Nikolla jep lajmin e mirë për pedagogët: Ja kur i marrin pagat

49
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka sqaruar nëpërmjet një njoftimi për shtyp se pagat e pedagogëve do të jepen ditën e sotme.
“Pagat do të jenë në llogarinë e pedagogëve dhe personelit akademik brenda ditës së sotme. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë siguron se Ligji i ri i Arsimit të Lartë është mundësi e re e zgjerimit të autonomisë financiare të universiteteve. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo të garantohet me aktet nënligjore që priten të miratohen së shpejti. Gjithashtu ne besojmë fortë që të gjitha energjitë dhe debati të zhvillohet tek sfidat e rritjes së cilësisë, performancës, punësimi i të rinjve dhe akreditimi i programeve të studimit,” shkruhet në njoftimin e ministrisë.
Pedagogët e Universitetit të Tiranës dolën me një deklaratë dy ditë më parë në një kohë kur kanë kaluar afro 10 ditë nga mosmarrja e rrogave të muajit janar. Forumi për liritë akademike dhe autonominë universitare ka renditur të gjitha kërkesat e pedagogëve, ndërsa ky forum kërcënoi me grevë nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe qeveria nuk pranon të ulet në negociata.