Negovani i Papa Kristos së paharruar ishte përhumbur

574
Sigal

 Pas traktatit greko-turk
të Lozanës, Athina zyrtare përzuri nga (Kosturi) me dhunë për në Turqi plot
35000 mijë shqiptarë 

 

“Trimëri greke” me përndjekjen
barbare ndaj Çamërisë …

 

Minare të këputura si
dhe rrënoja të shumta të tyre kishim parë kudo; si në Koskë, Filat, Margëlliç e
gjetiu

 

Arben Kondi


Ditët e fundit, gjatë dhe pas vizitës së z. Ilir
Meta në Athinë, kur për shkak të ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të çështjes
çame, fqinji ynë jugor i kërciti fort dhëmbët dhe i tregoi muskujt Shqipërisë,
tok me gruan e me një grup miqsh rastisi që nëpërmjet një udhëtimi turistik të
rrugëtonim për drejt Stambollit, Sofjes e Shkupit, pikërisht përmes Greqisë.
Duke qenë se Athina shmangej në juglindje, do të vizitonim Selanikun. Shumë
shpejt, në pikën kufitare të Kapshticës patëm trishtim në sy. Kjo, jo thjesht
pse doganierët grekë,mes një kapadaillëku tipik ballkanas silleshin harbutçe me
shqiptarët, por edhe sepse në hapësirën mes fshatrave të Follorinës e Kosturit
nuk shquhej më qoftë edhe një shenjë e vetme shqiptare. Madje edhe vetë
Negovani i Papa Kristos së paharruar, ishte përhumbur. Kur pimë një ekspres
buzë liqenit të Kosturit nuk dëgjuam të flitej as edhe një fjalë shqip. U
përpoqa të llafos edhe me disa të moshuar, por për fat të keq as ata nuk
reaguan, nuk më dhanë përgjigje. Ndërkohë historia thotë, se pothuajse 100 vjet
më parë, pas traktatit greko-turk të Lozanës (Zvicër 1923), pa zënë në gojë
Çamërinë, Athina zyrtare përzuri nga kjo zonë me dhunë për në Turqi plot 35000
mijë shqiptarë.  

 

Orët, koha bënë të tyre


Herë mes fushave e
plantacioneve të paana, herë mes maleve tërë pyje, e herë mes kaltërsisë së
detit, trishtimi sikur na u zbeh nga sytë. Duhet thënë e pranuar se Greqia
është jo vetëm një vend i bukur turistik, por në të njëjtën kohë është
 vendi më i zhvilluar i Ballkanit. Selaniku qe befasues. Për të pasur një
kujtim prej tij bëmë fotografi përpara monumentit të Aleksandrit të Madh, që
pavarësisht se grekët e konsiderojnë të tyrin, nëna e tij mbetet epirote, pra
ilire, shqiptare.  Ndërkohë lajme të shumta na vinin përmes internetit dhe
celularëve.  Bëhej me dije se grekët vazhdonin t’i tregonin muskujt
herkulianë atdheut tonë. Madje ministri i tyre i jashtëm, zoti Kotcias kishte
arritur deri atje, sa t’i kërcënonte haptazi shqiptarët, se nëse ata do të
vazhdonin ta ngrinin çështjen çame, atëherë Shqipëria rrezikonte që më 9 nëntor
të mos fitonte të drejtën e hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në
Bashkimin Evropian. Grekët si edhe në rastin e emrit të Maqedonisë do të
përdornin ndaj nesh veton. Kurse vreri propagandistik kundër popullsisë së
pafajshme çame po njihte pikun e tij. Ai vërshonte në mediat e gazetat e tyre
me fuqinë e atyre lumenjve malorë që veç llumit sillnin me vete edhe gurë edhe
kërcunj të rëndë. Si rëndom, çamët akuzoheshin për bashkëpunim me pushtuesit,
kur dihet se vetëm në regjimentin  XV të ushtrisë
partizane greke që mbante emrin e Ali Demit kanë luftuar mbi pesëqind djem
çamë, pa përmendur pastaj këtu pjesëmarrjen e gjerë të rinisë çame në radhët
partizane shqiptare. Ndërsa PDIU-ja, partia çame, pjesëmarrëse edhe në
koalicionin qeveritar shqiptar është vënë në thep të pushkës së tyre, në fokus
të gjuetisë së tyre shtrigane.
Ndërkohë që pas Selanikut pushimin e parë e
bëjmë në Kavalla, një qytet i bukur ky që të sjell pranë imazhin e Sarandës.
Kalaja e ndërtuar prej Ibrahim pashës (Pargaliut) është vërtet madhështore. Ajo
lartohej kurorë mbi qytet dhe e qarkon atë anë e mbanë. Tek lëmë pas qytetin e
Verias dhe tok me të edhe Maqedoninë antike lindore, në të majtën tonë, sërish
pas plantacioneve frutore ravijëzohen konturet e larta të maleve Rodope. Rrëzë
tij shtrihet qyteti i Xankthit që për shkak të largësisë e për fatin tonë të
keq nuk arrijmë ta shquajmë si duhet.  Në autostradën e re pothuajse me
tri korsi, një tabelë na njofton se po ecnin drejt qytetit të Komitinit. Gjendemi
kështu në hapësirën perëndimore të Thrakës së vjetër. Pikërisht këtu, në krahun
tonë të majtë fillon edhe befasia më e madhe. Sikur të mos udhëtonin në Greqi,
por në Turqi shfaqen radhë radhë një tërësi fshatrash ku në qendër të tyre
lartohen sa e sa minare të larta xhamish. Pas një dremitje të lehtë, duke më
vështruar disi me habi ime shoqe pyet:

