Leskodukajt e Bolenës

528
Gëzim Zilja
Moj Bolenë e Leskoduke,
As u trembe, as u tute!
Të ngriu palla mbi supe.
Pallë e larë e e Birçeguxhe
Që qëllon në ato lugje
Kur priste kokat e turqe
Fshati Bolenë, si gjithë krahina e Labërisë do të ishte pjesëmarrës në të gjitha kryengritjet popullore pas vitit 1828. Ajo do të kishte përfaqësuesit e vet në të gjitha kuvendet, që u zhvilluan në Labëri nga viti 1828 deri në vitin 1847, rreth, shtatë të tilla. Në betejat e zhvilluara, rapsodi vendas, fshatin Bolenë e shquan mbi të tjerë: 
Bolenë e zeza Bolenë 
Zure dyfekun me mbrenë
Në një nga betejat për marrjen e Beratit, shquhet luftëtari bolenas Birbil Leskua, i biri Lesko Mingos, që luftonte krahas Zenel Gjonlekës. Thuhet se ky trim i Bolenës vdiq në krahët e të madhit Zenel Gjonleka. Ashtu të pajetë trupin e tij e sjellin në Bolenën që e lindi dhe e rriti:
Ja ku na prunë Birbilë
Shkallë më shkallë si yllë
Vall’ i kuja është ky djalë
Vall’ i kuja është kjo pemë
I Lesko Mingo Bolenë.
Shumë të afërta kanë qenë lidhjet midis fshatrave të Labërisë në ditë të bardha e në ditë të zeza, madje edhe me krushqi midis tyre. Trimi i Leskodukjave ka gjysmë gjaku nga Bolena dhe aq nga Kuçi i Zenel Gjonlekës: Nëna e këtij djali është një grua kuçjote e bukur, leshverdhë e quajtur Sose Mustafarai. Vargjet (vetëm dy të tillë) e kursyera deri në drithërimë, japin gjithë informacionin e nevojshëm plot vërtetësi e ngjyrime :
Vallë ç’nënë e ka pjellë 
Një Sose Kuçe leshverdhë…
Për shtypjen e kryengritjes së Jugut të vitit 1847, që tronditi perandorinë turke u nisën formacione të armatosura nga pashallëku i Janinës, i Thesalisë dhe i Manastirit. Duhet të theksojmë se në të gjitha këngët e epikës historike të kryengritjeve të shekullit XIX por edhe në dokumentat e kohës, shpesh fshatrat Kallarat, Kuç e Bolenë 
Kallarat, Kuç e Bolenë
Te lumi e zunë dyfekë
përmenden së bashku si një treshe shumë e lidhur:
Se ç’u nisnë shtatë taborrë
Shkuan për nënë Mavrovë 
Në urë të Bratet u hodhë
Mesaplik hodhën taborrë
Misërishtat i korrë 
Bolenë e Kuçin e dogjnë.
Në një këngë tjetër çasti i i arritjes së ekspeditës jepet:
Gjemitë e detit errinë 
Për të lidhur parësinë…
Leskodukajt, Bolenë
Kallarat ata që qenë. 
Lamen e Dervish Bejnë
Të shtatë si shqerrë i therrë….
Ekspedita u vendos në zemër të Labërisë në Mesaplik dhe prej aty filloi gjuetia e ajkës së kryengritësve, një pjesë e të cilëve ishin kthyer në vendbanimet e tyre. Ushtria turke do të fillojë gjuetinë në fshatrat Kaninë, Bolenë, Mavrovë, Kuç, Kallarat, Brataj, etj. për kapjen dhe asgjësimin e luftëtarëve, duke mos lënë gurë mbi gurë. Shpesh në vargjet që na vijnë nga thellësia e viteve të shkuara llagapi Leskodukaj përdoret edhe në konteksin bolenas ose nga Bolena. Për Leskodukajt e Bolenës ka porosi të veçantë nga veziri:
Dërgon një kartë veziri
Leskodukajt të m’i ziri 
Rrathët në kokë t’u hidhi
Pranga në këmbë t’u vini
Cita* në thonj t’u ngjini
Lidhur në Stamboll m’i bini
Brenda në bodrum t’i shtini.
Nga ana e këtyre të fundit do të kishte një rezistencë me armë deri në vetmohim. Por ashtu si Zenel Gjonleka, trimat e Bolenës, do ta presin turkun me luftë. Kodrat, grykat e skërkat e Bolenës së tyre të dashur, do të kthehen sërish në vatra të rezistencës, në varre për pushtuesin, por edhe për vetë lebërit. Leskodukajt dhe trima të tjerë të Bolenës, do të tregonin sërish sesa vlenin. Të bën përshtypje sesi poeti popullor pyet, duke personifikuar shpatën (jo një shpatë dosido) sikur të ishte një njeri që po ecën e pyet : 
Ç’është ajo që po shkon tutje
Me rripa supe më supe? 
