Aktiviteti i Lidhjes së Prizrenit dhe fundi i Mehmet Ali Pashës në Gjakovë

1299
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Në situatën e rëndë shoqërore dhe politike të vitit 1862, Porta e Lartë pati dërguar në Malësinë e Gjakovës, Maxhar Pashën (Mehmet Ali Pashën) në krye të një ushtrie prej 12 taborësh, me mision zbatimin me forcë të reformave të Tanzimatit. Maxhar Pasha ka qenë me origjinë nga Hungaria. Emri i tij i vërtetë ka qenë Sharli Detru. Ai është konvertuar në mysliman në moshën 16 vjeçare, kohë kur ka marrë edhe emrin e ri Mehmet Ali Pasha. Në Kosovë, në Malësinë e Gjakovës dhe më gjerë, mbahet mend si një pasha osman i dhunshëm, hakmarrës dhe antishqiptar, e që për këtë shkak është vrarë në Gjakovë në Shtator 1878. Në betejën e vitit 1862 të fituar nga malësorët, janë djegur dhe shkatërruar shumë fshatra dhe banesa, si dhe janë vrarë dhe internuar shumë familje nga e gjithë Gjakova dhe malësia rreth saj. Në këtë betejë kanë marrë pjesë të gjithë burrat e malësisë së Gjakovës, nga Gashi, Krasniqja, Bytyçi, Nikaj-Mërturi, Shala, Shoshi dhe krahinat e tjera të Luginës së Drinit. Beteja e e vitit 1862 është mbyllur me luftën trup me trup e cila është zhvilluar në Krasniqe të Malësisë së Gjakovës e ku ushtria osmane është mundur duke lënë rreth 1500 ushtarë të vrarë e të mbytur në Lumin e Valbonës Pas kësaj humbje, Maxhar Pasha e ka tërhequr ushtrinë në Gjakovë, ku ka bërë dhunime dhe arrestime në masë, përfshirë këtu edhe familjen e Shaqir Currit që e arrestoj dhe e nisi për në burgun e Prizrenit. Me këtë rast, gjatë rrugës për në Prizren, në vitin 1862, në qerren e transportit, në fshatin Krushë, ka lindur Bajram Curri, të cilit i shkoj jeta në rrugën e lirisë. Në vitin 1878, Maxhar Pasha (Mehmet Ali Pasha) është rikthyer përsëri në vendin e krimeve të tij, në Gjakovë. Mesa duket, pashai osman e kishte harruar humbjen e vitit 1862, kishte harruar edhe krimet e kryera dhe nuk i kishte vlerësuar si duhet paralajmërimet serioze të shqiptarëve. Para nisjes për në Gjakovë, Maxhar Pasha ka korruptuar një pjesë të madhe të parisë së malësorëve duke i marrë ata si dorëzanë, dhe më pas “në dorën e të korruptuarve”, është ardhur në Gjakovë për t’ia dorëzuar Malit të Zi krahinat shqiptare të Plavës, të Gucisë, të Grudës dhe të Malësisë së Gjakovës. Krahasuar me betejat e viteve 1845, 1862, 1871, 1876, në vitin 1878, për shkak të aktivitetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ishte bërë më e kuptueshme dhe më e organizuar. Dihet që pjesa më e madhe e personazheve dhe drejtuesve të Lidhjes së Prizrenit, janë vrarë në beteja, në atentate, etj. Kështu janë eliminuar Col Delia, Ali Ibra, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ali Pashë Gucia, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica etj. Kujtoj faktin që sa herë që diskutohet për këtë temë, nga të gjithë thuhet që shpirti dhe vepra më e ndritur e kësaj ndërmarrje të madhe politike, ka qenë dhe mbetet Ymer Prizreni, ish-kryetari i lidhjes së Prizrenit. Ky patriot ka qenë barriera më serioze ndajë Sulltanit dhe ndaj administratës otomane që vepronte duke vjedhur, shkatërruar dhe falur krahinat dhe popullsinë shqiptare. Mehmet Ali Pasha, përveç dorëzanëve të korruptuar që kishte marrë me vete, erdhi në Gjakovë i shoqëruar edhe nga një numër i madh ushtarësh të sprovuar në beteja. Në këto kushte, prijësit popullorë të Malësisë së Gjakovës, Col Delia, Ali Ibra dhe Haxhi Zeka, bashkë me Ali Pashë Gucinë, Ymer Prizrenin dhe Ahmet Koronicën, në Shtator 1878, kanë planifikuar dhe organizuar rrethimin dhe ekzekutimin e Mehmet Ali Pashës në sarajet e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë. Maxhar Pasha e pati marrë sinjalin e kundërshtisë që me 27 Gusht 1878, kohë kur pati thirrur parinë e shqiptarëve në Prizren për të bërë marrëveshje me ta e për t’u kërkuar atyre kalimin pa luftë të Plavës e të Gucisë nën administrimin e Malit të Zi. Në këtë kohë kur pashai osman iu kërkonte shqiptarëve marrëveshjen e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë, Ramadan Zaskoci nga Luma e Kukësit, në shenje mosbindje, ka vrarë Sokrat Argiragin, telegrafistin e Maxhar Pashës me origjinë greke. Maxhar Pasha nuk e përfilli as këtë sinjal dhe as revoltën e shqiptarëve të malësisë së Gjakovës, të Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Nikshiqit, të Krajës etj. Këtë idiotësi e bëri, për shkak se ai besonte shumë tek fuqia ushtarake që e shoqëronte dhe tek dorëzanët që kishte korruptuar e që realisht nuk i përfilli askush, madje as kushërinjtë dhe as të afërmit e tyre. Njëri nga këta dorëzanë ka qenë vetë Shaqir Curri, baba i Bajram Currit, të cilin e ka vrarë Col Delia, një luftetarënga vetë fisi i