Modestia të zbukuron, mendjemadhësia të shëmton

3903
Sigal

Sevo Tarifa     

-Ese-

Flitet gjithnjë për thjeshtësinë dhe të kundërtën e saj: mendjemadhësinë. Por shpesh cungohet përmbajtja e tyre. Secila ka një kuptim të gjer. Njeriu i thjeshtë është me emër, të hyn shpejt në zemër. Është i mirë, me shpirt të dlirë. Fytyrëmbël, shumë i gjendur. Dashamirës, punëbitisur. I drejtë në vlerësime, për vete pa pretendime. Kurse mendjemadhi krejt ndryshe. E vret lartë, nuk sheh poshtë. Është hundpërpjetë. Nuk “honepset”, rrallë zë miq, është gojëfëlliqur, antipatik.

“Thjeshtësia është më e bukur se bukuria”.

Njeriun e thjeshtë e duan të gjithë. Thjeshtësia është virtyt i tij, që bashkohet dhe me të tjerë virtyte moralë, të cilët i japin atij një bukuri të këndshme, shpirtërore. Thjeshtësia flet për kulturën e njeriut, për mirësjelljen e tij. Mirësjellja është një tipar dallues i kulturës së tij. Kultura është “çelësi i njeriut të thjeshtë”, është “nëna e qytetarisë”. I thjeshti dallohet për marrëdhënie të mira me të tjerët. Është njeri i mirësisë. Të jesh modest, je kokulët, kokëplot, shptrtmadh, krenar. “Modestia është një fill i mëndafshtë, në të cilin janë radhitur gjithë margaritarët e moralit. Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të mësuar dhe të edukuar. Modestia është e pëlqyer, sepse i shpëton njerëzit e mëdhenj nga sëmundja e kryelartësisë dhe e mospërfilljes” (S. Frashëri) Njeriun e thjeshtë e dëgjojnë, e respektojnë dhe ka që e pasojnë e përfitojnë moralisht prej tij, siç mëson e përfiton edhe ai nga të tjerët, duke qenë i lidhur ngushtë me ta. Të thjeshtin shumëkush e ka zili dhe përpiqet ta imitojë. Imituesi e merr për model dhe idhull, mëson e vepron sipas shembullit të tij. I thjeshti karakterizohet nga veti të larta morale, katër nga të cilat, i ka vënë në shenjë: urrejtjen, zilinë e keqe, paditurinë, përbuzjen. Njeriu i thjeshtë njihet që nga pamja e jashtme, nga paraqitja, nga pastërtia, nga fjalët. Ai vishet thjesht dhe është i sjellshëm. Përshtypja për njeriun e thjeshtë krijohet që kur e sheh me sy. Flasin sytë e tij. Mimika, urtësia dhe buzëqeshja e tij.

Jeta e thjeshtë, tipar i modestisë

Në portretin e njeriut të thjeshtë kryesorja është se ai karakterizohet nga modestia në jetë, në punë, në shoqëri. “Jeta e thjeshtë është më e këndshme, më e pastër dhe më e mirë”. (Montenj). Njeriu i thjeshtë dallohet për shpirtin e pastër, për ndershmëri, për lidhje të përzemërta e të sinqerta me njerëzit. Është përfillës i mendimeve të tyre. Dëgjon me kujdes kërkesat, kritikat, propozimet që i bëhen dhe vepron për t’i vënë në jetë ato. Madje është i rregullt, korrekt dhe duke të kthyer përgjigje. Karakteristikë e tij është vlerësimi i drejtë i njeriut, i forcës, aftësive dhe përvojës së tij, jo nënvlerësimi. Është njeri që nuk del mbi të tjerët, nuk i bie gjoksit. Nuk mburret. Nuk e mban kokën përpjetë. Nuk e mbivlerëson veten. Edhe kur flasin mirë të tjerët për të, ai ndërron temë, i vjen mirë të lavdërohen ata që e meritojnë, por jo të flitet për personin e tij e në prani të tij, ca më tepër të vetëlavdërohet. Është bujar. “Zemrat bujare nuk pranojnë lëvdata, kur ato janë të tepërta” (Euripidi) Njeriu i thjeshtë është i punës, i vuajtjeve, që lufton për kapërcimin e vështirësive, që nuk përkulet para tyre, që bashkëpunon dhe u beson të tjerëve, që vlerëson përvojën e përparuar, përfiton dhe vepron për përhapjen e saj. Nuk i monopolizon punët. Mund të mos dijë shumë, por ato që di i zbaton drejt, është llërëpërveshur gjithnjë. Shkon drejt suksesit duke kaluar rrugicave. Dhe nuk i bën këto për t’u dukur, por me ndërgjegje, nuk i bën për hipokrizi, për servilizëm apo karrierizëm, është kundër këtyre veseve. Kur bisedon me të, nuk të ndërpret fjalën, të jep kurajë, besim, optimizëm, të lë të flasësh ti dhe, kur fillon ai, ke qejf ta dëgjosh, është i kuptueshëm, flet thjeshtë. Të jesh i thjeshtë do të thotë: të tjerët t’i falësh, veten jo. Të japësh dhe jo të marrësh. Njeriu i thjeshtë është idedalist, nuk shikon interesat e tij, por të të tjerëve, sidomos të vegjëlisë, të të varfërve, të punëtorëve, është korrekt dhe këtë e tregon me të gjithë, me “të vegjël” e të “mëdhenj”, në punë e në shoqëri; me më të rinj e më të rritur në moshë se vetja. I thjeshti punon e mëson dhe nuk ndihet. Punon e ndihmon të tjerët dhe meritat nuk ia atribuon vetes. “Sa më shumë flasim për meritat tona, aq më pak na dëgjojnë të tjerët”. Me njerëzit e thjeshtë ke dëshirë të bashkëpunosh, t’i pyesësh, të përfitosh prej tyre dhe kryesorja, ta shohësh veten në krahasim me të, të përpiqesh të thithësh nga virtytet e tij. Dhe njerëz të thjeshtë ka kudo: edhe aty ku punon ose mëson ti, atje ku bashkëvepron dhe merr pjesë ne veprimtari shoqërore, atdhetare, kulturore. Nuk është vështirë t’i dallosh njerëzit e thjeshtë, flet qëndrimi shembullor i tyre, karakteri i shëndoshë i tyre, figura e lartë morale, njerëzore. Ata të afrohen vetë. Nuk duhet humbur rasti të takohesh me ta, të dëgjosh e të mësosh prej tyre. Është për të mirën tënde.

