“Paçi uratën e Perëndisë!” Frank Gjeto Shkreli
Prof. Sami Repishti
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar kolegë e miq të “Vatrës” dhe kolegut Frank Gjeto Shkreli.
Ju falënderoj që më jepet sot mundësia me thanë dy fjalë të mira për kolegun tim, Frank Gjeto Shkreli.
Siç e thotë edhe emri ai vjen nga katundi i Shkrelit. Unë vij nga Repishti, të dy janë pjesë e rrethit Koplik, Shkodër, rreth 2-3 orë distancë me këmbë.
E, sipas zakonit të maleve tona, e kam kushëri…
Kërkoj falje që gjendja e ime shëndetësore nuk më lejon sot me qenë këtu e me nda së bashku kënaqësinë tonë për celebrimin e punës së frytshme të këtij kolegu aktiv e të çmuar!
Kanë kaluar shumë vjet që nga dita kur unë njoha Frankun rastësisht gjatë një vizite në zyrat e “Zërit të Amerikës”. Paraqitjen e bëri kolegu i ynë i përbashkët, Dr. Elez Biberaj, dhe të tre kaluam një dreke pune që, për fatin e mirë, krijoi premisat e një shoqërie të sinqertë dhe të një bashkëpunimi të frytshëm.
Ishin vitet e veprimtarisë sonë aktive në shërbim të kauzës për të gjithë ne: Për pavarësinë e Kosovës. Cili shqiptar që mban këtë emër me krenari guxon të mohojë kontributin e vet për një kauzë të shenjtë, siç ishte pavarësia e Kosovës? Ne, të gjithë ne, ishim “kosovarë” që nga Tivari deri në Prevezë, si thotë kënga e vjetër. Shumë ujë ka rrjedhë nën urë; shumë gjak është derdhë; e shumë djersë ka shkuar rrëke si rrjedhim i punës së madhe e të përbashkët në shërbim të Nanës Kosovë. Nga ata që u dalluan ka qenë Frank Gj. Shkreli në cilësinë e tij si drejtor i seksionit euro-aziatik në “Zërin e Amerikës” për vite të gjata dhe kushtim të plotë.
Ma parë kam shkruar: “Paraqitja në publik e gazetarit dhe transmetuesit të programeve televizive, të analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, është një eveniment me rëndësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për ne, shqiptaro-amerikanët”. Ashtu është edhe sot. Jetëshkrimi dhe veprimtaria e këtij personaliteti që u lind në një fshat të vogël e arriti pozita të larta në administratën amerikane ashtë tregimi më i mirë i përgatitjes, aftësisë, dedikimit dhe ndershmërisë intelektuale të Frank Shkrelit.
Arsimi e puna kambëngulëse kanë qenë dy krahët që lehtësuan fluturimin e Frankut në sukses, dhe e ngritën atë në sferat e larta amerikane. Sot, ai thotë me mburrje: “Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën amerikane”. Në vitin 2003, Franku doli në pension që do të thotë, ma shumë kohë me shkrue. E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij:
E para: Besimin në Zotin, feja e krishtenë;
E dyta: Shërbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshin të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan, Me një pikë qendrore: Epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.
E treta; Përpjekja koshiente dhe konstante për të mbrojtur demokracinë liberale amerikane, dhe duke luftuar pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.
E kaluara e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-

Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos, gjenocidi i klerit katolik shqiptar, varfëria, shtypja, padituria masive dhe poshtërimi i pësuar si shqiptar në një shtet sllav kanë formuar karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u shëruar asnjë herë.
Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni. Ky tubim u pagëzua nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këtë unë i përgëzoj plotësisht. Ashtë një term që përmbledh; shokë e miq me mendime të ndryshme, por me qëllime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo iniciativë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe i ka munguar bashkësisë sonë këtu në Amerikë për shume vjet.
Ka ardhur koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njëri-tjetrin për të shqyrtuar gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësirës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për një orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësirë përfshin të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht, bukën e quajnë bukë, dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare.
Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këtë punë me vlera të pa përshkrueshme.
Këtu ashtë Shqipëria jonë, kjo ashtë Shqipëria jonë!
Le ta ndërtojmë sipas konditave të vendit shoqërinë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë për të ndihmuar vëllezërit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe e arsim.
Dhe më në fund, si thoshte Noli i madh: “Paçi uratën e Perëndisë!”