“Meqenëse janë mbyllur shumë biznese Vlora nuk e ndjen krizën”

592
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i Tatim-Taksave, Namik Veipi: “Pse e kundërshtoj Bankën Botërore”

I njohur si “dorë e hekurt” në drejtimin e administratës, Namik Veipi, kreu i zyrës rajonale të Tatim-Taksave në Vlorë, është shprehur ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, duke paraqitur arritjet e institucionit që drejton, “sekreti” i suksesit, duke mos pranuar ekzistencën e krizës. Ai reagon edhe ndaj Bankën Botërore, që është e kënaqur me rritjen 1 për qind, ndërsa Tatim-Taksat në Vlorë kanë arritur 9 për qind më shumë.

Z.Veipi, si shkoi sezoni turistik në Vlorë?

Institucioni ynë, i mori masat që në fillim të vitit, ku u ndërtua plani strategjik, plani operacional, duke ndarë detyrat për çdo sektor. Nuk mjaftojnë planet, ambiciet që ke, nëse nuk ke disiplinë, nëse nuk përjashton në mënyrë kategorike korrupsionin. Në institucionin tonë, disiplina në punë ka qenë dhe mbetet në shkallën më të lartë. Grupet e punës kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës së sezonit. Ju pyesni se çfarë u arrit gjatë sezonit turistik në linjën tonë. Ju them se u ushtruan kontrolle në 257 subjekte, që ushtrojnë veprimtarinë nga Skela deri në Qeparo, prej të cilave 94 ishin hotele. Aty u kontrollua fuqia punëtore, kasat dhe kuponi tatimor. Shërbimi tatimor pati edhe një risi këtë sezon.

Për çfarë bëhet fjalë?

Për zonën e Himarës ne hapëm zyrë shërbimi për Tatim-Paguesit, kjo nuk ishte parë dhe dëgjuar ndonjëherë. Dërguam atje, një nga inspektorët më të mirë të tatimeve, që e njeh zonën, i cili u vendos në Bashkinë e Himarës. Ai i shërbeu biznesit non stop, duke ju mënjanuar atyre 140 km vajtje-ardhje. Kjo i dha dorë shumë mbledhjes së detyrimeve. Përveç kësaj, rrahëm të gjithë zonën bregdetare deri në Qeparo. Kontrolluam subjektet, ju bëmë të ditur se fillon turizmi, merrni këto masa, regjistrohuni, pasi me të drejtë ata çregjistrohen pasi përfundon sezoni turistik, siguroni fuqinë punëtore. Deklarimi i shtëpive të banimit që do t’i përdornin si hotel gjatë sezonit, gjë që nuk është bërë më parë. Ne ju uruam atyre, tu shkonte mbarë sezoni, por me doemos do të paguanin 10 për qind të tatimit. Në këtë pikë, patëm një bashkëpunim shumë të frytshëm me Bashkinë e Himarës, të Orikumit, Komunën Qendër, me Komunën e Kotës, Vllahinës deri në Komunat e Brataj e Vranisht. Pra shërbimi tatimor, nuk është vetëm në bregdet, u shtri edhe në komuna.

Cilat janë të ardhurat për këtë sezon?

Krahasuar me vitin e kaluar kemi realizuar 109 për qind, që do të thotë 3.2 miliardë lekë të vjetra, ose 320 milionë lekë të reja. Nga 2.29 miliardë që ishte vitin e kaluar, ndërsa si 8-mujor jemi tek 107 për qind. Kemi monitoruar subjektet, sigurisht jemi ndeshur edhe me vështirësi. Zyra jonë po kontrollon një më një subjektet në të 5 rajonet e Vlorës, në çdo rajon kemi nga dy inspektorë të Tatimeve në terren, që çdo ditë monitorojnë dhe konstatohet me kënaqësi që çdo ditë hapen biznese të reja. Këto masa na kanë bërë që të arrijmë suksesin, që nuk e ka asnjë drejtori rajonale e Tatim-Taksave.

Duket i pabesueshëm deklarimi juaj, ndërsa bashkia e qytetit konfirmon mbylljen e një numri të konsiderueshëm biznesesh dhe pamundësinë për mbledhjen e taksave?

Po, mund të jenë mbyllur një numër i vogël biznesesh, por janë hapur shumë të reja. Mund t’ju them me përgjegjësi se gjatë muajve korrik-gusht patëm 800 shtesa të fuqisë punëtore, ashtu sikundër kishim edhe 300 largime.

Ju e përjashtoni korrupsionin tek institucioni që drejtoni?

Në mënyrë kategorike, unë si drejtues i institucionit as blihem dhe as shitem. Sikurse shikoni, këtu rrotull, në zyra jo se jo, nuk gjen asnjë biznesmen, ata nuk kanë punë këtu, shkojnë inspektorët tanë tek biznesi. Ne kemi diktuar vetëm një rast, të cilin unë e denoncova në Prokurori dhe që po përballet me ligjin.

E kemi bërë rregull, që në institucion të vijnë specialistët që të flasin me gjuhën e shifrave?

Sigurisht, zyra jonë ka bërë dhe sekuestrime, se nuk është në rregull me ligjin, depot e katit të parë janë mbushur plot. Pse? Sepse u kemi dalë borxhit. Nuk ke deklaruar fuqinë punëtore, gjobitesh 100 mijë lekë. Pra ka edhe masa për atë pakicë, që nuk i bindet ligjit. Disa biznese na ankohen se u është prishur kasa. Ok, të punojë me dëftesë tatimore deri sa të rregullohet.

Keni bërë ndonjë “sulm” të fundit?

Po, një ditë më parë unë bashkë me 40 tatimorë, krehëm zonën që nga Zvërneci, që pati një “bum” turistik këtë vit dhe deri në Qeparo. Kur lulëzon biznesi e zbatohet ligji, mbushet edhe arka e shtetit.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me bashkinë e qytetit, që ankohen se nuk mbledhin taksat vendore?

Bashkia ka taksat vendore, ne kemi taksat nacionale. Bashkia duhet të vijë, pse 40 për qind të ardhurave i kanë nga taksat vendore. Ka ndodhur që administrata vendore ka ngelur pa paga, atëherë kam çuar unë inspektorët e mi, që të mbledhin taksat vendore, si në Orikum, Komunën Qendër, në Vllahinë etj..

Po zyra e Tatim – Taksave në bashki çfarë bën?

Nuk e kanë forcën e duhur. Pse po i jep rrogat Novosela, sepse nuk ka probleme Komuna Qendër për pagat, pse e kaloi situatën Bashkia Orikum, sepse mbledhin taksat vendore.

Kriza dhe biznesi

Për institucionin e Tatim-Taksave nuk ka krizë tek biznesi. Si mund të them se është biznesi në krizë, kur ne siguruam 3.2 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, kur plani është realizuar si 8 mujor 107 për qind. Në gjykimin tim, nuk ka disiplinë, nuk punohet me ndërgjegje për të zbatuar ligjet, lejon qëndrimet korruptive. Këto janë shkaktarët që pengojnë zbatimin e ligjit, realizimin e detyrimeve që ke ndaj shtetit. Madje unë shkoj më tej dhe e kundërshtoj BB, e cila thotë që prodhimi bruto në Shqipëri të rritet 1.3 për qind. Me këtë shifër ata kënaqen, kurse zyra rajonale e Tatim-Taksave në Vlorë ka një rritje prej 8.9 për qind. Nuk flas në hava, por me shifra. Tatim- Taksat fitimet i kanë në thesar, ku shifrat tona me ato të thesarit, përputhen deri në qindarka.