Linjat ajrore të trafikantëve greko-shqiptarë

788
Nuk është skenar filmi, por histori jete, e përjetuar nga një i ri shqiptar, i cili për shkak të papunësisë në vend, ka zgjedhur rrugën e emigrimit nëpërmjet rrjeteve ekzistente të trafikimit, që të çojnë në destinacione të ndryshme në këmbim të një shume parash të rinj dhe familjarë. Për gazetën “Telegraf”, ka treguar të gjithë rrugëtimin e tij, një i ri shqiptar, i cili ka ndërmarrë rrezikun për tu larguar në drejtim të Amerikës, në këmbim të një shume prej 15 mijë eurosh. Në pamundësi të gjetjes së një vendi pune pas mbarimit të universitetit, i riu 25-vjeçar, ka marrë përsipër rrezikun e largimit nga Shqipëri në drejtim të Amerikës, duke e nisur udhëtimin e tij nga Tirana. Ai tregon se, kontaktet për largimin nga Shqipëria lidhen në Tiranë, nga ku një rrjet i stërvitur trafikantësh shqiptarë, të lidhur me drejtues të aeroportit të Athinës dhe pilotë avionësh të tre destinacioneve, respektivisht (Amerikës, Kanadasë dhe Anglisë), marrin të rinj dhe i dërgojnë në vende si, Amerikë, Kanada dhe Angli, kundrejt shumave të majme. 25-vjeçari tregon se, për të shkuar në Amerikë duhet të paguash 15 mijë euro, po ashtu edhe për të shkuar në Kanada, ndërsa për të shkuar në Angli, nevojiten shuma prej 5 mijë eurosh. Papunësia në vend e detyroi 25-vjeçarin të kërkojë kontaktet me drejtuesit e këtij rrjeti, që pikën e ka në Tiranë, për të bërë të mundur rrugëtimin në drejtim të Amerikës. 

Menjëherë pasi bëhet lidhja e kontakteve me rrjetin në Tiranë, bëhet gati dhe shuma e parave, e cila lihet si garanci tek një i njohur i të dyja palëve. Më pas fillon grumbullohet një numër i konsiderueshëm të rinjsh, numër që mund të shkojë në disa dhjetëra persona dhe më pas bëhet përgatitja për nisjen e të gjithë kalvarit të gjatë, për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar. Menjëherë pasi lidhen kontaktet dhe sigurohet shuma e nevojshme, të gjithë personat do të largohen në drejtim të Athinës, si “turistë normalë”, pa hasur asnjë problem në kontrollet doganore të të dyja vendeve, i gjithë grupi i personave është i shoqëruar nga persona të tjerë, që i siguron kontakti i parë. Kur mendohet se ky grup prej disa dhjetëra personash do qëndrojë në Athinë si turistë, këta të fundit i drejtohen aeroportit të Athinës, nga ku nis dhe udhëtimi në drejtim të Amerikës, Kanadasë apo Anglisë. Në aeroport, i riu tregon se, ka persona (punonjës) të aeroportit që janë në dijeni të faktit se, personat që po largohen, po shkojnë diku në këmbim të parave dhe nuk nxjerrin asnjë problem, duke i regjistruar ata si turistë, kur në fakt ata janë duke udhëtuar ilegalisht. 25-vjeçari tregon se, në aeroport priten nga të tjerë persona që i çojnë deri tek avioni, i cili kryen udhëtimet në vendet respektive. Deri në këtë pikë janë përfshirë disa persona, përfshi dhe punonjës të aeroportit të Athinës, të cilët bëjnë që gjithçka të shkojë vaj. Ndërkohë që grupi i personave që po shkojnë në drejtim të një destinacioni, janë të shoqëruar gjatë gjithë kohës, duke nisur nga Tirana, deri në nisjen e avionit në drejtim të Amerikës, Kanadasë apo Anglisë. Në aeroport, grupi i të rinjve shpërndahet në drejtime të ndryshme, disa i hipin avionit për në Amerikë, disa atij për në Kanada, ndërsa disa të tjerë, avionit që shkon në Angli.

 Me të hipur në avion, personave u bëhet e qartë, se si duhet të sillen, pasi në avion, ata figurojnë si punonjës të ekuipazhit, kjo për të mos nxjerrë asnjë problem. Gjatë gjithë udhëtimit, nuk del asnjë problem, tregon i riu 25-vjeçar. Me të arritur në destinacion, në rastin e të riut në Amerikë, 25-vjeçari tregon se, bëhet kontakti me familjarët dhe me personin që ka mbajtur paratë gjatë gjithë kohës, i cili tani duhet të dorëzojë shumën e majme të parave tek drejtuesi i të gjithë këtij rrjeti, i cili merr paratë dhe zhduket, kushedi se ku… Personi, i cili tregoi këtë histori për “Telegraf’, shprehet se kjo është rruga më e lehtë dhe më e sigurt, pasi ka dhe rrugë të tjera, të cilat janë të organizuara po nga ky rrjet, i cili bën kalimin e personave njëherë në Francë, për të shkuar më pas me gomone në drejtim të Anglisë. 25-vjeçari thotë se ky destinacion kushton më pak, por ka më shumë rrezik, pasi udhëtimi me gomone gjatë natës është mjaft i rrezikshëm, ashtu siç është i rrezikshëm dhe udhëtimi me kamionë, në dhomat frigoriferike. Por, nevoja i shtyn të rinjtë shqiptarë të pashpresë në vendin e tyre, të rrezikojnë me shpresën për një jetë më të mirë. 25-vjeçari më tej qartëson se, paratë e paguara për udhëtimin nuk të kthehen në rast se nuk të ecën, pra nëse kapesh dhe rikthehesh në Shqipëri, por të sigurohet një tjetër udhëtim, ky i fundit falas. Madje thotë se, nëse një persona siguron një numër prej 4-5 personash, që duan të largohen në drejtim të një destinacioni, përfiton udhëtimin falas, pra përfiton “ofertë”. Kjo është rruga që shumë të rinj shqiptarë, por edhe familjarë, marrin për tu larguar nga Shqipëria nëpërmjet rrjeteve, të ngritura “nën hundën” e shtetit shqiptar. Të rinj dhe familjarë, të cilët ndërmarrin rrezikun nga pamundësia e gjetjes së një vendi punë në Shqipëri edhe pse këta të fundit mund të kenë diploma. Por që në vendin e tyre nuk ju vlen asnjë lek… Ndaj si rrugë shpëtimi kanë zgjedhur emigrimin në rrugë klandestine, duke rrezikuar jetën për një të ardhme më të mirë.
Sigal