Policia e Flamur Nokës mbron firmën turke në Mirditë

746
Sigal

Banorët e zonës: Ndihemi të mashtruar, por edhe pse po na arrestojnë, nuk do t’i ndalim protestat

Ka më shumë se dy vjet e gjysmë që firma turke “AYDINER INSAAT” me disa firma të tjera nënkontraktuese janë sistemuar në vendin e quajtur baza mekanike e fshatit Ndërfushaz rreth 3 km në veri të qytetit Rrëshen, të cilat kanë fituar tenderimin për ndërtimin e Hidrocentralit në luginën e lumit Fan i Madh që është zonë e Mirditës.

Mashtrimi për punësim

Ky lajm gëzoi jo vetëm qytetarët e Rrëshenit, të Rubikut dhe të rrethinave rreth tyre, por të gjithë banorët e Mirditës, që shpresonin punësimin e tyre që për ta do ishte zbutja e varfërisë në tërë këtë komunitet, por fatkeqësisht deri më tani ka mbetur vetëm si një ëndërr dhe dëshirë e shumicës së mirditorëve. Kanë kaluar shumë kohë nga fillimi i punës në këtë kaskadë, e çuditërisht punohet në sektor të ndryshëm me cingërima punëtorësh dhe këta të marrë në rrugë jo zyrtare, ku për fat të keq Zyra e Punës në Mirditë ka pranuar heshtjen ndaj kësaj firmë, që sipas një informacioni të marrë në rrugë konfidenciale dëshmojnë se punësimi ka vijuar me një shpërblim nga 400 deri në 600 euro për çdo punonjës të punësuar. Prania e punësimit nga rrethet fqinje si dhe lënia jashtë saj e mjaft banorëve të Mirditës si dhe dominimi i punonjësve Turq mbi ata Shqiptar, është tërësisht faji i drejtuesit të Zyrës së Punës z.Preng Nikolli dhe i stafit të tij, që i lanë dorë të lirë firmës “AYDINER INSAAT”, e cila jo vetëm që ka ofenduar dy Kryetarët e Bashkive Rrëshen dhe Rubik përkatësisht z.Ndue Gega dhe z.Gjokë Vuka, si dhe Kryetarin e Komunës Orosh, Aleksandër Lala, për premtimin që u ka dhënë për të punësuar banorë nga fshatrat e këtyre institucioneve, që janë në periferi të zonës, ku ndërtohet hidrocentrali. Firmë, e cila i ka lënë jashtë regjistrimit për punësim.

Problem, dëmshpërblimi i tokës

Ata që mbetën jashtë kësaj kënaqësie janë dhe banorët e fshatit Qaf – Mollë të Bashkisë Rrëshen, që janë përballuar me firmën pasi pretendojnë se vendi, ku do ndërtohet Hidroenergjetiku është tokë, pronë e tyre dhe kërkojnë dëmshpërblimin e saj. Nga kundërshtimi i kërkesave të banorëve nga firma në fjalë, ka ardhur reagimi i rreptë i këtyre banorëve, reagim i cili ka qenë prezent që atëherë kur është nisur puna për ndërtimin e kantierit dhe me fillimin parapërgatitor në bregun e lumit Fan i Madh, ku do hidheshin themelet e Hidrocentralit. Të dy palët janë shoqëruar me debate të ashpra dhe deri më sot nuk është arritur asnjë marrëveshje qoftë nga firma apo qeveria në largim, që kjo e fundit ka përdorur policinë e Flamur Nokës kundër banorëve, pronar të tokës së kësaj zone, që i kanë detyruar këta të fundit  të kalojnë në veprime të pa dëshiruara, bile disa herë të dhunshme. Siç pohojnë vetë banorët, u kanë dëmtuar mjetet e rënda dhe ato teknike të punës, ku e kanë detyruar firmën që të bëjë disa herë ndërprerje të punës, ku policia e Mirditës dhe ajo e Qarkut Lezhë janë vënë në dispozicion të firmës, ku nga pala e pronarëve ka patur arrestime të përkohshme, për të arritur shuarjen e protestës. Por deri më tani protestuesit deklarohen se pa e zgjidhur problemin e pronësisë nuk do mund të na zbraz askush dhe se këtu asnjëherë nuk do ketë qetësi.

Vëzhgimi

Gjatë një vëzhgimi që bëmë këto ditë në kantierin vega të firmës “AYDINER INSAAT” aty ku po përgatitej e gjithë puna për hedhjen e themelit të hidrocentralit, janë parë prezenca e forcave policore, që prezenca e tyre me ditë të tëra nuk ka mundur të thyej heshtjen që ka pllakosur në këtë kantier dhe asgjë nuk funksionon. Nga të gjitha mjetet teknike e të transportit e deri tek kazma e lopata e krahut të punës, kanë rënë në gjumë të plotë dhe nuk dihet se sa do zgjasë, pasi banorët janë të vendosur për dëmshpërblime. Për të mësuar se si do të zgjidhet kjo situatë, menduam të intervistonim drejtuesin e kantierit “Vega”, që ka pjesën më të madhe e kryesore të ndërtimit të këtij hidrocentrali z. Skënder Itah, por sipas punonjësit të postbllokut mu kërkua të prisja për pak kohë pasi z.Skënder ishte i zënë dhe çuditërisht pas një ore pritje, po nga i njëjti punonjës në postbllokun e këtij kantieri morëm lajmin e kundërshtisë së tij, me pretendimin se z. Skënder ishte “shumë i zënë”.

Për të njëjtën punë, turqit paguhen më shumë se shqiptarët

Sipas një dëshmie konfidenciale të dhënë nga vetë punëtorët e këtij kantieri, të cilët nuk duan të identifikohen, për arsye që dihen (frika e largimit nga puna) pohojnë për gazetën se kjo firmë së shpejti do të përballet dhe me protestën e punëtorëve shqiptarë për dallimin e ndjeshëm midis punëtorëve shqiptar dhe atyre turq. Ata deklarojnë se firma nënkontraktore “FERMANOGLU”, me firmën “AYDINER INSAAT” dhe disa firma të tjera si kjo, bëjnë dallime në paga midis punonjësve turq dhe atyre shqiptar, ku për të njëjtin vend pune e për të njëjtën kategori, punëtorët turq paguhen disa herë më shumë se sa punëtorët shqiptar, ku paga e një turku arrin deri në 1800 euro në muaj, ndërsa e punëtorëve shqiptar deri në 600-800 euro. Dallim ka dhe në kohën e pagesave, ku shoferët që janë pjesë e firmës paguhen rregullisht për çdo muaj, ndërsa shoferët e tjerë që janë punësuar bashkë me mjetin e tyre, u zgjatet paga pa dhënë deri në 4 muaj.

Ndue Marku: “Banorët kanë dokument të kohës së Zogut”

Për dëmshpërblimin që kërkojnë pronarët e tokës, ne mundëm të kontaktonim me drejtuesin e institucionit të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme të Rrethit Mirditë z. Ndue Marku, i cili pranoi të jepte këtë prononcim për gazetën “Telegraf”. Marku tha: “Pretenduesit e tokës, ku po ndërtohet hidrocentrali disponojnë një dokument të kohës së Zogut që mban vitin 1924, që thuhet se është pronë e tyre, por këtë dokument nuk e kanë paraqitur në kohën e duhur në Komisionin e Kthimit e të Kompensimit të Pronave që do i bënte këta pronar të ligjshëm të tokës. Për institucionin tonë kjo tokë njihet pronë e shtetit”, kështu e mbyll prononcimin e tij Ndue Marku, pa shpjeguar formën se si do të zgjidhet kjo mosmarrëveshje midis banorëve Qafë-Mollë dhe firmës “AYDINER INSAAT”.