Presidenti Meta: Shteti për fat të keq, nga garanti i vijës së parë i marrëdhënieve të punës që duhet të ishte, është kthyer në shkelësin më problematik të tyre

532
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Vlerësimin Kombëtar Tematik të Qendrës për Çështjet e Informimit Publik ku u diskutua “Shqyrtimi Gjyqësor Administrativ në Republikën e Shqipërisë 2017-2018”, me temë të veçantë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”.

 

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës, pasi shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë veprimtari, theksoi se: “personalisht dëshiroj të ndalem më shumë në fjalën time në ‘Marrëdhëniet e Punës dhe Mbrojtja e tyre në Gjykatë’.

 

Republika e Shqipërisë i ka dedikuar një vend të posaçëm në Kushtetutë punës dhe të drejtave socialo-ekonomike.

 

Respektimi i lirive, të drejtave ekonomike dhe objektivave sociale, janë themelet e mirëqenies shoqërore.

 

E drejta për punë është e drejtë universale, sepse pa punë nuk ka mirëqënie, nuk ka zhvillim, dhe as nuk mund të pretendohet që marrëdhëniet familjare të jenë solide.

 

Vetë qëllimi për të cilin shteti ekziston është krijimi i mirëqënies dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet punës, iniciativës së lirë ekonomike, konkurencës së ndershme dhe garantimit të një mjedisi ku secili individ të ketë shanse të barabarta për t’u zhvilluar dhe për të shprehur potencialin e tij.

Nëse shteti, rolin e tij si rregullator e garantues e ushtron në mënyrë objektive, atëherë mjedisi ku ndërtohen marrëdhëniet e punës bëhet i dobishëm për këdo, pavarësisht mundësive, apo aftësive profesionale të ndryshme të gjithësecilit.

 

Kushdo pa asnjë paragjykim, apo diskriminim, meriton dhe ka të drejtë që të ketë një shans për të kontribuar nëpërmjet punës në shoqëri dhe në familje.

 

Shteti ynë ka ratifikuar konventa që promovojnë të drejtat dhe dinjitetin në punë. Kuvendi, ka miratuar ligje që e bëjnë Shqipërinë ndër vendet me legjislacionin e plotë për garantimin e marrëdhënieve të punës.

 

Legjislacioni ynë që rregullon marrëdhëniet e punës është i plotë, por cilësia e zbatimit të tij në sektorin publik, është ende shumë problematike.

 

Klasa politike miraton ligje dhe raportojnë përpara organizmave ndërkombëtare se ligjet e Shqipërisë janë me standarde evropiane, por, nga ana tjetër zbatimi i tyre bëhet sipas dëshirës, apo interesit të ngushtë dhe kalimtar!

 

Shqipëria realizoi një reformë ligjore në administratën publike, miratoi statusin e ri të nëpunësit civil dhe përmirësoi ndjeshëm Kodin e Punës.

Megjithëse legjislacioni u përmirësua ndjeshëm dhe u krijuan standarde për garantimin dhe mbrojtjen e marrëdhënieve të punës, praktika e analizuar nga rezultatet që na sjell sot INFOÇIP-i, na çojnë në konkluzionin se:

 

Sektori publik këto ligje nuk i ka zbatuar siç duhet, për të mos thënë që në shumë raste i ka neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme ato.

 

Në nëntor 2013, fillimi nga funksionimi i Gjykatës Administrative, ishte hapi i parë pararendës i Reformës në Drejtësi. Gjykatat Administrative u bënë argjinatura garantuese e të drejtave të punës, edhe në frymën e vetë reformës në Administratën Publike.

 

Ky është një mision fisnik, për realizimin e të cilit Gjykatat Administrative duhen mbështetur me trupën e nevojshme të gjyqtarëve dhe personelin ndihmës, me qëllim që çdo pretendim që lidhet jo vetëm me marrëdhëniet e punës, të shqyrtohet në afatin më të shpejtë.

Nga shqyrtimi i të dhënave që sjell sot INFOÇIP-i në këtë forum, rezulton se, rastet e heqjes së padrejta nga puna, qoftë për pjesën e administratës së Shërbimit Civil, qoftë në pjesën tjetër të sektorit publik, janë një realitet konkret, i cili është i hidhur, dhe që zë një peshë të konsiderueshme në ngarkesën e përgjithshme të sistemit gjyqësor.

 

Numri në rritje i konflikteve gjyqësore me objekt marrëdhëniet e punës, e kombinuar nga ana tjetër, me një trupë gjyqësore ende të paplotësuar sipas kërkesave të ligjit, ka krijuar vonesa në shqyrtimin gjyqësor, jo vetëm të këtyre çështjeve, por në tërësi duke sjellë kështu shkelje të standardit kushtetues, si dhe të parashikimeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të garancive për një gjykim të shpejtë, të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm.

 

Studimi që INFOÇIP-i prezanton sot reflekton se, gjatë viteve 2017-2018 në Gjykatën e Apelit Administrativ, shqyrtimi i çështjeve të marrëdhënieve të punës përbën 30% të totalit të vendimarrjes së kësaj gjykate.

 

Sipas të dhënave që u sollën këtu nga INFOÇIP-i, Gjykata Administrative e Apelit në vitet 2017-2018 ka dhënë 10289 vendime themeli, nga të cilat 3001 vendime themeli, u përkasin çështjeve me objekt marrëdhëniet e punës.

 

Po sipas studimit rezulton, se 77% e padive për marrëdhëniet e punës u zgjidhën në favor të paditësit, pra në favor të punonjësit që është hequr padrejtësisht nga puna, apo i është cenuar një e drejtë që buron prej saj.

