Pas Xhikës edhe Haxhinasto do të thirret nga organet e hetimit për abuzimet në rrugët Tiranë–Elbasan dhe Golem–Rrogozhinë

42
Nuk kanë të sosur zullumet me rrugët shqiptare dhe abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndihmave të huaja por edhe kredive, të cilat në fund të fundit do të paguhen nga brezat e shqiptarëve për vite të tëra duke u lënë atyre një barrë të rëndë sociale mbi kurriz. Sipas një analize të bërë dje nga mediat elektronike theksohej fakti se dymbëdhjetë amendime kontratash janë bërë në rrugën Tiranë-Elbasan nga ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika dhe dy ish-vartësit e tij Aksel Qurduka dhe Albens Alite, të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda këto ndryshim janë kryer në kundërshtim me ligjin, pasi është shmangur Këshilli Teknik i ARRSH-së dhe bordi drejtues. Hetuesit thonë se tre ish-zyrtarët kanë urdhëruar financime të pa justifikuara në këtë projekt, punime të cilat nuk janë kryer, ndërsa paratë janë marrë në formën e korrupsionit. Dëmi ekonomik ndaj buxhetit të shtetit, sipas prokurorëve, është rreth 37 milionë dollarë. Në gjitha amendimet e kontratës – shkruhet në dosjen hetimore – Dashamir Xhika ka shmangur bordin drejtues të ARRSH-së, i cili sipas ligjit është organi që merr vendime të tilla. Madje këto amendime në disa raste nuk kanë as datën e miratimit të tyre. Data nuk përcaktohet as nga materialet shoqëruese. Prokuroria thotë se amendimet 5 dhe 6 janë nënshkruar nga Xhika pa prezencën e asnjë përfaqësuesi të Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të projekteve edhe pse kjo drejtori prekej direkt pasi janë bërë ndryshime teknike. Po sipas Prokurorisë Dashamir Xhika dhe Aksel Qurduka edhe pse ishin në dijeni të vlerës së përafërt të projektit kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për Ministrinë e Transporteve dhe Bankën Islamike që ka dhënë fondet për rrugën, duke kërkuar para shtesë me shifra të ndryshme. Kërkesa e Xhikës për fonde shtesë drejtuar Ministrisë së Financave ishte 35 milionë dollarë. Ndërsa Aksel Qurduka në dy shkresa dërguar Ministrisë së Transporteve për shtesë fondesh, një here ka kërkuar 14.2 milionë dollarë dhe herën tjetër 12.6 milionë dollarë. Në të dyja rastet ai nuk ka marrë përgjigje. Prokuroria pritet të thërrasë për këtë çështje edhe ish –zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve. Këtij hetimi flitet se nuk do t’i shpëtojë as ish-ministri Edmond Haxhinasto, i cili duhej të japë llogari për të gjitha këto shpërdorime dhe mos koordinime të shifrave që kushtojnë miliona euro. Dhe faktet tregojnë se Haxhinasto ka pasur dijeni për këto fonde, aq më tepër që është vënë në dijeni nëpërmjet dy shkresave nga Qorduka, zyrtari i Autoritetit Rrugor. I njëjti skandal madje i përmasave edhe më të mëdha pritet të shpërthejë edhe me rrugën Golem-Rrogozhinë ku ky autoriteti ka ndryshuar kontratën fillestare me të cilën është fituar tenderi dhe ka lidhur një kontratë të dytë , ku kanë ndryshuar specifikimet teknike . Por ligji nuk lejon asnjë kompani të tërhiqet nga zbatimi i kontratës, kur e ka fituar atë me justifikimin se nuk e realizon dot. Në këto raste firmat penalizohen, u sekuestrohet sigurimi i kontratës, përjashtohen nga prokurimet duke vënë në dijeni Agjencinë Kombëtare të Prokurimeve Publike dhe procedura shpallet nga e para. Por Ministri Edmond Haxhinasto, jo vetëm që nuk e pezulloi procedurën por lejoi vazhdimin e saj duke legalizuar një procedurë, e cila sikurse u provua më vonë u bë burim aksidentesh dhe rasti më tragjik ishte kur një nënë, drejtuese mjeti humbi tre fëmijët e saj në afërsi të Rrogozhinës. Ky rast u bë shkak që edhe Kontrolli i Shtetit të niste investigimin e procedurave duke dërguar të gjithë dosjen me shkeljet si pranë ministrit Haxhinasto ashtu edhe në prokurorinë e Kryeqytetit. Është detyrë e organeve të hetimit ashtu sikurse këshillojë para pak ditësh edhe Kryeprokurorja e Përkohshme që të rihapen dosjet dhe të nisin hetimet . Rasti i rrugës Tiranë – Elbasan dhe Golem – Rrogozhinë është më aktual se kurrë për të ndëshkuar abuzuesit dhe ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar shtetit abuzime financiare dhe qytetarëve cenim të sigurisë dhe jetës në rrugë.