“Më mirë të vdes!” Transgjinorja Anxhela tregon si e dhunuan 6 vetë dhe askush nuk e ndihmonte

222

Pak ditë më parë disa të rinj ende të paidentifikuar dhunuan brutalisht transgjinoren e njohur në Tiranë, Anxhelën.

Kjo e fundit ka folur për dhunën në një intervistë për “Top Channel”, ku shprehet se ishin 6 të rinj me çanta shkolle që i gjuanin në stomak, dhe askush nuk e ndihmonte edhe pse ishte pranë Parlamentit, ku ka shumë lëvizje.

Anxhela shprehet se ka tentuar t’i japë fund jetës, pasi është bërë e padurueshme me ofendimet, dhunën dhe përdhunimet.“Po qëndroja pranë Parlamentit sepse jam e pastrehë. Para meje ishin tre djem të rinj dhe njëri prej tyre po më shikonte me urrejtje. Njëri prej tyre më godet me shkel dhe më rrëzon. Një tjetër më gjuan me shkel në stomak dhe më lë pa frymë. Pastaj erdhën dhe tre të tjerë. U bënë 6 veta që më gjuanin. Unë bërtisja “Policia”. Asnjë nuk u afrua. Mbaj mend një grua që ndërhyri dhe i tha pse i gjuani. Ata i thoshin se këta duhen shfarrosur dhe duhen vrarë. Ata ishin të rinj. Ishin me çanta shkolle. Shkova tek organizata. Kam tentuar t’i jap fund jetës. Mirë sharjet i duroj por dhunën…edhe unë njeri jam. U mërzita me jetën. Thashë që më mirë të vdes se nuk duroja dot më. Dhuna po, përdhunimet po. Të gjitha i kam në kurriz. Janë pafund rastet e mia. Më mirë të kisha vdekur në ato momente”, u shpreh ajo.

Sulmi është dënuar nga ambasada e Holandës në Tiranë, e cila u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin masat e duhura.

Edhe kreu i shtetit Meta ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj transgjinores Anxhela, duke u kërkuar autoriteteve që të marrin masat dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmit.