Në fshatin Vërri, atje ku po merr jetë inçeneratori i polemikave

795
Rei MORINA

Terr dhe frikë për impiantin që do të djegë mbetjet në Fier
“Nuk e dimë me saktësi, por dimë se ajo që po kërkojnë të ndërtojnë këtu do të jetë një fatkeqësi e madhe”. Kështu të thonë banorët e Vërrisë, sapo kontakton me ta dhe i pyet për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve. “Është bërë për të ikur nga kjo zonë, -na thotë Leni, shitësja e një marketi atje pranë -ne jemi të mbytur nga nafta, gazi dhe ndotje të tjera dhe tani kërkojnë të na djegin plehrat e Shqipërisë në oborrin tonë”. Gjithkund është e njëjta frikë, e njëjta pasiguri që e hasja një vit më parë në Mbrostar e më pas në Mbyet, në Plyk apo Kallm. Askush nuk di të të thotë asgjë, përveç frikës se një “mostër” -siç ata e quajnë – do të marrë jetë dhe do t’u ndotë ajrin, do t’ua bëjë tokën më të papërdorshme, do t’u sjellë tuberkulozin, madje, pse jo edhe kancerin. Kur i pyet se, a ka ardhur dikush t’u shpjegojë se përse impianti nuk sjell kancer, se përse nuk do të ketë helme, tym apo se toka do të jetë siç ka qenë, të gjithë kundërshtojnë njëzëri. “Jemi mashtruar sistematikisht, nuk kemi patur asnjëherë një transparencë që do të na bindte deri në fund, një transparencë, një të dhënë të saktë, një informacion ndryshe nga një specialist i vërtetë e jo lloqe Kryetari Bashkie apo ministrash të qeverisë Rama”. Mungesën e transparencës ndaj këtij komuniteti, por edhe ndaj banorëve të Mbrostarit, Plykut, Kallmit, Portezës apo fshatrave të tjerë ku u tentua të ngrihej impianti na e konfirmoi edhe Laura Xhaxhiu, drejtuese e Projektit “Konceskan”. Një vit më parë Qendra “Open Doors” startoi projektin në fjalë me mbështetjen e Lëviz Albania dhe me suportin financiar të qeverisë Zvicerane. Qëllimi i Projektit ishte matja e perceptimit qytetar ndaj shërbimeve publike të orfuara nga zbatimi i kontratës koncesionare PPP nga pushteti vendor në Fier. Ekspertët e Qendrës “Open Doors” përgatitën një studim, i cili ishte fryt i një pune të dokumentuar mbi transparencën ndaj qytetarëve në lidhje me kontratën për ndërtimin e impiantit në fjalë. Zonja Xhaxhiu thotë: “Ekspertet konkluduan se, ka patur një mungesë të theksuar të transparencës, se shteti ka dhënë pak dhe sporadikisht informacion mbi përfitimet ekonomike dhe sociale, se angazhimi i komunitetit në dëgjesat publike shpesh ka qenë selektiv dhe nuk janë njoftuar paraprakisht si dhe informacioni ndaj komunitetit ka qenë kontradiktor. Projekti “Konceskan” nxorri gjithashtu në pah, se djegja e plehrave në vend të riciklimit të tyre bie ndesh me legjislacionin shqiptar, mbi menaxhimin e mbetjeve, pasi kjo shumëfishon kostot dhe rrit rreziqet, për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Por ka që edhe e duan impiantin. Gjatë një dëgjese publike organizuar nga “Open Doors” koordinatorja e Forumit Qytetar të Fierit, Lindita Hoxha u shpreh se “impianti i duhet qytetit pasi era e fortë e plehrave kur ato digjen natën sidomos në verë, është e padurueshme. Sipas Hoxhës impianti duhet të jetë i një teknologjie moderne dhe duhet të plotësoje të gjitha parametrat bashkëkohorë. Ka edhe të tjerë që mendojnë si Lindita, por ajo për të cilën ankohen është se askush nuk u ka shpjeguar në detaje dhe t’u japë një garanci se inçeneratori do të jetë realisht modern dhe nuk do të ketë rrisqe. Kudo ku pyet, me cilindo që takohesh të gjithë të thonë se nuk ka patur transparencë, se askush nuk iu ka saktësuar një siguri, një bindje se përse impinati do të jetë tërësisht i sigurt, modern dhe i parrezikshëm. Në Bashkinë e Fierit mësojmë se dëgjesat janë bërë, njerëzit janë pritur edhe nga Kryetari, Armando Subashi, por ajo që ka luajtur një rol negativ është frika që kanë mbjellër tek banorët forcat politike në këshillin Bashkiak apo në organizma të tjerë të pushtetit vendor. Punonjësit e bashkisë të thonë se institucioni nuk ka asnjë informacion të detajuar në lidhje me projektin, pasi kontratën e ndjek Ministria e Mjedisit dhe ajo e Energjitikës. Lëmë pas Vërrinë, fshatin që po përjeton frikën e kancerit. Gjithkund ndjehet zhgjënjimi, pesimizmi, frika ndaj një “mostër” që po iu “mbin” në derë, si dhe inati që i kishin mashtruar e gënjyer për muaj me radhë. Pak më tutje, diku në mes të një fushe makineritë si disa kafshë prehistorike bëhen gati të kafshojnë tokën.
Sigal