Përplasja në mazhorancë, Braçe kundër ndërtimeve

607
Deputeti i PS kritikon dhënien e lejeve të ndërtimit dhe gjendjen në kryeqytet
Deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë e Financave, Erjon Braçe, ka kritikuar situatën e krijuar në Tiranë me ndërtimet dhe lejet e dhëna nga bashkia. Në një mesazh publik, Braçe e ka cilësuar si të pajetueshme gjendjen e krijuar dhe ka përmendur disa ndërtime të realizuara në hyrje të parkut të liqenit.

Mesazhi i Braçes
Lali, na thuaj ku të jetojmë pa frikë, pa mbyllur penxheret që të mos na shohin e mos na dëgjojnë kur jetojmë! 
17 vite më parë, kur hyra në shtëpinë ku jetoj, shihja lindjen e diellit, perëndimin e tij, më përplasej në fytyrë flladi i veriut! 17 vite më pas, unë jam në të njëjtën shtëpi. Por, nuk shoh më lindjen e diellit (foto 1) – para 5 vitesh erdhi njëri që s’e njoh dhe ndërtoi 11 kate, ky pallati i bardhë, ngjitur me të erdhi Samiri dhe ndërtoi e po vijon ta ndërtojë këtë kullën, ende gri; nuk shoh më perëndimin e diellit (foto 2) – para 6 vitesh erdhi Samiri dhe ndërtoi këtë shëmtinë 22 a 23 kate; nuk do më përplaset më në fytyrë në ballkonin tim, flladi i veriut. Bashkia Tiranë, në mars paska dhënë një leje për një përbindësh 12 kate, përballë, mu në fytyrë për mua dhe thuajse po në surrat dhe komshinjve të mi! Shoh foton e përbindëshit dhe kuptoj se, duhet të lyej xhamat me bojë të zezë që të mos më shohë ai që do të banojë në përbindëshin e ri, të mbaj mbyllur përfundimisht penxheret që të mos më dëgjojë kush nga ata që do popullojnë përbindëshin e ri! Kjo është e ardhmja dhe siç e shihni, shtëpia ime do të jetë e pajetueshme! E dini pse? Jo për arsye zhvillimi! Fare! Prej babëzisë këtë herë të Pandi Carapulit dhe një ish-deputeti që e la politikën dhe i ka parë hairin vendimeve të saj, në favor të tij natyrisht! Janë këta që nuk pyesin për jetën e kujt, por për fitimet e tyre. Jam i bindur që bëjnë atë llogarinë e tyre, metër kaq, herë 2000 euro për metër, bëjnë kaq dhe janë mbi disa milionë euro! A është zhvillim ky? Kurrë! Zhvillimi ka lidhje me interesin publik, jo thjesht e vetëm me atë privat, babëzinë CaraMirit!

Ky qytet po ndryshon, diku nga interesi publik dhe për mirë dhe, si këtu tek unë, po shkatërrohet nga babëzia e CaraMirëve! Në një rrugë, si tek kjo e imja që po rindërtohet dhe, do të shkatërrohet menjëherë sapo Pandi të nisë të ndërtojë përbindëshin e ri!

Tani kam nja dy pyetje për Lalin: Ej, a e ke parë territorin ku ke dhënë këtë lejen? A e ke parë çfarë dendësie ka këtu – pallati im 13 kate, ai në krah dyfish më i madh po 13 kate, përballë 14 kate, ai i bardhi 13, Samiri i lindjes 18, Samiri i perëndimit 22, ngjitur me të 9 dhe 11 kate të tjera? Ku do jetojmë, o Lal? Do thithim ajër apo aromën e njëri-tjetrit? Dhe pse, që të fitojë Pandi ca miliona të tjera? Kjo nuk quhet më lagje Erjon, geto pa as më të voglin diskutim! Tani, gjeji rrugë këtyre për kantierin që iu ke lejuar! Nga rruga e re këta nuk kalojnë, harrojeni! Ndryshe unë i pari do kallëzoj për shkatërrim prone! Gjeji dhe orarin për të punuar! Ndryshe unë i pari do kallëzoj për prishje të qetësisë publike! Se iu ke dhënë leje të ndërtojnë 3 vite rresht!!
Sigal