Menjëherë vjen përgjigja e prerë, sqaruese se ajo pallë e larë në flori, që ka prerë pa pushim koka nizamësh (poeti habitet, që rripat ende vazhdojnë ta mbajnë pa u këputur) “po shkon tutje” së bashku me zotin e saj:
Pallë e larë e Leskoduke
Moj e shkretë si s’u këpute
Ç’e mbante Birçja mbi supe
Gjithmonë në një luftë të pabarabartë, trimat e Bolenës do të vazhdojnë të luftojnë. Të diktuar e rrethuar nga ushtarë të shumtë të perandorisë ata vazhdojnë luftën. Sadik Leskua, Birçe Guxha, Kasëm e Zeno Mullai, Majko Hoxha, Sinan Malo dhe bolenasit e tjerë do të luftonin e do të bënin një vdekje heroike: 
Sadiku qëllon mbi këmbë
Seç i pret plumbat me dhëmbë
Birçe Guxha pallëlarë
Se ç’u hodhë nga brek’ i parë
Me Zenon e Kasëm Mullanë.
Për Sinan Malon bashkëluftëtarin flokëverdhë, të Çelo Picarit, kënga është e veçantë, e kursyer në vargje por e plotë në histori.
Sinan Malua çepeverdhë
Vrit e prit më ata levendë
Ngrehu Sinan dhe njëherë
Ashtu si keshe adenë 
Bashkë me Çelo Memenë.
Pas dobësimit të kryengritjes së vitit 1847 dhe dorëzimit të kalasë së Beratit nga kryengritësit, si përherë Porta e Lartë dërgoi ( të njëjtin gjë do të shohim dhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, 30 vjet më vonë), një ekspeditë ndëshkimore për të kapur, internuar e asgjësuar luftëtarët dhe udhëheqësit e kryengritjes. Por jo vetëm kaq. Ngado kalonin ekspeditat turke shkretonin gjithçka: digjnin shtëpitë e të mbjellat, rrëmbenin bagëtitë, vidhnin atë që mund të vidhej, vrisnin njerëz të pafajshëm, duke sjellë mjerim e fatkeqësi. E megjithatë luftëtarët shqiptarë nuk dorëzoheshin. Një pjesë e kësaj ushtrie u ndesh në vendin e quajtur Buzerrë, pranë fshatit Bolenë me Leskodukajt e Bolenës, të cilët u gjendën të rrethuar:
Tre pashallarë që qenë 
Bashkë me nizamë u prenë
Me gjak e mbushën Buzerrë*
Në luftimet e zhvilluara, gjatë vitit 1847, ranë rreth tetëdhjetë dëshmorë bolenas pavarësisht se përmenden vetëm shtatë Guxhe Lesko, Bajram Lesko, Sadik Guxha, Birçe Guxha, Lesko Mingo, Bilbil Lesko, Karafil Lesko. Madje tre nga këta Sadik Guxha, Birçe Guxha dhe Lesko Mingo u kapën të gjallë dhe u internuan në Tresten të Turqisë. Në këngë përmenden edhe Sinan Malo, Basho Mingo, Amedin Lesko, Mahil Lesko, Kasëm e Zeno Mullai, Majko Hoxha 
Qaj Bolenë e vuri vajnë
Për ato oda me tavanë
Erdh halldupi i vu zjarrë 
Ca u prenë e ca u vranë
Majko Hoxha, lule djalë.
Përfundimisht forcat turke të shumta në numër e të paisura me armatimin më të mirë të kohës, pas gjashtë muaj rezistencë, arrijnë të hynë në Bolenë dhe t’i vënë zjarin. Në vargun ‘’Ato shtëpit’ me tavanë’’ kuptojmë që Bolena ishte një fshat i pasur e mirëqënie ekonomike. 
Gjashtë muaj dit’ e natë
Bëjn’ dyfek me një rigatë
Djemtë tanë se ç’luftojnë
Të shkretën Bolenë e dogjnë
Ato shtëpitë me tavanë
Erdhi turku i vu zjarrë.
Bolena me Leskodukajt do të shkruanin kështu një faqe heroike në betejat e zhvilluara gjatë kryengritjes së vitit 1847. Më vonë, të tjerë djem që do të ktheheshin në luftëtarë dhe heronj për lirinë e Shqipërisë, do të lindnin e rrisnin trevat e asaj ane. Historia e luftërave për liri e pavarësi është e mbushur me shembuj, ku bijtë e Bolenës dhe të krejt Labërisë do të shkruanin faqe të ndritura.