Pushimet, 430 shtetarët që “bojkotuan” plazhet shqiptare

670
Përparim HALILI
FAKTI / 430 shtetarë lokalë të zonave të vijës bregdetare, nuk i bënë pushimet as në plazhet e zonave të tyre, as në Shqipëri
Edhe në këtë sezon turistik, jo vetëm nuk u minimizuan problemet e funksionimit, cilësisë e sigurisë së plazheve shqiptare, por u shtuan. Ky sezon kishte si tregues të shpërfilljes qeveritare, humbjen e shumë jetëve njerëzore në plazhe, për shkak të mungesës së plotë të sigurisë fizike në det. Humbje jetësh të fëmijëve e të moshave të treta, ndodhën edhe për shkak të mungesës së plotë të shërbimit të ndihmës së parë mjekësore, paçka se në muajin prill 2017, qeveria zhvilloi tenderin 300 milionë lekë, për vendosjen e pikave lëvizëse shëndetësore në gjithë plazhet e vijës bregdetare, tender që iu dha një klienti të ish-ministrit Ilir Beqja, i cili nuk çoi pranë pushuesve as “1 kokërr” aspirinë e asnjë infermier! Sipas bilancit që kanë bërë agjencitë dhe operatorët turistikë privatë, rezulton se afro 50% e emigrantëve shqiptarë rezidentë në vendet e BE, këtë vit nuk erdhën për pushime në Shqipëri, por bënë vetëm “kalim transit” 2-3 ditor, sa për të takuar të afërmit dhe për të kryer shërbime dokumentesh personale. Dy ditë më parë, INSTAT, deklaroi se mbi 500 mijë shqiptarë që banojnë në Shqipëri, shkuan për pushime në plazhet jashtë vendit! Sipas bisedave me disa prej atyre që janë kthyer dhe me disa prej atyre që do të shkojnë, shkuarja në plazhet e botës është zgjedhje e detyruar, mbasi cilësia tepër e dobët e plazheve në Shqipëri është një tmerr në çdo aspekt! Këtë realitet e pranojnë me qëndrimin e tyre edhe vetë drejtuesit shtetërorë lokalë, të zonave të plazheve. Sipas një informacioni nga agjencitë turistike, rezulton se 430 drejtues lokalë e rajonal të zonave të vijës bregdetare nga veriu në jug, i kanë bërë pushimet jashtë Shqipërisë familjarisht e individualisht, ndërkohë që në këto zona ka 678 drejtues gjithsej! Madje, 207 prej tyre, kanë bërë prenotime për nga 2 cikle pushimesh në shtete të ndryshme. Këta shtetarë lokalë që na kanë bërë e na bëjnë propagandë për “plazhe me standarde” në Evropë e Botë, për vete nuk i paskan kanë bërë pushimet, as në plazhet e zonave ku drejtojnë e ku janë zgjedhur nga populli dhe madje, as në Shqipëri! Pse? Sepse vetë shtetarët lokalë e dinë çfarë plazhesh kanë lënë rrumpallë e të qelbur, me ujëra të zeza nën rërë, rrotull shezllonëve e me derdhje të hapur në det. Kanë lënë plazhe me mungesë uji, me mungesë rojesh detare, me mungesë shërbimi mjekësor, me pirgje plehrash që nuk pastrohen, me hajdutë hotelesh e makinash, me ushqim “vrasës” dhe me rërë të pushtuar nga privatët! Sipas listave që kanë agjencitë turistike dhe pikat e kalimit të kufirit, këta janë prefektë, zv/prefektë, kryetarë qarqesh, kryetarë bashkie, kryetarë të Njësive Administrative, drejtorë e zyrtarë shëndetësie dhe spitalesh, shefa mjedisi, arsimi, kulture e turizmi, shefa finance, drejtues e zyrtarë portesh detare, doganash, thesari, kryetarë pronash, drejtorë zyrash pune, drejtues hipoteke, tatimesh e policie! Në 500 mijë shqiptarët që kanë shkuar në plazhet e botës, janë edhe këtë shtetarë e zyrtarë batakçinj, që kanë bërë propagandë për gjoja cilësinë dhe sigurinë e lartë në plazhet e zonave ku ata drejtojnë. Pikërisht këta, nuk i kanë bërë pushimet, as në plazhet e vijës bregdetare të bashkive e prefekturave të tyre dhe as në Shqipëri. Pasi kanë firmosur e kaparosur tenderët e radhës, ua kanë hipur veturave, trageteve e avionëve, për të pushuar atje ku hotelet nuk janë si në Shqipëri, ku hyn në det i bardhë dhe del i zi nga… ujërat e zeza!
Sigal