“Në 4 vitet që ikën, dërgova 760 copë ‘CV’ e 288 letra dhe nuk më punësuan”

253
Letra në “TELEGRAF”/Pas fjalës në Asamble, një socialist viktimë e nepotizimit dhe klientelizmit në administratë, i shkruan Edi Ramës
A e keni seriozisht këtë punën e punësimeve me “CV” profesionale e jo me lidhje familjare apo është “parullë” si ajo e 4 viteve që shkuan, mbasi në mandatin që iku treguat, se pushtetin që merrni me votat tona e përdorni vetëm për interesat tuaja

Shoku Edi! Urime për fjalimin në Asamblenë e PS, ku fole ashpër edhe kundër punësimeve familjare, nepotike e me shitje vendesh pune në administratën publike. Të gjithë ata që kishe përballë në sallë e në tribunë dhe u kërkoje të luftonin punësimet familjare, janë pikërisht ata, që nuk kanë lënë “kuç e maç” pa punësuar; si fëmijë, motra e vëllezër, bashkëshortë, kunetër, baxhanakë, ortakë biznesesh, krushq, nipër, mbesa, dashnore, dashnorë e të fortë zonash. Mirë fole ti, tamam si në 2013-ën, kur u betove se nuk do punësohej asnjë familjar i drejtuesve të “Rilindjes”, por u mbushën zyrat me familjarë të tyre! Kjo histori do vazhdojë. Do vazhdojnë punësimet familjare. Në 4 vite kam dërguar 1000 ”CV” e 288 letra dhe nuk më pranuan” – Sado që u përbetove për ta zhdukur nepotizmin dhe shitjen e vendeve të punës, kjo histori do të vazhdojë edhe këto 4 vite, mbasi në mandatin që iku treguat, se ne që ju votojmë, nuk begenisemi nga ju që merrni votat, troç nuk futet në punë asnjë socialist i ndershëm, që nuk ka lidhje me “agallarët” e pushtetit! Po të tregoj një histori familjare interesante, lidhur me “CV”-të për punësim: Më 2013-ën erdhe në zonën tonë e na the: “Votoni PS, që të futeni të gjithë në punë se mbetët rrugëve, do t’i zbrazim zyrat nga horrat e gjysh Saliut”! Votat t’i dhamë! “Kalit” të qeverisë ia shalove. Pas fitores, shtrove një koktej me kikirikë e lëngje për ne, popullin që dhamë votat dhe një banket luksoz, për udhëheqësit që na morën votat. Në të ikur për Tiranë, sikur e dëgjoj sot, na the: “Bëni gati listat e vendeve të punës dhe m’i dërgoni t’i firmos!” Bëmë, siç na the! Kur filluan punësimet, pamë që në listë nuk ishte asnjë nga ne të parët e “luftës për të fitoren e PS”, por ishin persona të panjohur. Nuk po vendosej asnjë nga populli socialist, por nga familjet, krushqitë, shokët dhe miqtë e deputetëve, ministrave, drejtorëve e biznesmenëve të PS e të PD. Nuk kishte asnjë emër nga lista që kishim bërë në kryesinë e PS të rrethit, por emrat vinin me “Radhe” (urdhër) nga Tirana! Ndërsa ne, “populli socialist” që mblodhëm votat e 2013-ës dhe këto të 2017-ës, mbetëm me “CV” në dorë! Në zyrë, na përcillnin me premtimin: “Bëj një “CV” tjetër, do të fillosh punë”! Mbetëm duke shkruar e dorëzuar nga 1 “CV” në çdo 2-3 ditë, por nuk u punësuam dot. Tani po na thua, ta nisim nga e para avazin me “CV” për punësim sipas meritokracisë! Nuk e besoj! Më ka kapur tmerri, nga kjo puna e “CV”-ve! Kur hap sirtarin e shikoj gjithë “CV” dhe letrat që kam dërguar në këto 4 vite, mendoj: – Sa shumë qenkam tallur e paskam duruar! Mund të mos e besoni, por familjarisht kemi dërguar një “mal” me “CV” e letra nëpër zyrat e partisë e qeverisë! Unë si inxhinier nafte, kam dorëzuar 297 herë ”CV” për vete, 274 “CV” për gruan financiere, 313 “CV” për vajzën Teknologe Ushqimi me universitet me diplomë e Master “Shkëlqyer”, 216 “CV” për djalin inxhinier mekanik-ushtarak, i diplomuar “Shkëlqyer” në Turqi! Pasi u mërzitën me zvarritjet e talljet, fëmijët ikën jashtë shtetit dhe po punojnë e ndihen të qetë, të paguar e të vlerësuar në paga! Nga tetori i 2013-ës dhe deri sot, vetëm tek ty shoku Edi kam dërguar 288 letra ankuese, kërkuese e shpjeguese me “biografinë” time në shërbim të PS dhe me “CV” si specialist nafte me kualifikim ndërkombëtar. Mesatarisht, të kam dërguar 6 letra çdo muaj. Familjarisht, kam dorëzuar 1000 copë ”CV” për punësime, por nuk na ofruan vend pune as si roje, për asnjë pjesëtar të familjes! Po të pyes: – A e ke seriozisht këtë punën e punësimeve me “CV” profesionale e jo me miqësi familjare, apo është “parullë” si ajo e 4 viteve që shkuan? A do ketë vërtetë përgjigje të shpejta ndaj çdo ankese e kërkese të popullit, apo do do vazhdojë avazi i shpërfilljes? Të pyes, mbasi për ato 288 letrat që të kam dërguar në 4 vite, ti më ke kthyer vetëm 5 përgjigje: 

– Përgjigjen e parë e kam marrë, 1 javë pas dërgimit në muajin nëntor 2013. 
– Përgjigjen e dytë e kam marrë, në muajin qershor 2014. 
– Përgjigjen e tretë e kam marrë 10 ditë para zgjedhjeve lokale të 2015-ës. 
– Përgjigjen e katërt e kam marrë, 2 ditë para se të vinte urdhri juaj, që të mblidhnim firmat për përjashtimin e Koço Kokëdhimës nga PS. 

– Përgjigjen e pestë dhe të fundit e kam marrë, 20 ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, të cilën ma solli në shtëpi kryetari i PS i lagjes, ku shkruhej: “Ju kërkojmë ndjesë për neglizhencën në vlerësimin tuaj të merituar, do jeni pjesë e administratës”!

Me mosbesim,
Luftar Sh. Deloaliaj