Në Portin e Brindizit nuk trajtohen mirë pasagjerët shqiptarë

597
Sigal

SHQETËSIMI I PASAGJERËVE/ Agjencitë në Portin e Vlorës, letër-protestë: Paguajmë taksë 10 euro për çdo udhëtar!
Agjencitë që operojnë me tragetet e linjës Vlorë-Brindizi në Portin e Vlorës, kanë nisur një letër-protestë në adresë të funksionarëve të Portit të Brindizit. Shkaku ka qenë shqetësimi që ngrenë pasagjerët shqiptarë që vijnë nga ky port me tragetet e linjës. Komisari i tragetit “Europian- Voiager”, Bilbil Rakipi shprehet: “I kemi të përditshme shqetësimet që na përcjellin pasagjerët e Portit të Brindizit, pasi aty nuk ka kushtet minimale. Kështu mund të cilësohet si i vetmi port, që nuk ka terminal. Aty shërbehet me çadra në të gjitha stinët dhe më e rëndësishmja është se pasagjerët me nënshtetësi shqiptare diferencohen nga pasagjerët e tjerë. Pavarësisht se ke zënë radhë, do të qëndrosh pa bërë veprimet deri sa të kalojnë shtetasit italianë, që kanë menduar të udhëtojnë për në Portin e Vlorës. Kjo është torturuese kur ka shumë pasagjerë, sikurse ndodh në muajt e verës. E kemi ngritur këtë problem, por ka rënë në vesh të shurdhër”. Rakipi shprehet më tej se këto ditë korriku numri i pasagjerëve ka shkuar deri në 1500 dhe për të bërë veprimet në Portin e Brindizit.
Shqetësimi
Pasagjerët duhet të qëndrojnë deri në 4-5 orë në radhë. Sfilitëse është kjo për të moshuarit dhe fëmijët. Robert Gerveni, përgjegjës agjencie shprehet: “Kjo është një histori që vazhdon edhe pse shumë herë kemi reaguar tek autoritetet portuale të Brindizit. Veçimi i shtetasve shqiptarë, në pritje deri sa të kalojnë shtetasit italianë edhe pse vijnë drejt Shqipërisë, është fyese dhe nuk ndodh në asnjë port tjetër”. Shqetësimi tjetër është se mungon terminali dhe kur bie shi, do të hapësh çadrën, ose do të lagesh, pasi në rrezen e çadrës nuk mund të qëndrojnë më shumë se 15-20 vetë. Porti i Brindizit ka pasur një terminal që përdorej për grekun dhe e mban të mbyllur pa asnjë shkak. “Është e pafalshme që të jenë këto kushte në Portin e Brindizit, pasi agjencitë tona paguajnë taksë 10 euro për çdo pasagjer”, tha Gerveni.
Në Portin e Brindizit
Udhëtarët shprehen se, përveç shqetësimeve që ata diferencohen nga shtetasit e huaj vetëm pse janë me nënshtetësi shqiptare, në periudhën e pikut, sikurse është muaji korrik-gusht, duhen shtuar sportelet, pasi duhet të rrish në radhë me orë të tëra, qoftë kur hyn apo edhe kur del nga Porti i Brindizit.

Drejtoria e Portit të Vlorës
Fato Nuredini, drejtore e Portit të Vlorës ka thënë për gazetën “Telegraf”, se është në dijeni të problemit që ngrenë agjencitë e trageteve, por nuk është në juridiksion të kësaj drejtorie për të ndërhyrë. Nga ana jonë-thotë ajo janë marrë të gjitha masat që të kryhen procedurat sa më shpejt, duke hapur disa sportele dhe javën e ardhshme do të përurojmë terminalin e ri. “Ne nuk bëjmë dallime tek udhëtarët dhe as vëmë re se çfarë nënshtetësia kanë. Porti ka për detyrë që të operojë sa më shpejt për të kryer veprimet, duke respektuar radhën për secilin që do të udhëtojë. Ky është një problem, që do të gjejë zgjidhje me këmbënguljen e agjencive që operojnë në Portin e Vlorës, të cilat paguajnë taksë për çdo udhëtar Portit të Brindizit dhe u lind e drejta për të kërkuar kushte normale dhe mosdiskriminim”.