“Lojërat e Fatit” dhe kazinotë, shtyhet zbatimi i ligjit të ri deri më 2018

678

Sigal

Gjashtë deputetë të mazhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit të lojërave të fatit edhe për dy vite të tjera. Deputetët theksojnë se, duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të ligjit 155/2015 deri më datë 31 dhjetor 2018.

Ligji i ri i lojërave të fatit përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.

Kategoritë
Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”.

Ligji nr. 155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri më datë 31 dhjetor 2016.

Sa u takon kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, ligji nr. 155/2015 në dispozitat e tij kalimtare parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licencës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij, dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.

Sipas ligjit, ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Por ky parashikim i dhënë nga ligji është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave që këto subjekte kanë nënshkruar, janë për një afat më të gjatë se vetë periudha e parashikuar nga neni 71 i ligjit. Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore.

Gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji janë evidentuar një sërë problematikash. Subjektet kanë hasur në vështirësi në lidhje me përmbushjen e kërkesave të ligjit brenda afatit 31.12.2016, të parashikuar në nenin 71 të ligjit në fuqi. Gjithashtu, vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose, në rastin më të keq, bllokimin e veprimtarisë së tyre. Njëkohësisht me propozimin e paraqitur kërkohet shfuqizimi i pikës 1 të nenit 71 të ligjit.

“Kjo për faktin se parashikimi i kësaj pike bie ndesh me parashikimet e pikës 2, pasi rezulton se shoqëri të licencuara për këto lojëra fati kanë një afat të përfundimit të licencës përtej 31.12.2016, ndërkohë që pika 2 bie ndesh me pikën 1, duke krijuar një kaos në treg dhe shteg për interpretime subjektive. Ministria e Financave argumenton se, duke shfuqizuar pikën 1 të nenit 71, rezulton të kemi një afat të vetëm kohor për vlefshmërinë e licencës për ushtrim veprimtarie. Ligji në fuqi për lojërat e fatit, mundëson edhe zhvendosjen e lojërave të fatit si aktivitet ekonomik për t’u ushtruar në hotele me 5 yje apo në resorte turistike.

Duke parë situatën konkrete në të cilën ndodhemi, kur këto hotele apo resorte ende nuk janë ngritur dhe kërkojnë minimalisht një periudhë 3-4-vjeçare për t’u ndërtuar, me qëllim ruajtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit, kërkojmë të shtyhet afati i parashikuar nga neni 71 i ligjit. Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si edhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”, thuhet në relacionin e paraqitur nga deputetët.

“Në kërkesën tonë kemi konsideruar edhe numrin e të punësuarve në këtë sektor, numër i cili kalon atë të 1.800 punonjësve, të cilët në datën 1 janar 2017 do ta shohin veten të papunë dhe si të tillë të regjistruar në regjistrat e papunësisë, duke sjellë në këtë rast rritjen e kostove të buxhetit të shtetit për ndihma sociale për familjet në nevojë. Në të njëjtën kohë, për shkak të moskrijimit të strukturave hoteliere, do të kishim një situatë shume të rëndë, pasi do të krijohet një vakum oferte të ligjshme dhe të kontrolluar të këtij aktiviteti në treg boshllëk, i cili do të thithet menjëherë nga tregu ilegal si dhe nga oferta e lojës e tregjeve fqinje”, thuhet në relacionin e draftit që mban firmën e gjashtë deputetëve.