– Jemi në Turqi?! Kaluam
kufirin kështu?!

– Jo, jo. Gjendemi ende
në Greqi. – i përgjigjem unë.

– Po ç’ne xhami, në
Greqi?!

– Me sa duket jemi në
zonë kufitare. – përgjigjem duke u përqendruar edhe më në atë peizazh.

– E ë ë, – bëri Mirela.
– Si fuqi e madhe nga Turqia, Greqia ka frikë. Kurse nga ne… Në Çamëri ajo i ka
rrafshuar të gjitha xhamitë.

Nuk reagova më. E ç’mund
të thosha më? Urtësia popullore thotë, se fshati që duket s’do kallauz. Më
ishte prishur, më ishte trazuar përsëri qetësia. Më humbi përqendrimi
tek natyra, tek udhëtimi. Solla ndër mend vizitën tonë të fundit në Çamëri të
bërë para pak muajsh. Në asnjë fshat apo qytet, ne nuk na kishte zënë syri
ndonjë xhami. Ndërsa minare të këputura si dhe rrënoja të shumta të tyre
kishim parë kudo si në Koskë, Filat, Margëlliç e gjetiu. M’u kujtua edhe një
libër i studiueses së mirënjohur britanike Miranda Vikers që thotë se shtetit
grek i takon t’i ruajë e t’i mirëmbajë monumentet kulturore të Çamërisë siç bëka
me monumentet shpirtërore të minoritetit turk këtu në Thrakën e largët në kufi
me Turqinë. Ndërkohë që për çamët ortodoksë nuk bëhet fjalë fare. Politika
greke ata i konsideron si shtresë e padukshme, paçka se në vatrat e tyre flasin
vetëm shqip. Lëre më pastaj të mendosh që hirësia e tij Anastas Janollatos të
vejë atje e të kryejë ndonjë meshë në gjuhën amtar


Arritëm në pikën kufitare greke.

 

Për të shmangur pritjen
e gjatë e torturuese të doganierëve grekë u përqendrova sërish në celularin
tim. Kurioziteti për të rejat më të fundit nuk po më linin të qetë. Por
çuditërisht këtu sjellja greke që ndryshe, ishte shumë më korrekte se në pikën
kufitare të Kapshticës. Këtu nuk na vonuan fare. Madje kur zbritëm dhe hymë në
dyqanin “Duty free”  ku mallrat shiteshin pa komision, shitëset greke na
pritën dhe na buzëqeshnin miqësisht.

– Po çuditem me sjelljen
e tyre, – u shpreh ime shoqe. – Me siguri këto na marrin për turq.

Qesha hidhur dhe dola jashtë.
E dija se ime shoqe do vonohej në atë dyqan. Kështu që iu ktheva celularit për
të mësuar të rejat lidhur me acarimin më të fundit të marrëdhënieve
shqiptaro-greke. Po çfarë të lexoja?! M‘u prish sërish humori. Grekët patën
marrë revan të ri. Kërcënimet  e tyre qenë bërë më të fuqishme. Bile ata
kishin lënë si mënjanë edhe vetë deklaratën e komisionerit Han për trajtim të
përbashkët të çështjes çame.  Kotcias, ministri i tyre i jashtëm, duke
harruar se të dy vendet fqinje janë anëtarë të NATO-s po i tregonte dhëmbët
Shqipërisë. Ai kujtonte se Greqia është dhjetë herë më e fuqishme ushtarakisht
se Shqipëria. Tani nuk po përfliteshin më çamët, por theksohej se Shqipëria
keqtrajtonte rëndë minoritetin grek. Ndërkohë që presidenti grek duke kërkuar
varreza të reja në Vorio-Epir, me siguri e konsideron jugun e Shqipërisë si
tokë greke.