Nuk ka shpërblime për festat e fundvitit, vendimi i qeverisë për administratën

173

Qeveria ka vendosur që këtë fundvit, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në tre qarqe si pasojë e tërmetit 7 ballësh të 26 nëntorit, të mos japë shpërblim për festat.

Në vendimin e qeverisë të nënshkruar nga kryeministri Edi Rama, i cili u miratua më 6 dhjetor, shkruhet qartë se do të ndalohet përdorimi i fondit të veçantë për festat dhe shpërblimet në administratë dhe institucionet shtetërore.

Megjithatë në vendimin e marrë ende nuk sqarohet saktësisht se ku do të shkojnë fondet e shpërblimit, të cilët kësaj herë nuk do të merren.

VENDIMI

Nr. 781, datë 6.12.2019 për një ndryshim në vendimin nr.929, datë 17.11.2010, të këshillit të ministrave, “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshua. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.

2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama