Pasuria liqenore e ndërthurur mjeshtërisht me larmishmërinë e llojeve të peshqve

9482
Në raport me sipërfaqen gjeografike të saj, Shqipëria është shumë e pasur me liqene. Krahas liqeneve të mëdhenj të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës gjenden disa dhjetëra liqene të vegjël të mrekullueshëm dhe shumë liqene artificiale mjaft atraktivë. Interesant është fakti që çdo liqen i madh në Shqipëri përbën një rekord në gadishullin e Ballkanit. Liqeni i Shkodrës është liqeni me sipërfaqe më të madhe në Ballkan, 368 km katror, nga të cilat 149 km2 me një gjatësi brigjesh prej 57 km i takojnë Republikës së Shqipërisë. Liqeni i Ohrit është liqeni me thellësinë më të madhe në Ballkan, 289 m i thellë. Liqenet tektonike të Prespës ndodhen në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit duke përbërë liqenet më të larta tektonike të gjithë gadishullit Ballkanik. 
Liqeni i Shkodrës
Liqeni i Shkodrës gjendet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai ka një breg shumë të bukur edhe të larmishëm të tipit të ulët të “marsheve” në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet e Shirokës dhe të Zogajt. Fauna e liqenit të Shkodrës është një nga më të pasurat në Shqipëri. Në këtë liqen dhe në natyrën përreth tij jetojnë 45 lloj peshqish dhe 281 specie shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87 % të gjithë Ortinofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është patjetër pelikani, zogu më i madh në Europë. Llojet e peshqve më të famshëm janë krapi, qefulli, ngjala dhe blini.
Llojet e peshqve që jetojnë në ujërat e liqenit të Shkodrës
Krapi 
Krapi është peshk i ujërave të ëmbla, bën pjesë në familjen Cyprinidae, një familje ku bëjnë pjesë shumë lloje të tjera të këtij lloji. Është peshk gjithçkangrënës, dhe ushqehet kryesisht me alga, bimë ujore, krimba, kërmij e gjallesa të tjera ujore. Mund të arrijë përmasa prej 100-110 cm dhe peshë prej 15-20 kg. Në Shqipëri, krapi është i përhapur në shumicën e liqeneve të cekëta dhe ato artificiale, por përmasat më të mëdha i arrin në Liqenin e Shkodrës dhe në Liqenin e Fierzës.
Qefulli
Qefulli ekziston në disa variete te ndryshme te tij. Te zakonshëm janë llojet e kësaj specie që në zhargonin e peshkatarëve te brigjeve tona quhen :
Qefulli gushtak 
Shtrire thuajse në gjithë vijën e bregdetit tone, di dhe në liqenin e Shkodrës dhe është mjaft i shijshëm.
Qefulli i lagunave 
Rritet në ujërat e lagunave siç janë ato te Karavastasë, Butrintit, Nartës dhe në grykëderdhjet e lumenjve apo kanaleve te ndryshme, si dhe në liqenin e Shkodrës. Ky lloj peshku ka një trup thuajse cilindrik me forme te mprehte te kokës, me shume luspa. Spektri i ngjyrave te lëkurës nis nga bluja e grija e erret në kurriz vazhdon e argjende dhe përfundon e bardhe në pjesën e poshtme te trupit.
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit është një nga liqenet tektonike më të bukur të Ballkanit dhe të Europës. Ai është i vendosur midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky liqen ka një sipërfaqe prej 358 km katror dhe ndodhet në lartësinë 695 m mbi nivelin e detit. Kjo bën që hapësira që ai ofron të ketë një klimë mjaft komforte dhe të shëndetshme, sidomos në stinën e nxehtë të verës. Liqeni i Ohrit ka një moshë 4 milionë vjeçare. Këtu gjenden 30 lloje molusqesh dhe Sfungjerin e Ohrit që gjendet vetëm këtu dhe në liqenin Bajkal të Rusisë. Në këtë liqen rritet peshku i famshëm Koran, i cili gjendet vetëm në dy liqene në botë si dhe belushka, një lloj trofte shumë e shijshme. Këto lloj peshqish janë të njohur për karakteristikat e tyre gastronomike të veçanta dhe mjaft elegante. Bregu i këtij liqeni, që i përket Republikës së Shqipërisë, është 30 km i gjatë dhe ofron një infrastrukturë për turizmin duke përfshirë hotele, motele, restorante peshku, klube, etj. Kjo zonë është e njohur veçanërisht edhe për turizmin familjar. Ky breg përveç qytetit të Pogradecit ka dhe pika të tjera të njohura turistike si Lini, Pojska, Tushemishti, etj.
Llojet e peshqve që jetojnë në ujërat e liqenit të Ohrit
Korani
Korani është një specie endemike e troftës në liqenin e Ohrit, në Shqipëri dhe Maqedoni.. 
Peshku me famë i liqenit të Pogradecit është endemik dhe i rrallë, tepër interesant dhe ka një origjinë të lashtë. Korani ose si quhet latinisht Salmo letnica, i përket familjes së Salmonideve dhe sipas studimeve, në liqen, ai ndahet në disa lloje të cilat nuk përbëjnë specie më vete por përbëjnë, të themi, populacione të ndryshme të të njëjtës specie, që dallohen mes tyre, vetëm nga koha e riprodhimit, kështu: Salmo letnica balcanus, bie në rriprodhim, pra i jep vezët, në dimër. Salmo letnica typicus, po ashtu bie në riprodhim vezësh në dimër por, me një muaj ndryshim të paktën, me balcanicus. Ky populacion zhvillohet më tepër në brendësi të liqenit. Megjithatë ka raste që u afrohet brigjeve për të kërkuar ushqim. Salmo letnica aestivalis, bie në prodhim vezësh në periudhën maj- qershor. Ky populacion konsiderohet se kërcënohet të zhduket prej peshkimit pa kriter.
Peshkimi në vitet e fundit e ka rrezikuar deri zhdukjen e këtij peshku të rrallë endemik, megjithëse ekzistojnë nisma dhe janë organizuar shumë veprimtari nga të dyja palët për ruajtjen e koranit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka ndaluar peshkimin e koranit me ligj, që nga viti 2004 deri në 2014, ndërsa që prej vitit 2003, ligji mbi peshkimin në Shqipëri ndalon peshkimin vetëm gjatë periudhës së shumëzimit, por për pjesën tjetër të vitit nuk ka kufizime, çka nuk ka penguar peshkimin ilegal dhe mbipeshkimin.
Cironka
Emri i gjinisë së cironkës “Alburnus”, rrjedh prej latinishtes albus, e bardhë, kjo falë ngjyrës së argjendtë, të luspave të peshkut. Emri në sllavisht, belvica ka të njëjtin kuptim, i bardhë. Kjo është një specie endemike nga familja Cyprinidae. Gjuca apo cironka, anash e ka trupin e rrafshët të mbuluar me luspa të imta të cilat janë të ndritshme dhe bien lehtë. Ka gojë të drejtuar nga lart. Penda dorsale fillon nga fundi i pendës së gjoksit dhe përfundon para pendës fundore. Trupi në pjesën e sipërme është në ngjyrë të jeshile në të hirtë, ndërsa nga anash, është i argjendtë në të bardhë dhe ngjyra e barkut është e bardhë.
Liqenet e Prespës 
Liqeni i Prespës së Madhe ndodhet në territorin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë dhe ka një sipërfaqe prej 285 km katror nga të cilat Shqipërisë i takojnë 44 km 2. Liqeni i Prespës së Vogël, me një sipërfaqe 44 km katror ndodhet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Vendit tonë i takon një sipërfaqe e vogël prej afërsisht 4 km 2. Ujërat e liqeneve të Prespës, sidomos Prespës së Madhe, ashtu si dhe liqeneve të tjerë të Shqipërisë, shquhen për një bukuri dhe kthjelltësi të lartë. Përreth liqeneve është mjaft i zhvilluar turizmi rural, ekoturizmi, observimi i zogjve si dhe sporte të ndryshme të ujit. Për të apasionuarit e natyrës liqenet e Prespës përbëjnë një spektakël mbresëlënës sidomos për ata që janë të interesuar për florën ujore. 
Llojet e peshqve që jetojnë në ujërat e liqenit të Prespës
Mrena
Mrena (Barbus barbus) i përket familjes së krapit dhe shenjat dalluese të mrenës janë flatrat e saj të mëdha dhe flatrat e shumta të vogla që i ka trupi i saj dhe në formë plumbi, qe i jep asaj mundësi që të lëvizë shpejt. Mrenat mund të arrijnë madhësi deri në 90 cm dhe pesha e saj mund te arrijë deri në 9 kg. Gjuajtja e saj mund të bëhet me korp ushqyese me tapa dhe me plumba lëvizë në thellësi. 
Liqeni i Butrintit
Liqeni i Butrintit ndodhet në juglindje të Sarandës dhe ka sipërfaqe 16,3 kilometra katrore, thellësia mesatare arrin rreth 14 metra, kurse thellësia maksimale arrin deri në 21 metra, është 7,1 kilometra i gjatë dhe deri në 3,3 kilometra i gjerë. Në zonat përreth liqenit jetojnë 14 lloje kafshësh që janë vlerësuar si të rrezikuara nga shfarosja. Në asnjë zonë tjetër të Shqipërisë nuk janë gjetur kaq shumë lloje kafshësh. Numri i zogjve arrin në 246, janë numëruar rreth 25 lloje reptilësh e 10 lloje amfibësh. Krahas tyre është vërtetuar që jetojnë dhe rreth 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh. Bretkosa epiriote, breshka, boa e rërës dhe zhapiku janë disa nga kafshët tipike. Në liqen gjenden: Breshka e detit, Foka mesdhetare, etj. Qysh prej 1968 në liqen kultivohet rritja artificiale e midhjeve të zeza të detit.
Liqenet e vegjël 
Në hapësirën e Shqipërisë ndodhen edhe dhjetëra liqene të vegjël me origjinë akullnajore, liqene me origjinë karstike dhe liqene artificiale. Nga liqenet e shumta me origjinë akullnajore dallohen kompleksi i 12 liqeneve akullnajore të Lurës, liqenet e Doberdol – Sylbicës në Alpet e Tropojës, liqenet e Balgjait në Bulqizë, liqeni i Zi në Martanesh, i cili është 60 m i thellë dhe mjaft i bukur. Po kështu veçohen, liqeni i Dushkut në Gramsh, 4 liqenet e Rajcës në Librazhd, liqeni i Shelgurit në Ersekë. Liqenet karstike përfaqësohen me 69 liqenet e pllajës së Dumresë, ku dallohet liqeni i Merhojës 960 ha, liqeni i Çestijes 61 metra i thelle, liqeni i Gjatë, i Belshit, i Seferanit, etj. 
Liqenet artificiale 
Ndër liqenet artificiale më të mëdhenj përmendim liqenet e HC të Fierzës, Komanit, Vau i Dejës, Ulzës, Shkopetit. Liqene të tjera artificiale janë ato të Tiranës (55 ha), ujëmbledhësit e Farkës në Tiranë, liqeni i Thanës në Lushnjë dhe Gjancit në Vithkuq të Korçës. Liqenet e vegjël, përveç kënaqësive argëtuese dhe sportive që ofrojnë, kanë rreth tyre një florë dhe faunë mjaft të pasur me bimë, lule, pyje, kafshë dhe shpendë nga më interesantët dhe magjepsësit. Gjithashtu liqeni i Komanit shërben edhe si rrugë lundruese duke ju ofruar pamje mjaft të bukura të ngjashme me “fiordet norvegjeze”.
Sigal