“Lufthansa” anulon qindra fluturime prej grevës së pilotëve

77

Kompania më e madhe ajrore në
Gjermani, “Lufthansa” ka anuluar 830 fluturime të distancave të shkurtra dhe të
mesme ditën e premte, duke lënë afro 100 mijë pasagjerë të bllokuar pasi greva
e pilotëve hyri në ditën e tretë për shkak të një mosmarrëveshjeje afatgjatë
mbi pagat e tyre.




Kompania njoftoi gjithashtu edhe anulimin e 137 udhëtimeve të
distancave të largëta të parashikuara për të shtunën, nga të cilat preken edhe
30 mijë pasagjerë të tjerë. Që prej nisjes së grevës ditën e mërkurë, kompania
ajrore është detyruar të anulojë 2.863 fluturime, duke u bërë pengesë për 345
mijë pasagjerë.




Ajo
shtoi se shumica e fluturimeve të anuluara do të kryheshin këtë të shtunë,
ndërkohë që linjat e tjera ajrore të përfshira në të njëjtin grup nuk janë
prekur. Këtu përfshihen fluturimet e “Eurowings”, “Germanwings”, “Swiss” dhe
“Austrian Airlines”.




Greva
e thirrur nga sindikata e pilotëve është e 14-a që prej prillit të vitit 2014.
Sindikata ka njoftuar vijimin e grevës për një tjetër ditë, ndërsa zëdhënësi
Joerg Handëerg tha për agjencinë e lajmeve “DPA” se sindikata nuk ka marrë një
vendim se kur do të përfundojë kjo grevë.




Pilotët
kërkojnë një rritje prapavepruese prej 3.66 për qind në vit, për një periudhë
prej 5 vitesh e gjysmë, një kërkesë që “Lufthansa” thotë se është e pamundur të
realizohet, për shkak të konkurrencës nga kompani ajrore si “Gulf”, apo edhe
buxhetit europian.




E
megjithatë, kompania ka rritur ofertën e saj ndaj pilotëve këtë të premte, në
një përpjekje për të rifilluar negociatat me sindikatën. “Lufthansa” ka ofruar
një rritje prej 4.4 për qind që do të bëhet në dy kohë deri në mesin e vitit
2018, ndërkohë që ofron edhe një pagesë sa 1/8-a e pagës mujore në vend të
rritjeve të mëparshme. Kompania ka ofruar gjithashtu të punësojë rreth 1.000
pilotë të rinj në 5 vitet e ardhshme, ndërkohë që kërkon edhe ndërmjetësimin e
palëve të treta për çështje të tjera.