ushqyese dhe të dhënat për ndikimet në organizëm, të gjithë këto të certifikuara prej institucioneve shtetërore!
——————————————-
Fabrikuesit e produkteve të qumështit, “fabrikues” të markave me certifikata të huaja!

Ka një skandal, më saktë ka një “krim” që bëhet prej përpunuesve të mëdhenj të qumështit në Shqipëri. Të lidhur me njerëz dhe struktura të korruptuara të pushtetit, të shtetit, të AKU e të drejtësisë, këta “baxhoxhinj” që kanë ndërtuar fabrika të mëdha e që bëjnë reklama produktesh me “femra-lule e drita”, abuzojnë me certifikimin, duke përdorur ca copëra kartoni anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e deri arabisht me logo shoqatash me titullin “Certifikatë”, të cilat i fusin në korniza, i publikojnë nëpër ekrane televizive si “dëshmi” për sigurinë e prodhimeve të tyre! Në zyrat e bosëve të këtyre fabrikave të qumështi, djathi e gjizës shikon që muret janë mbushur me korniza të shumta me certifikata të tilla lloj-lloj. Psh., kanë certifikata sigurie, certifikata cilësie, certifikata prodhimi bio, certifikata teknologjie moderne, certifikata higjiene, madje kanë edhe diploma e medalje të dhëna prej disa institucioneve “logo” që nuk njihen as në shtetet dhe qytetet e tyre si emër, që nuk janë të autorizuar ndërkombëtarisht për të lëshuar certifikata të tilla. Ky krim që ka për synim të mashtroj shqiptarët për t’u thënë atë që nuk është e vërtetë me prodhimet e tyre, dihet nga shtetit, nga shërbimet e anti-krimit, nga AKU dhe institucionet të tjera, por nuk luftohet. Çudia është, se këta prodhues produktesh ushqimore, blejnë certifikata sigurie, cilësie, higjiene e teknologjie moderne nëpër “kafene e hotele” jashtë shtetit, por nuk janë të certifikuar prej shtetit shqiptar. Këta prodhues që përpunojnë, prodhojnë e hedhin në treg produkte “vrasëse” , të cilët nuk kanë marka produktesh të certifikuara nga shteti shqiptar dalin e thonë se prodhojnë me marka të njohura italiane, franceze, gjermane, spanjolle, greke, belge, holandeze, daneze e deri kanadeze dhe amerikane, ndërkohë që prodhojnë jashtë çdo standardi sidomos sigurie e vlerash ushqimore, madje edhe duke hedhur përsëri në prodhim produktet që nuk shiten në treg e që u kalon afati i përdorimit. Mirëpo fakti është ky: Nuk funksionon sistemi i kontrollit dhe i ndëshkimit ligjor, ndaj abuzuesve me produktet e qumështi të cilët nëse nuk i përmbahen kërkesave të ruajtjes dhe sigurisë, janë rrezik potencial për jetën e njeriut, mbasi bosët e prodhimit dhe tregu të produkteve “vrasëse” të qumështit e ka vënë shtetin në gjumë me “biberonin” e korruptimit

Përparim Halili