 

Ndërkohë që, nga evidencat e vendimarrjes së Gjykatës së Lartë në tre vitet e fundit, çështjet që kanë të bëjnë me përllogaritjen e pensioneve, sigurimeve shoqërore, përbëjnë rreth 60% të ngarkesës së punës vendimarrëse të kësaj gjykate.

 

Një tjetër e dhënë që rezulton nga ky studim është fakti se vetëm për vitet 2017-2018, taksapaguesit shqiptarë do të duhet të paguajnë 15 milion Euro më shumë, për të shlyer dëmin që kanë shkaktuar administratorët publikë përmes shkarkimeve të padrejta nga puna.

 

Referuar këtyre të dhënave është evidente që veprimtaria shtetërore nuk ka ndjekur shinat që i cakton ligji për respektimin e marrëdhënieve të punës, sa kohë që, konflikti gjyqësor midis individit dhe punëdhënësit shtet është në nivele alarmante.

 

Shteti për fat të keq, nga garanti i vijës së parë i marrëdhënieve të punës që duhet të ishte, është kthyer në shkelësin më problematik të tyre.

 

Këto të dhëna janë të rëndësishme për të analizuar objektivisht situatën dhe për të hartuar politika konkrete dhe masa konstruktive. Është e nevojshme që, të gjitha institucionet përgjegjëse, si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Departamenti i Administratës Publike, Inspektoriati Shtetëror i Punës, Komisioneri i Shërbimit Civil, Sindikatat, të angazhohen objektivisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj gjendjeje.

 

Ndërkohë që disa institucione duhet të zgjohen nga letargjia ku kanë rënë dhe të marrin menjëherë masat menjëherë, pa asnjë vonesë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe gjithë mekanizmat e tjerë të kontrollit shtetëror të efiçensës së përdorimit të financave publike, duhet të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe çdo person përgjegjës.

 

Është e papranueshme që ngarkesa në sistemin gjyqësor, apo dëmet në buxhetin e shtetit, të vijnë nga po vetë institucionet publike nëpërmjet keqfunksonimit të tyre, ndërkohë që të gjitha kostot që vijnë nga këto procese gjyqësore, duhet t’i paguajë e gjithë shoqëria dhe të gjithë taksapaguesit e pafajshëm.

 

Ka ardhur koha që të shtrohet për diskutim dhe për t’u miratuar me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkte të zyrtarit publik kur ai shkakton pushime të padrejta nga puna.

 

Me përgjegjësi direkte të zyrtarit, nënkuptoj qoftë përgjegjësisë penale të tij, përgjegjësi, kjo e cila duhet të qartësohet edhe më shumë si një dispozitë e veçantë në Kodin Penal, por edhe përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë financiare për çdo dëm që i shkaktohet buxhetit të shtetit.

 

Ka ardhur koha që të sanksionohet me ligj që në rastet e pushimeve të padrejta nga puna, fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë në ngarkim zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë dhe që gjykata e ka konstatuar si shkelje.

 

Dëmi nuk mund t’i ngarkohet më taksapaguesve shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi për këtë situatë, përkundrazi janë të dëmtuarit kryesorë.

 

Ndërkohë, mendoj se në këtë treyezë është e nevojshme të përmendim dhe të diskutojmë edhe mbi sektorin sindikal, i cili ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë drejtim, sidomos përpara se një çështje pune të përfundojë në gjykatë.

 

Kontratat kolektive duhen garantuar përpara se ato të zgjidhen padrejtësisht nga administratorë publikë apo privatë të papërgjegjshëm.

 

Sindikatat duhet të rikthehen në rolin e vet të natyrshëm, të garantuesit dhe promovuesit të kontratave kolektive të punës.

 

Dialogu social dhe garantimi i kontratave kolektive duhet të rigjejë një artikulim të ri dhe mbi të gjitha të efektshëm në promovimin e të drejtave në punë.

 

Së bashku me rolin garantues të gjykatës, kjo mund të ishte zgjidhja e duhur për të respektuar më mirë të drejtat në punë në Republikën e Shqipërisë.

 

Një sistem qeverisës që nuk promovon punën dhe burimet e ligjshme të jetesës, është një sistem i destinuar të dështojë.

 

Kuvendi dhe qeveria, duhen të bëjnë çmos që e gjithë forca kryesore e punës, ta japë kontributin e vet këtu në Shqipëri, duke ofruar mundësi, por edhe siguri për të drejtat në punë për të gjithë të rinjtë me qëllim dekurajimin e tyre për t’u larguar nga vendi.

 

Përfitoj nga rasti të falënderoj INFOÇIP-in për këtë vlerësim tematik kombëtar, por dhe mbështetësit e saj, Ambasadën Suedeze në Tiranë, ‘Olof Palme Internacional Centre dhe National Endowment for Democracy’, që bënë të mundur realizimin e këtij monitorimi!

 

Dhe meqenëse tema kryesore ka të bëjë me punën, ju uroj: Punë sa më të mbarë!”, – u shpreh Presidenti Meta.

 

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ambasadori suedez Johan Ndisi, kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Komisionerja e Shërbimit Civil Pranvera Strakosha, Drejtori Ekzekutiv i INFOÇIP-it Gert Shella, Drejtori i Përgjithshëm i ISP-së Arben Seferi, përfaqësues të KLSH-së, të Qendrës për të Drejtat në Punë, si edhe të organizmave ndërkombëtare e vendase të shoqërisë civile.