“Mendjemadhi niset me kalë dhe kthehet me këmbë”!

Mendjemadhi është kokëbosh, hundëpërpjetë e kokosh. Ecën rrugës duke u tundur e kapardisur. Kalon afër të njohurve dhe bën sikur nuk i sheh. Në fakt ka raste që “sheh”, por e pengon hunda të flasë, bile hunda e pengon edhe të hedhë hapin, i duket sikur ia ka shaluar kalit dhe, kur kthehet, rrëzohet, në çast e sheh veten se është “në këmbë”! Ndodh që ndonjë e pyet: “Pse s’na flet, o Belul”, përgjigjja e këtij është “s’të pashë”! Populli e përkufizon mendjemadhin me fjalët: “Është dhe fodull, dhe qeros”! Dhe “Mendja i ka dalë mbi flokë”, kujton se di shumë, sikur ka dituri, “jo me kile, por me okë”. E mat veten me hijen e mëngjesit. Dhe prandaj “s’ka nevojë të mësojë, të shtojë diturinë”. Nuk janë të paktë ata që, duke menduar se “dinë shumë”, “i dinë të gjitha”, i kanë mbyllur librat. Të vjen keq kur nga këta ka dhe me arsim të lartë!Mendjemadhësia është e kundërt me thjeshtësinë. Tipar dallues i mendjemadhit është padituria. E keqja më e madhe e tij është se ai nuk njeh paditurinë e vet. Mund të ketë shkollë, por nuk e ka parë shkollën, e ka parë shkolla atë. Kryelartësia e bën që të mjaftohet me ato që di. E vërteta është se i ditur është ai që nuk mjaftohet me ato që di, i kërkojë vetes gjithnjë e më shumë, se dituria s’ka fund. Ka dijetarë, që diturinë e tyre e pasurojnë gjithnjë, librit s’i ndahen, mësojnë, studiojnë dhe punojnë edhe në pleqërinë e thellë. Dhe me shembullin e urtësinë e tyre shprehen: “Ne s’dimë as një të miliontën e gjërave që duhet të dimë”. “Unë di një gjë, që s’di asgjë”(Sokrati). “Sikur njeriu të mos bëjë gjë tjetër, veç të lexojë tërë jetën, nuk ia del dot miliona librave që botohen”. Koncepti i mendjemadhit se qenka më i dituri, e çon atë në sjellje e qëndrime që ulin figurën e tij. Edhe kryelarti nuk duket thjesht nga paraqitja, as nga fjalët, por nga qëndrimet, nga veprimet, nga bota e brendshme; çmohet nga shpirti, nga mendja, nga zemra, nga sjelljet. Nuk është vështirë t’ia “blesh” mendimet. Ai e tregon vetë “un-in”, flet e tregon më shumë për vete. Vetlëvdohet. Të tjerët i nënvlerëson, veten e mbivlerëson. Doni më për Belulin? Karakteristikë e mendjemadhësisë është nënvleftësimi i të tjerëve. Mendjemadhit nuk ia zënë syrin njerëzit e thjeshtë, se nuk e lë mbivlerësimi i vetes së tij. Ndaj njerëzit e thjeshtë nuk ia varin shumë. Mendjemadhi ka fare pak miq. Ai nuk shqetësohet kur sheh se punët nuk shkojnë mirë. Dhe kur shqyrton arsyet ose shkaqet, fajin ua hedh vartësve. Sheh “një fije kashtë në syrin e të tjetrit dhe jo trarin në syrin e tij”. Mendjemadhësia shpesh çon në kokëfortësi. Kryelartit e padrejta e tij i duket e drejtë. E drejta e tjetrit, i duket e padrejtë. Flet për “hatër” edhe kur s’ka hatër. Hyn në thashetheme. Kur është fjala për shpërblim, kryelarti përpiqet që “thelën” e madhe ta marrë për vete, ose t’ua japë atyre që janë servilë apo karrieristë të tij, që t’i ketë gjithnjë rreth vetes, mbështetës. Ndodh edhe ndryshe, mund të mos kërkojë gjë hapur për vete, por qejfi ia ka që të propozohet për shpërblim, se sipas servilëve “është ai, pa jemi ne”! Ai që është mendjemadh nuk e ha kritikën, pa le të bëjë autokritikë. Ai thotë me vete: “Ruajna zot nga kritika, se nga autokritika ruhem vetë”. Dhe po e kritikove, bëni mirë hesapet, se nuk përton të hakmerret sidomos kur është me pozitë dhe ka në dorë, “të bën gjëmën”. Kritika e bën të hidhet përpjetë, si i pickuari nga grerëa. Dhe fillon nga justifikimet, vë theksin tek “arsyet objektive”, anashkalon ato subjektive. Ose përgjigjet me ironi: “Më mirë të jesh mendjemadh, se mendjevogël”(!). Edhe kur ndodh që të bëjë një farë autokritike, këtë përpiqet ta bëjë sa për formë, mendon se do krijojë përshtypjen e mirë e, sipas tij, të mund të fitojë pak simpati. Ka mendjemëdhenj që mund të mos vishen mirë, pse mendon, se të tjerët do krijojnë përshtypjen se “është thjeshtë”! Vepron sa për sy e faqe. Por nuk ka parasysh se mund të vishesh mirë e të jesh i thjeshtë, siç mund të vishesh keq e të jesh fodull. Por kjo ndodh përkohësisht. Mendjemadhësia i ka rrënjët thellë në trurin e në ndërgjegjen e mendjemadhit. Kryelarti mund të ketë miq vetëm servilë, lajkatarë. Por “Lajkatari është një gjuetar, laku i të cilit është lajka: në këtë lak nuk mbetet njeri përveç atyre që janë mendjelehtë dhe iu fluturon mendja”. (Solomon).

“Krenaria i ka rrënjët në thjeshtësi”.

Mendjemadhësia dhe kryelartësia kanë një kuptim, janë sinonime, por këto s’duhen ngatërruar dhe as barazuar me krenarinë. Krenaria është karakteristike për njerëzit që arrijnë një sukses, që nderohen me punën e tyre, jo për ata që humbasin dhe krekosen, sikur të ishin fitimtarë. Të krenohesh kur humbet, kjo do të thotë se e vret lart, je mendjemadh.  Ndjenja e krenarisë së njeriut që fiton është e natyrshme. Kjo krenari arsyetohet, argumentohet, ilustrohet dhe shoqërohet me kënaqësi shpirtërore, me fytyra të çelura. Kush del fitues, e sheh fitoren me sy. Ka që munden e s’e prishin gjakun, u duket sikur fitojnë, justifikohen, inatosen dhe flasin se “e kanë fajin të tjerët”. Mendjemadhi e ka zakon të mburret, punën e pa kryer e bën të kryer arrin të gënjejë. Mburrja kur mundej, është si një copë e zezë e qepur me pè të bardhë. Krenari është ballëlartë dhe kalon i nderuar para të tjerëve, kurse humbësi s’ka pse të jetë i tillë. I fituari urohet, i munduri ngushëllohet. Kur humbësi “krenohet”, krenaria njolloset, sepse në këtë rast mbiçmohet i munduri, ndërsa nënçmohet fitimtari, ndaj të cilit shfaqet zilia gative, që kthehet në smirë, në xhelozi, në urrejtje ndaj të dalluarve. Krenaria i shkon atij që e meriton, atij që fiton. Del pyetja: Kur quhet “fitues” ai që humbet, po fitimtari si duhet quajtur?! “Krenaria ka rrënjët në thjeshtësinë e tij, ndërsa degët në bukuri”! Jeta rrjedh e vrullshme. Vitet vrapojnë. Njerëzit ndryshojnë. Edhe të thjeshtët, mendjemëdhenjtë e krenarët, evoluojnë, ndryshojnë. Ndodh që ky ose ai mendjemadh heq nga vetja minuse dhe shton pluse me thjeshtësi, një njeri i thjeshtë që është krenar, “dehet nga sukseset” dhe bie në punë, s’është i mobilizuar si më parë, ndryshon për keq, fillon e mburret edhe kur s’ka arritje, në këto raste kalon kufijtë e krenarisë dhe shket në mendjemadhësi. Ishin këto disa nga tiparet dalluese të portretit të njeriut të thjeshtë e të mendjemadhit. I thjeshti është i nderuar Mendjemadhi nuk mund ta ketë konsideratën e të thjeshtit. Në qoftë se vetedukohet, ose ndihmohet me riedukim nga shoqëria, edhe ai mund të veshë “kostumin” e njeriut të thjeshtë.