Një reportazh që nuk doja ta shkruaja kurrë

239
Agron MEMA

Mursia, fshati ku nëpërkëmbet arsimi dhe shëndetësia, vlerësohet bujqësia
Të ndodhesh këto ditë në fshatin jugor të Shqipërisë, në Mursinë martire e të persekutuar nga sistemi komunist me burgosje dhe vrasje, sa asnjë fshat tjetër në Shqipëri, dëgjon komente të ndryshme nga vet banorët e këtij fshati. E themi këtë për faktin se, ky fshat ditët e fundit është përfshirë e vënë në qendër të vëmendjes së politikës së ditës dhe medias. Ç’ka ndodhur? Është dashur vetëm një njoftim gojor i shefit të zyrës arsimore të Sarandës në mjediset e shkollës 9-vjeçare të fshatit me mësuesit e saj, se shkolla nuk plotson numrin e nxënësve dhe për shkak të kritereve ligjore, nxënësit do të grupohen në shkollën e Xarrës dhe shkolla e Mursisë do të mbyllet. Kaq është dashur që lajmi të shpërndahet nëpër familje dhe të sjellë produktin e reagimit të një proteste para shkollës për mosmbyllje të shkollës. Por vetëm fill pas disa ditëve, kryeministri vendos ish kryetarin e komunës, Dhimo Kote, si zv/ ministër bujqësie. A thua, ujë për të shuar zjarrin?! E themi këtë, se i sapoemëruari Dhimo Kote ka qenë katër herë kryetar komune, por pas zgjedhjeve të fundit lokale pati kontradikta të forta me Ramën. Dhe mursjotët reagojnë përsëri. Jemi ndodhur mes tyre këto ditë, dhe pavarsisht se mursjotët janë punëtorë dhe të ndershëm, të thjeshtë e të respektueshëm, në respekt të së vërtetës na kanë folur se çfarë po ndodh në Mursi. Fjalëpaktë në komente, karakteristikë e njerzve të punës, na kanë çuar tek qendra shëndetësore e fshatit e katandisur në gjendje mjerane, gjysma haur e gjysma banesë private. Nuk kemi as infermier, pa le më mjek, thonë të revoltuar. Ja dhe qendra komunitare, as çelësat nuk na japin për mbledhje, sepse në një farë mënyre është privatizuar nga administratorja aktuale e njësisë administrative të Xarrës, e cila në mjediset e qendrës zhvillon kurset greke vetë dhe të tjerat ia ka lënë bashkëshortit si klinikë dentare private. Herën e fundit që bëmë mbledhjen e fshatit për përgatitjen e peticionit, shqyem derën, se nuk na dhanë çelësin dhe kryeplaku nuk erdhi. Kërkojnë të na mbyllin shkollën shqipe 9-vjeçare. Pse? Nuk e kuptojmë,-thonë banorët,-pse ndodh kjo. Ne do ta mbajmë me forcë shkollën tonë. Shpesh na kanë akuzuar si pro grek se punojmë andej për bukën e gojës, por tani del ashiqare se kush janë në të vërtetë të tillë, ata që mbyllin shkollën shqipe apo ata që e mbrojnë, -revoltohen banorët. Na vunë djalin e fshatit zv/ministër bujqësie. Mirë bënë dhe për fshatin është një moment krenarie. Por mendojmë se vetëm disa ditë më parë na provokuan me mbylljen e shkollës. Pse? A mund të jetë një skenar i përgatitur. Pa filluar akoma punë, vijuan komentet se do vijojnë investimet, se paska peng qeveria rrugën që lidh Mursinë me Qafë-Botën dhe Sarandën etj. Po deri më sot, pse nuk i bëri. Ç’ka në dorë Dhimua për ta bërë këtë, se po ta kishte, qe kryetar komune katër mandate dhe miku nuk i dha fonde. Apo përsëri do t’u thonë se, nuk deshi djali juaj. Mursjotët janë të revoltuar me pushtetin aktual, qëndror dhe vendor, po sidomos me atë vendor, kur përmendin se këtë vit nuk janë hedhur asnjë qindarkë investime për fshatin, kur është fshati më taksapagues, falë punës së tyre si fermerë. Të gjitha ndodhitë e Mursisë kanë një rregji dhe po realizohen në sheshxhirimin politik, por mursiotët qëndrojnë të vendosur se nuk do ta lejojnë diskriminimin. Si ka mundësi, -thonë,- të na mbyllin shkollën shqipe, kur ne presim që të na hapet një shkollë e mesme profesionale me profil bujqësor? Shikoni sot që ka filluar prodhimi i mandarinës se sa të punësuar ka. Thonë se Dhimo Kote nxiti investimet bujqësore dhe sot kemi mrekulli, po kush do t’u shërbejë?… Dhe teksa ulen në derën e ish-qendrës shëndetsore, ku kundruall kanë sheshin e shkollës mbuluar nga ferrat e barishtet, zënë e të recitojnë vargjet e Migjenit: “Kafshat që s’kapërdihet…asht, or vëlla….Mursia…”