Ministri Tavo në Durrës: “Jeni në provë, mjekë dhe staf i spitalit!”

1330
Sigal

TAKIMI/ Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo: “Të minimizohen rastet e dërgimit të pacientëve në QSUT”

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo ka kërkuar nga qyteti i Durrësit më shumë disiplinë dhe etikë profesionale dhe shkencore në punë nga ana e bluzave të bardha si dhe ndërgjegjësim e mëtejshëm të etikës së infermierëve e sanitarëve. Tavo ka thënë se në këtë drejtim duhen të merren të gjithë masat  për një sjellje dinjitoze, në rast të kundërt penalitetet do të jenë të rrepta, për të gjithë personelin mjekësor që nuk ka etikë profesionale me pacientët dhe me të afërmit e tyre. Duke inspektuar edhe ambientet e Spitalit të Durrësit ai ka apeluar për angazhimin dhe gatishmërinë e plotë ndaj pushuesve, të cilët shpesh përballen me probleme shëndetësore si rrjedhoje e ndryshimit të klimës, por edhe nga epidemi të ndryshme duke rritur kështu edhe fluksin e pacienteve nëpër spitale. Me nota kritike, madje një periudhë prove për performancën e mjekëve dhe të spitali  është shprehur Tavo në drejtim të dërgimit të pacientëve drejt Qendrës Spitalore Nënë Tereza.

Kërkesa

“Të minimizohen rastet e dërgimit të pacientëve në QSUT, kam parë raste që një pacient me ulçër është dërguar në këtë spital për trajtim, QSUT e ka të pamundur të përballojë këtë fluks nga të gjithë rrethet e vendit me medikamente. Matja e performancës së spitalit në këtë drejtim do të jetë indikatori i parë sepse janë dërguar në QSUT 2667 raste, ku vendin e parë e zë Berati, Fieri dhe i treti është Durrësi”, tha Ministri i Shëndetësisë. “Të rritet intensivisht puna e inspektoratit sanitar në këtë periudhë, të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme cilësia e ujit të pijshëm dhe të merren masat në kohë për shmangien e situatave me efekt negativ në shëndetin publik. Kjo problematikë duhet  të ndiqet me prioritet nga sektori i higjienës dhe i epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik si dhe në bashkëpunim me specialistë të ISHP-së në terren”, tha ministri Tavo në këtë takimin me drejtues të Spitalit të Durrësit dhe të DSHP-së rajonale. Z. Tavo kërkoi në veçanti masa për stinën e nxehtë për trajtimin dhe ndjekjen në kohë të të sëmurëve kronikë, fëmijëve, grave shtatzëna, etj. Gjithashtu ministri Tavo la për detyrë monitorimin në vazhdimësi të mbulimit të popullatës me mjekë familjeje dhe infermierë në kujdesin shëndetësor parësor duke mos lejuar asnjë mungesë në zona. Në takimin me drejtues të Spitalit të Durrësit dhe të DSHP-së rajonale, Ministri Tavo e vuri theksin tek furnizimi i spitalit me medikamente dhe mjete konsumi, realizim të investimeve dhe menaxhim racional, por dhe trajtim të përgjegjshëm të të sëmurëve. Gjithashtu, Ministri i Shëndetësisë, Z. Vangjel Tavo, ka kërkuar nga strukturat shëndetësore rajonale të tregohen të kujdesshme me referimin e rasteve nga spitalet rajonale drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.