Ndalohen 47 ton margarinë që shitej si gjalp, skema e mashtrimit

474
Sigal

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar 47 tonë margarinë, ndërsa janë vendosur tetë gjoba me vlerë totale 2.9 milion lekë, pas zbulimit të një skene mashtrimi se si margarina në treg shitej për gjalpë. Në një njoftim zyrtar, AKU sqaron se skema e mashtrimit fillonte nga importuesi, ku ky i fundit importonte produktin nga Ukraina me mangësi në dokumentacionin shoqërues si certifikatë sigurie ligjërisht të pavlefshme. Më pas në doganë produkti kalohej si yndyrë bimore pa cilësuar nëse është vaj palme apo soje dhe zhdoganohej si margarinë. Me pas importuesi e ambalazhonte yndyrën bimore në pako të vogla duke e prezantuar në etiketë si gjalp, me origjinë nga Gjermania, ndërsa i modifikohej edhe data e skadencës. Margarina në vendin tonë futej me 140 lekë kilogrami, më pas importuesi dhe ambalazhuesi i shtonin secili nga 100 lekë për kilogram. Çmimi final i margarinës tek konsumatori vinte me 529 lekë kilogrami. Ndërkohë që gjalpi i vërtetë në treg kushton nga 800 deri në 1000 kilogrami. “Skema e mashtrimit ushqimor zbuluar nga 5 inspektime të AKU-së. Si shitet margarina me yndyrë bimore për gjalp. Me ndryshimet në Kodin Penal kushdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore do të marrë ndëshkime të ashpra. S’ka vend për abuzuesit, as nga radhët e inspektorëve tanë dhe as nga operatorët e biznesit ushqimor. Ju ftojmë të jemi bashkë në këtë angazhim madhor”, njoftoi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.