Parandalohet vrasja në Velipojë, pranga 60-vjeçarit, kanosi një shtetas

71

Ndërhyrja në kohë e policisë së Shkodrës ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të rëndë. Një 60-vjeçar ka kanosur me armë zjarri shtetasin P.M, në qendër të fshatit Gosmiqe e Re, në Velipojë, pas një konflikti të çastit.

“Më datë 26.12.2016 njoftohemi nga shtetasi P.M, se në qendër të fshatit Gosmiqe e Re, Velipojë, Shkodër pas një konflikti të çastit është kanosur me armë zjarri nga shtetasi Luigj Dashi. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e stacionit të policisë Velipojë, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit: Luigj Dashi, 60 vjeç, banues në Velipojë. Ky shtetas dyshohet se për shkaqe të dobëta ka kanosur me armë zjarri shtetasin P.M, banues në Velipojë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sakaq, nga kontrolli i ushtruar në banesën e 60-vjeçarit Luigj Dashi, policia gjeti një armë zjarri automatike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.