familjes Curri. Për të arritur deri tek pashai që ishte mbyllur në novojtore, Col Delia i Krasniqes, me 6 Shtator 1878, ka ecur mbi gjak dhe kufoma ushtarësh të vrarë nëpër shkallë dhe në korridore. Në mbrojtje të pashait osman, në minutat e fundit të jetës së tij, kishte mbetur Shaqir Curri, njeriu me më influencë të madhe në Gjakovë dhe më gjerë. Në këto kushte, Col Delia e ka vrarë Shaqir Currin tek dera, pas tij ka vrarë edhe Maxhar Pashën, aty për aty është vrarë edhe vetë nga një bodigardi i pashait. Vite më vonë, Bajram Curri, në mënyrë publike, ia ka falur gjakun e babës familjes së Col Delisë. Këtë veprim të drejtë e kanë përshëndetur dhe respektuar të gjitha familjet dhe fiset e Gjakovës, të Hasit, të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë. Kjo për faktin se Shaqir Curri, nga i internuar në vitin 1862, rreth 16 vite më vonë, në vitin 1878, doli kundër zakonit, kundër rrugës dhe fatit të njerëzve dhe vendit të tij. Në Gjakovë dhe rrethina, akoma tregohet mënyra se si në atë rrethim të Shtatorit 1878, i mbyllur në kullë dhe i mbetur pa ujë, Maxhar Pasha iu ka kërkuar kryengritësve me këmbye një kovë ujë me një kovë napolona flori, kërkesë që është kundërshtuar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e Janarit 1877 dhe Lidhja e Shkodrës (1879), e bën rezistencën shqiptare më të organizuar dhe më të forte sepse administratës osmane iu bë e ditur që pa praninë e të zotëve të vendit, nuk duhet të merret asnjë vendim e nuk duhet të firmoset asnjë marrëveshje. Megjithatë, rezistenca e armatosur e forcave të lidhjes më në krye Ali Pashë Gucinë, nuk e ndaloj dot aneksim e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës etj, por ka ndikuar për mirë në reduktimin e përmasave të katastrofës dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre. Edhe pas vrasjes së Maxhar Pashës, oreksi dhe përpjekjet e fqinjëve për zgjerimin e territoreve duket që nuk është ndalur. Për këtë arsye, nga përfaqësuesit e Lidhjeve Shqiptare është përdorur edhe një rrugë tjetër. Në këto kushte përfaqësuesit e Lidhjes e kontaktuan dhe e paralajmëruan Komisionin Ndërkombëtar të Kufirit që vepronte në terren. Në këtë mënyrë, më 22 gusht 1879, në ditën që ky komision do të shkonte për në Plavë dhe Guci, i paraqiti një letër kërkesë autoriteteve të Fuqive të Mëdha përmes të cilës i kërkonin mosndryshimin e kufirit ekzistues të shqiptarëve me Malin e Zi, pa biseduar dhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Lidhjes së Prizrenit. Pas kësaj letre, komisioni e ka pezulluar udhëtimin drejt Plavës dhe Gucisë dhe punën në terren. Përballë kësaj situate, shteti i konsoliduar i Malit të Zi, ka protestuar fuqishëm ndaj Fuqive të Mëdha, të cilat e detyruan Perandorinë Osmane që të zgjidhte situatën, duke falur territoret, bregdetin dhe bjeshkët e popullsisë shqiptare.

Porta e Lartë ka luajtur lojën e njohur antishqiptare të identifikimit dhe të trajtimit të shqiptarëve si turq. Në atë kohë, administrata osmane kishte nxjerrë edhe një udhëzim antishqiptar përmes të cilit iu kërkohej kryengritësve shqiptarë që të heshtin e të heqin dorë nga identiteti dhe territoret e tyre. Në këtë kuadër, administrata osmane njoftonte që për familjet shqiptare që nuk donin të jetonin nën qeverisjen e shtetit të Malit të Zi, do të kishte lehtësira për lëvizjen e tyre drejt vendbanimeve të reja në Azi. Sipas këtij modeli që në atë kohë dhe më vonë është quajtur “shkëmbimi i popullsive dhe territoreve”, mijëra shqiptarë humbën përgjithmonë identitetin, tokat dhe banesat e tyre dhe u degdisën në krahinat e ftohta e të largëta të Azisë. Kjo tragji-komedi ka ndodhur në kushtet e njohura të autoktonisë së shqiptarëve, ka ndodhur kur dihej nga të gjithë që shqiptarët nuk kishin ardhur me turqit, as nuk ishin turq dhe as nuk kishin pse të vishnin lëkurën e zezë të fajeve dhe të krimeve osmane në rajon e më gjerë. Që nga viti 1385 e deri më sot, janë mbi 630 vite të mbushura me dhunë dhe me idiotësi politike e shtetërore otomane dhe otomano-komuniste. Shqiptarët autoktonë, gabimisht janë trajtuar dhe cilësuar si myslimanë turq apo si mbetje të perandorisë osmane. Është një sajesë e vjetër antishqiptare që nuk ka asgjë të vërtetë e që po përdoret vetëm për të varfëruar, përçarë dhe reduktuar territoret dhe potencialet njerëzore dhe natyrore të shqiptarëve. Për shkak të kësaj idiotësie dhe qasje të gabuar ndaj kombit, origjinës, identitetit dhe fesë, Shqipëria ka humbur shumë kohë të çmuar dhe sipërfaqe të territorit, nga 126000 km2 që ishte në vitet 1845-1878, ka arritur në 28750 km2, në vitin 1913. Nga kjo maskaradë e gjatë shoqërore dhe politike, Shqipëria nuk ka humbur as më pak dhe as më shumë se 77,8% e territorit të saj.