Po me shkallaret ç’patën?!

749
Agron MEMA

SARANDË: Dega e PD-së së Sarandës ka zhvilluar një tubim denoncues ndaj punimeve të nisura në qytet në rikonstruksionin e shkallareve të qytetit. Punimet e nisura në muajin Janar të këtij viti me afat përfundimi, brenda gjashtëmujorit të parë të 2018-ës kanë ndeshur qysh në fillim kundërshtinë e qytetarëve të Sarandës. Ajo që dëgjon kudo ditë në mjediset e qytetit është fjala se “ç’farë iu bënë shkallet e gurta, ç’dëm sollën ato në qytet?!”. Dhe ky refren dëgjohet përditë pa pasur asnjë reagim nga pushteti lokal, as për sqarim dhe as për transparencë, duke u mjaftuar me një tabelë të fshehur pas shkurreve dekorative të shëtitores. Asnjë takim me grupe interesi, asnjë kokëçarje ndaj reagimit publik. Një shpërfillje totale e komunitetit. Por dega e PD-së së Sarandës ka bërë publike fakte shqetësuese, se ky projekt nuk ka kaluar, jo vetëm për miratim, por as për prezantim në këshillin bashkiak të qytetit. Ashtu si dhe e ashtuquajtura pedonale që çuditi edhe vetë kryeministrin Rama me mungesën e cilësisë së punimeve dhe sot, nga funksioni fillestar i investimit si pedonale, është kthyer në një nga parkimet më të mëdha në Republikë. Ajo që çudit qytetarët është fakti se, kush u jep fuqi pushtetarëve lokalë deri në këtë shpërfillje të komunitetit dhe moskokëçarje karshi shtetit? Po ç’farë janë shkallaret? Ato vijnë vertikal nga rrugët kryesore drejt detit. Zanafillën e kanë qysh nga koha e Mbretit Zog dhe periodikisht në zhvillimin urban të qytetit ndër vite. Shkallaret qenë me gurë të latuar e të skalitur nga dalta e mjeshtërve më në zë të kohës, mbuluar me ‘Bukovilen’ karakteristike , sjellë nga Stambolli si dhuratë për qytetin e poetit kombëtar, Naim Frashëri në kohën që punonte si doganier në Sarandë. Dalëngadalë vitet e tranzicionit e zbehën prezencën e kësaj luleje të mrekullueshme e të rrallë. Mbetën vetëm gurët e skalitur si dëshmi autentike, historike dhe objekt turistik. Por një ditë edhe këtyre u erdhi çekiçi i fadromave. Pse?! Ndaj qytetarët pyesin dhe bëjnë retorikë mes njëri-tjetrit, se ç’farë dëmi i bëjnë shkallaret Sarandës?! Por hasin në shurdhëri, si dhe herë të tjera. Ato po shtrohen me mermer të bardhë, ç’ka u humbet funksionin e tyre, për shkak të reflektimit të rrezeve diellore mbi bardhësinë e mermerit, apo rrezikun e shkarjes, sidomos për të moshuarit, nga lagështia mbi sipërfaqen e lëmuar të mermerit. Por ajo që shqetëson qytetarët është se, çfarë dëmi sillnin shkallaret që i prishëm dhe po investojnë gati 1 miliard lekë për rikonstruksionin e tyre në katër korridore të qytetit. 
Sigal