Mbyllet aplikimi për ndryshimin e vendbanimit

642
Data 27 korrik ishte edhe afati i fundit i periudhës 6-mujore të amnistisë për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Por edhe dje në sportelet e njësive administrative vazhdon fluksi i qytetarëve që aplikojnë për të ndryshuar adresën e vendbanimit. Erion Çuku, specialist pranë njësisë administrative numër 2, shpjegon për mediat se 27 korriku ka qenë afati i fundit. “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka bërë një njoftim që afati i fundit për ndryshimin duhet të bëhet brenda datës 27 korrik 2017. Të gjithë ata qytetarë që nuk arritën të bënin deklarimet do të përballen me penalitetin e gjobës në vlerë 10 mijë lekë edhe pse ekziston ende mundësia që të kenë një shans të dytë. Një vendim i tillë të mund ta marrë Parlamenti i ri”, u shpreh Çuku. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si pjesë e Ministrisë së Brendshme, gëzon të drejtën që të propozojë një amnisti të dytë. “Duke qenë se afati i fundit ka qenë data 27 korrik, duke parë që ka kaq shumë njerëz shpresojmë që t’i japim një mundësi të dytë qytetarëve duke qenë se ka kaq shumë kërkesa”, tha Çuku. Në kryeqytet ka ende njësi administrative që kanë pranuar aplikimet edhe më 28 korrik për ndryshimin e adresës së vendbanimit për t’i shpëtuar gjobës. Për ditë me radhë shumë qytetarë kanë paraqitur dokumentet për ndryshimin e vendbanimit, duke shkaktuar radhë të gjata në njësitë e qeverisjes vendore. Qytetarët shpeshherë janë ankuar për vonesa dhe probleme në procesin e dorëzimit të dokumentacionit, veçanërisht në njësitë vendore të kryeqytetit, ku numri i popullsisë është i madh dhe lëvizjet kanë qenë më të shumta. Megjithatë pritet qëndrimi që do të mbajë Ministria e Brendshme dhe qeveria për të propozuar ose jo një shtyrje të afatit për ndryshimin e vendbanimit, në mënyrë që të evitohet pagimi i gjobës për qytetarët.
Sigal